Rama dhe Berisha, në garë për të mbushur sheshet me shpenzime marramendëse

437
Sigal

Fushata në prag të mbylljes, pa shumë incidente, fyerje familjare apo përplasje grupimesh

Ndërkohë që, autobusët e PD-së shkonin nga Tirana drejt Durrësit, autokolona e Partisë Socialiste, vinte nga Durrësi në Tiranë, për të festuar së bashku me Ramën mbylljen e fushatës elektorale në kryeqytet. Dukej sikur kjo fushatë zgjedhore u karakterizua nga gara e shfrenuar e dy koalicioneve të mëdha, por sidomos e dy partive kryesore, PD dhe PS, për të garantuar sa më shumë pjesëmarrës në shesh, për të zënë sa më shumë vend me parullat përkatëse në rrugët kryesore, apo anësore, për të siguruar sa më shumë grupe muzikore, apo për të garantuar ardhjen e sa më shumë emigrantëve, nga Greqia apo Italia. Në aparencë kjo garë u duk, sikur kishte të bënte më shumë me detajet e formës se sa me thelbin apo alternativat. Gjatë ditës së djeshme, gjithashtu, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë kanë marrë në celularët e tyre plot mesazhe që vinin nga Sali Berisha, Edi Rama, apo Ilir Meta. Secili prej tyre bënte thirrje kujtesës së qytetarëve që të votonin për numrin përkatës të partisë së vet. Beteja elektorale u zhvillua gjithashtu në kuadrin e një konkurrence analistësh që quhen të pavarur, por në fakt, duke mbështetur secili partinë e bindjeve të veta. Por një garë e heshtur ishte edhe ajo e sasisë së fishekzjarrëve të hedhura në qytetet e mëdha.
Anët pozitive
Fushata u karakterizua nga një qetësi olimpike e popullatës në qytetet kryesore, por edhe në qarqet e tjera të vendit. Kjo fushatë nuk ishte e ngarkuar me shumë fyerje dhe sharje, si fushatat e tjera, ku aq më pak u përmendën, problemet familjare të njërit lider, apo të tjetrit. Përveç përsëritjes së socialistëve për moshën e Berishës, si edhe përsëritjes së demokratëve për “martesat” e Ramës, në përgjithësi nuk pati ngarkesa emocionale të larta ndaj kundërshtarëve politikë. Kjo fushatë u karakterizua edhe nga konkurrenca e kandidatëve brenda llojit, ku kandidatët rozë të Vlorës u përballën përveç të tjerave edhe me kandidatin e pavarur, Arben Malaj, apo ata të zonës së Durrësit me Agron Dukën. Ndërsa, tre ish- deputetë socialistë u inkuadruan në listat blu, për Qarkun e Tiranës.
Sa kushtoi fushata?
Llogaria e kësaj fushate u bë disa herë në periudha të ndryshme të saj, por asnjëherë nuk u mësua shifra e saktë e shpenzimeve. Sipas një organizate monitoruese u fol për tejkalimin me kohë të shifrës së 200 milionë lekëve të reja, që i takon periudhës nga 23 deri në 31 maj. Dhe këto vetëm për një pjesë të spoteve publicitare apo reklamat. Thuhet se, fushata e vitit 2013 është një ndër fushatat më të shtrenjta, që janë realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Partitë më të mëdha politike kanë tejkaluar me 20 milionë lekë të reja ose 200 milionë lekë të vjetra totalin e dhënë nga KQZ-ja për këto parti. Pra, atë buxhet që është akorduar nga KQZ-ja këta e kanë kaluar që javën e parë. Totali i parave të harxhuara deri tani për spote elektorale shkon në vlerën e 870 milionë lekëve të reja ose 870 mijë dollarë. Por llogaria e saktë e financimeve të kësaj fushate elektorale nuk mund të zbardhet kurrë, sepse në këtë mes janë hedhur para të publikuar dhe të papublikuara, pa llogaritur këtu edhe elementët ushqimorë, apo gjënë e gjallë si dele, lopë, etj., etj.. Ndofta me paratë e kësaj fushate do të ishte mundësuar shtrimi i shumë rrugëve, që i kanë projektet gati, por para shtrimit të tyre, duket se fushata do të ishte prioritare dhe madje përcaktuese.