Rama dhe Erdogan krijojnë Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik

117
Sigal

 

Kryeministri Rama ndodhet për një vizitë 2 ditore në Turqi. Dje Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, nënshkruan në Ankara krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik në Nivel të Lartë mes dy vendeve. Tashmë marrëdhënia Turqi-Shqipëri do të jetë në nivel të lartë strategjik, teksa Erdogan në fjalën e mbajtur, ka zbuluar detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura. Sipas Erdogan, të dy liderët ranë dakord se organizata terroriste FETO e Fetullah Gylen përbën kërcënim si për Turqinë dhe për Shqipërinë, dhe se nuk do të lejohet që organizata të helmojë bashkëpunimin mes dy vendeve. Madje Erdogan është zotuar se do të ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit të FETO nëpërmjet Fondacionit përkatës.

Firmoset në Turqi marrëveshja për arsimin, Rama i lëshon terren Erdoganit pas mbylljes së shkollave të Gylen

Ministrja Evis Kushi dhe homologu i saj turk Ziya Selçuk nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit. Erdogan ka qenë i interesuar vazhdimisht për të zëvendësuar rrjetin e shkollave të Gylen në Shqipëri, me një rrjet tjetër shkollash të financuara nga qeveria turke.

Edi Rama sulmon BE-në në krah të Erdogan

Në konferencën e djeshme të përbashkët me presidentin Erdogan, Edi Rama ka vendosur që të sulmojë BE-në nga Stambolli. Rama ka bërë dallimin mes sjelljes që pati Turqia gjatë pandemisë dhe asaj që shfaqi Europa. ‘Ndryshe nga disa të tjerë, që bashkë me qytetarët, mbyllën edhe vendet e tyre, – tha Rama, – Turqia dhe presidenti Erdogan u gjendën pranë popullit shqiptar gjatë pandemisë duke treguar vlera solidariteti’. Më herët, Edi Rama e ka quajtur cinike sjelljen e vendeve të Bashkimit Europian, që u furnizuan me vaksina dhe nuk llogaritën vendet e Ballkanit Perëndimor.