Rama: BSH me probleme administrimi të brendshëm

368
Sigal

TIRANE-  “Zhvillimet e fundit të ndodhura në Bankën e Shqipërisë, nuk cënojnë stabilitetin financiar” Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama lidhur situatën aktuale në Bankën Qëndrore të Shqipërisë, i cili shtoi se këto zhvillime kanë evidentuar probleme administrimi të brendshëm të këtij institucioni. Megjithatë, siç theksoi Rama, këto zhvillime nuk e cënojnë sistemin financiar në vend. “Gjithçka ka ndodhur këto javë ka sjellë në vëmendje të gjithë opinionit publik një problematikë të brendshme të BSH që duhet adresuar dhe zgjidhur sa më parë. Është e rëndësishme që në këtë zhurmë të vazhdueshme të theksohet se ngërçi ku ndodhet sot Banka ka të bëjë me një problem administrimit të brendshëm të bankës, dhe nuk ka asnjë lidhje me sistemin financiar. Stabiliteti financiar i vendit është tërësisht i pacenuar dhe i garantuar.” theksoi Rama. Kryeministri nënvizoi edhe pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me ngjarjet që kanë përfshirë BSH, duke e cilësuar atë si një pozicion i vështirë. Kjo pasi siç u shpreh Kryeministri, Banka Qëndrore mbetet një institucion i pavarur dhe ky mbetet kusht themelor për mirëfunksionimin e saj. “Gjatë këtyre javëve pozicioni i qeverisë ka qenë shumë i vështirë. Banka e Shqipërisë është një institucion i pavarur dhe pavarësia është kusht themelor për mirëfunksionimin e këtij institucioni themeltar për shtetin.” tha Rama

Rama takon guvernatoren në detyrë Gjoni
Pas zhvillimeve të fundit në Bankën e Shqipërisë, të kulmuara deri më tani me arrestimin e Guvernatorit Ardian Fullani, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim në Bankën e Shqipërisë me Guvernatoren në detyrë Elisabeta Gjoni. Në takimin që zgjari 1 orë, kreu i qeverisë u takua edhe me anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Në përfundim të takimit në orën 12:30 pritet që kryeministri Rama të dalë në një konferencë për shtyp. Në thelb të takimeve janë hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për normalizimin e situatës në institucionin më të lartë financiar në vend.

Rama takon Nishanin dhe anëtarët e Këshillit të BSH
Një ditë më parë kreu i qeverisë zhvilloi një takim me presidentin Nishani, ku theksi i bisedës është vënë tek garantimi i qëndrueshmërisë së Bankës. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, është kryeministri që i propozon një emër presidentit për guvernator dhe pas miratimit nga ky i fundit është parlamenti që jep aprovimin përfundimtar.
 
edi rama
(Në foto: Kryeministri Edi Rama që ka mbërritur në Bankën e Shqipërisë)

Ditën e djeshme, kryeministri Rama është takuar edhe me të ngarkuarën prej Këshillit Mbikëqyrës si guvernatore në detyrë, Elisabeta Gjoni, për t’i shprehur qëndrimin e qeverisë e të shumicës qeverisëse në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucionit, respekti për profesionalizmin e mirënjohur të të cilëve mbetet i palëkundur”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë. Kryeministri ka shprehur besimin se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më e sigurtë dhe më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme. Lidhur me këtë situatë, shefi i qeverisë ka kontaktuar tashmë ekspertë vendas e të huaj, ndërsa është takuar me përfaqësues të FMN-së dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.