Presidenca: Koha për një grua

596
Një portofol për një grua 

Një vend si Shqipëria, ndoshta edhe për disa vite të tjera nuk do të donte të diskutonte, nëse një femër do të ishte zgjedhja më e mirë për të drejtuar një Institucion si Presidenca. E them me keqardhje këtë pasi në këto 26 vite demokraci nuk kemi një bilanc realisht pozitiv përsa i përket barazisë gjinore. Është e vërtetë, se sot kabineti ynë qeveritar ka numrin më të madh të zonjave që drejtojnë ministri të ndryshme, sikurse është e vërtetë edhe se përfaqësimi i tyre në parlament është rritur ndjeshëm, por ky është një tjetër diskutim që lidhet me disa kuota gjinore apo kërkesa në kuadër të integrimit evropian, të cilit nuk dua t’i futem tani. Më tepër do ta lidhja këtë ngurim për të menduar, se një grua është e denjë për të qenë presidente me zhvillimin social – kulturor të shoqërisë sonë, e cila mesa duket e ka të pamundur të shkëputet nga kjo gjendje tranzicioni që aq fort duket se e ka përqafuar. Por kjo është edhe arsyeja kryesore pse unë mendoj se është momenti i duhur për të patur edhe vendi ynë një Presidente grua. Para se të nis ta argumentoj këtë do të doja të sillja në vëmendje atë çka historia na ka lënë si trashëgimi prej drejtimit të një vendi nga një grua. Britania e Madhe është një prej superfuqive botërore sepse Mbretëresha Elizabeta I e bëri të tillë; Mbretëreshë Viktoria – një epokë e tërë e artë mban emrin e saj; Eleanor Roosevelt drejtoi komisionin për të drejtat e njeriut në OKB nga e cila kemi trashëgimi Deklaratën e famshme për të drejtat e njeriut; ndikimi i Margaret Thatcher në stabilitetin e ekonomisë është i paarritshëm; Benazir Bhutto – kryeministrja e parë femër në një vend mysliman (Pakistan) udhëhoqi vendin nga diktatura në demokraci. Pa lënë jashtë kësaj liste edhe një numër të madh emrash si humanistja Nënë Tereza, Eva Peron në Argjentinë; Zhaklin Kenedi, Anna Frank; Zhan D’Ark, Annie Besant që ndikoi në pavarësinë e Indisë, apo edhe emra të tjerë të njohur që ndoshta, edhe pse mund të ndiqen nga një numër i madh skandalesh, ia kanë dalë të bëjnë histori në politikë. Hillary Clinton është prova e gjallë e një suksesi, edhe pse këtë vit ajo pësoi humbje, mbetet idhulli i shumë grave në botë. Aktualisht në botë janë ende15 femra në funksionin e kryeministres së vendeve, 4 të tjera si monarke e 11 si presidente. Fakt interesant është Zvicra, e cila ka pasur 6 presidente femra. Le të kthehemi tek Shqipëria –Pse neve na duhet aq shumë të ndjekim shembujt e këtyre vendeve të mëdha në histori? 

Së pari, Demokracia jonë do të forcohej më shumë – në një demokraci ideale, qeverisja është më e mirë kur përfaqësohet nga shumica me gra, shifrat tregojnë se ka shumë më tepër idealizëm dhe profesionalizëm në ato institucione qe drejtohrn nga gratë, 

Së dyti, Gratë janë lidere më të mira – jo vetëm nga çfarë përmenda më sipër por, studimet tregojnë se kompanitë që kanë numër të madh femrash në lidership performojnë edhe më mirë ekonomikisht. Po ashtu besohet se fakti që cilësohen si më me ndershmëri përsa i përket barazisë dhe kompromisit në punë ju jep përparësi në role drejtuese. 

Së treti, Ndikon në nxitjen e barazisë gjinore sepse duke parë një femër në një post të lartë drejtues nxit dhe motivon femrat e tjera të përmirësojnë kushtet e tyra të jetesës. Vendi ynë ka shumë edhe pse ka përjetuar shumë ndryshime mbetet ende shoqëri patriarkale. Një grua lufton për të drejtat e grave. Shprehja feministe “politika është personale” është e vërtetë akoma dhe një Presidente femër në Shqipëri padiskutim ka eksperiencën personale në luftën që i është dashur të bëjë për të triumfuar vetëm se lindi e tillë. Pavarësisht gjithçkaje, gratë punojnë së bashku. Ndoshta nuk do të kishim këtë ngërç politik, nëse do të kishim një grua në një post kyç drejtues. Gjenerata e re ka nevojë për një femër presidente. Shoqëria jonë fatkeqësisht ka harruar disa nga vlerat bazë dhe modelet aktuale nuk kanë shumë për të dhënë. Ne si shqiptarë, e kemi në brendi që nomat e vlerat t’i mësojmë nga nënat apo motrat tona. Po ku ka më mirë! Dhe mbi të gjitha – femrat nuk prodhojnë tirani – ndoshta pak rrëmujë e cila edhe kjo sjell ndyshime pozitive më vonë. 

Një Grua ka qetesinë e te drejtuarit, dhe mençurinë e zgjidhjes se problemeve pa instaluar presionin, sot ka ardhur koha që nē Shqipëri të ketë nje grua kryeministre apo presidente dhe, mbase politika e vrazhdë mashkullore ndryshon me në fund modelin e dhunës që më së shumti prej 10 vitesh është bëre pjesë e krejt shoqërise tonë. Po nëse ne gratē nuk lobojme fort, nuk kërkojmë me këmbëngulje të na dēgjohet zēri dhe të jemi zonja fisnike në krah të burrave, asnjëherë nuk do bëhemi faktor me rëndesi politike, por do mbetemi ne pozicione dytësore drejtimi. Liri, pushtet, autoritet, nuk t’i dhuron askush, ato fitohen dhe lufta për këtë fitore nuk është e lehtë, as e shpejtë.

Xhoi JAKAJ 
Pedagoge dhe Drejtore e burgut te grave
Sigal