PS mbyll fushatën në kryeqytet, Rama: Tirana, kryeqyteti i Rilindjes më 23 Qershor

466
Sigal

Nën një dekor në ngjyrën simbol të partisë dhe një pjesëmarrje masive të simpatizantëve dhe mbështetësve të saj, PS ka mbyllur fushatën elektorale në kryeqytet, ndërsa risolli edhe njëherë në vëmendje listën e plotë të kandidatëve që garojnë për këtë qark në 23 Qershor. Kanë qenë pikërisht këta të fundit që u kanë uruar mirëseardhjen qytetarëve, ndërsa i kanë ftuar ata të votojnë rilindjen dhe numrin 29. “Mirëserdhët në amfiteatrin e historisë. Edhe 2 ditë, edhe 2 ditë dhe masa e madhe e popullit shqiptar për ndryshim do të derdhet drejt kutive të votimit për të votuar 29-n tonë të dytë në histori. Ata e dimë mirë se nuk mundem ta blejnë votën. Do vijnë të trokisni të premten e të shtunën me pyetjen a do na jepni votën dhe përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. Ata do t’ju drejtohen me pyetjen a do ja jepni votën dhe do ta marrin përgjigjen. Ta dinë të gjithë se vota e shqiptarit nuk është votë skllevërish që shiten. Nuk do të kalojmë një rend skllavopronar. Një përshëndetje për Prishtinën, Kosovën, Shkupin dhe për të gjithë emigrantët tanë, që do vijnë për të votuar historinë. Edhe 2 ditë ne do drejtohemi nga kutitë e votimit, për të vendosur kryqin që është kryqi i të ardhmes së fëmijëve tanë për Shqipërinë. 29-ta është më shumë se një numër. 29 është një histori, është fundi i ndarjes në ne dhe ata, është ndryshimi, shpresa, është ëndrra”, tha Pandeli Majko, që kryeson dhe listën e PS për Tiranën. Vetë shefi i selisë rozë, në fjalën e tij garantoi kryeqytetasit, të çdo prejardhje krahinore, përkatësie partiake, fetare, moshe dhe gjinie, se me PS në pushtet, do të kenë në krah një qeveri që hallet dhe problemet e tyre do t’i bëjë të vetat. Nga sheshi “Nënë Tereza”,  Rama akuzoi Berishën se duart e tij janë të zhytura në zullum dhe mëkat, ndërsa ripërsëriti se, Kryeministri nuk ka më mbështetjen as të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë. “Amerika ia ka hequr vizën Saliut, shqiptarët e dinë. A ju kujtohet 4 vite më parë, thoshte shiko, i kemi duart e pastra, nuk i bëmë gjërat këto 4 vjet, por bota na beson, na besoni edhe ju, ku e ka botën sot? Ato duar nuk kanë asgjë tjetër përveç gjithë rrugëve të rrënimit në vend, ekonomisë, shoqërisë, demokracisë, ëndrrës evropiane, ato duar janë të zhytura në zullum e mëkat, 8 vjet me radhë, ndaj dhe bota se beson, dhe nuk e takon, sepse bota ku duam të shkojmë nuk mund t’i shtrëngojë më ato duar”,- tha Rama. Kryesocialisti theksoi ndër të tjera se premtimi i Berishës për heqjen e vizave me SHBA-në është premtim bosh, sepse në fakt Amerika, sipas tij, ia ka hequr vizën Berishës.

Ilir Meta: “Nuk bëj koalicion me Berishën as pas zgjedhjeve”

