Rama: Bashkimi Shqipëri-Kosovë i mundshëm nëse BE na zbeh shpresat

553
Sigal
Për Kryeministrin Edi Rama, një bashkim i Shqipërisë me Kosovën është një projekt i mundshëm në rast se Bashkimi Europian do t’i zbehë këtyre vendeve shpresën për t’u bërë pjesë e unionit.

Në një intervistë për gjigandin amerikan Politico, shefi i ekzekutivit shqiptar tha se nuk do t’a përjashtoj një mundësi të tillë.

“Unë nuk e përjashtoj këtë mundësi, pasi e vetmja mënyrë që t’a mbash Ballkanin në këtë situatë paqësore dhe bashkëpunuese është duke i mbajtur rrugën drejt antarësimit në BE të hapur, t’i japësh një perspektivë të qartë si dhe t’i japësh një ndjenjë pozitive rreth unionit. Askush nuk do të donte bashkime të vogla, të gjithë duan të jenë pjesë e bashkimit të madh. Por, nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë, sigurisht që bashkimet e vogla mund të ndodhin.”

Më tej, Kryeministri tha se BE-ja ka një mungesë vizioni për Ballkanin, i cili rrezikon që të destabilizojë jo vetëm rajonin tonë, por të gjithë europën.

“Ka një mungesë mirëkuptimi, një mungesë vizioni në faktin se nuk po kuptohet që jo vetëm rajoni ka nevojë për Europën, por edhe që Europa ka nevojë për rajonin për sigurinë dhe stabilitetin. Si mund të jetë unioni i sigurt nëse Ballkani çmendet? Si mudnet që Bashkimi Europian të lejojë që në zemër të tij të krijohet një zonë gri ku aktorë të tjerë të kenë më shumë influencë se vetë BE-ja? Ky është një absurditet në termat e sigurisë dhe stabilitetit.”

Në mbyllje, Rama bëri thirrje për më shumë vëmendje të BE-së dhe ShBA-së ndaj rajonit, ndërsa e cilësoi mbështetjen e tyre si jetike. Sa i përket akuzave që kanë ardhur nga Maqedonia rreth platformës shqiptare, shefi i ekzekutivit i quajti deklaratat mite dhe gënjeshtra të cilat ushqejnë përcarjen dhe nxisin konflikte ndëretnike.