Nga Berati, ku përmbylli fushatën elektorale, kreu i LSI Ilir Meta i ka kthyer përgjigje ish -partnerit të tij në qeverisje për mundësinë e një koalicioni PD-LSI pas 23 Qershorit. Duke e garantuar Kryeministrin Berisha se s’do ketë një herë të dytë, Meta ashtu siç nënshkroi marrëveshjen për hir të integrimit në 2009, refuzon ta rinovojë në 2013 për shkak të “minimit” që sipas tij, Berisha i bëri KQZ-së. “E dëgjova mbrëmë se tha do bëjmë koalicion me LSI pas 23 Qershorit. Unë si djalë i juaj në radhë të parë dua të jap një përgjigje nga Berati se LSI dhe Ilir Meta përjashtojnë çdo mundësi koalicioni me një qeveri dhe Kryeministër që guxoi të vërë dorë mbi KQZ, të një njeriu që pati të gjitha mundësitë të largohet me dinjitet. Ne jemi të përcaktuar në Aleancën për Shqipërinë Europiane, ne jemi ajo forcë që do mbyllë përgjithmonë politikën e përçarjes që instaloi Sali Berisha. U bëj thirrje të gjithë demokratëve në Berat, se ka ardhur koha që gjithë Berati të dënojë një qeveri që harroi zërin e Beratit”,- tha ai. Berati tha më tej Meta, e ka zgjedhur ashtu si gjithë Shqipëria të ardhmen e tij, që është punësimi. “Berisha do ikë të dielën si kryeministër njëherë e përgjithmonë sepse po të presë Berati premtimin e Berishës për boshtin e jugut do t’i duhet të presë dhe nja 2 400 vjet të tjera sepse ai për 8 vjet as rrugën e vjetër Lushnjë-Berat nuk e rikonstruktoi. As gropën e rrugës që lidh Lushnjën me Beratin veçse filloi të hedhë asfalt 3 javë më parë këtu në qytetin Beratit. Ne do fitojmë, se boshti i jugut duhet bërë tani dhe jo të shtyhet. Ne do fitojmë se ky qytet i jashtëzakonshëm kërkon zhvillim, frymëmarrje dhe ne do bëjmë unazën e Beratit brenda 2 viteve të para” Subvencionim për fermerët dhe një plan të vërtetë për ringritjen e industrisë, kanë qenë premtimet që kreu i LSI u bëri banorëve të këtij qarku. “Ne do fitojmë se fermerët e mrekullueshëm të Beratit që punojnë aq shumë, sakrifikojnë aq shumë, meritojnë jo një, nuk meritojnë me pikatore por plan të vërtetë për subvencionimin dhe ringritjen e industrisë agro-përpunuese, në mënyrë që Berati të përpunojë për vete dhe eksport siç ka prodhuar në të kaluarën”,-përfundoi ai.

AK-ja: “Politika e PS-së  çon në helenizimin e vijës tonë bregdetare”

Arsyet pse Edi Rama, Vasilika Hysi, Luiza Papathanasi, Andrea Marto, Koço Kokëdhima si dhe disa kandidatë të tjerë me kombësi greke garojnë në Qarkun e Vlorës, lidhjet e ngushta që kanë me Athinën, e cila po bëhet njëkohësisht ndërmjetësia midis firmave të ndërtimit RUSE. Synimi i tyre është blerja e vijës bregdetare dhe ndërtimi i fshatrave turistik Ruse dhe Greke. Taktikat moderne e privatizimit dhe shitblerjet e trojeve po çojnë drejt realizimit të ëndrrës shumëvjeçare të Greqisë. Helenizimi dhe shtrirjen e influencës greke në jug të Shqipërisë. Ndërkohë në rrugën kryesore të Vlorës si dhe në mitingje patriotin grek Vangjel Dule e dëgjon të bëjë thirrje për autonomi të Vorioepirit.

Fyle apelon median: “Raportoni drejt procesin zgjedhor”

Një raportim të drejtë të fotografisë para dhe paszgjedhore. Ky ka qenë apeli që Eurokomisoneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule ka lëshuar për mediat në Shqipëri gjatë konferencës mbi lirinë e medias, ku morën pjesë gazetarë nga Shqipëria dhe Ballkani. Fyle theksoi se roli i medias është shumë i rëndësishëm në këto zgjedhje parlamentare, duke siguruar se ashtu si ka qenë në fokus të KE sistemi i drejtësisë dhe lufta ndaj korrupsionit, edhe media do të marrë një vëmendje më të madhe nga ndërkombëtarët.