Kuvendi që s’pyeti për ‘Venecian’ mbi reformën në drejtësi
Është po ky Kuvend, i cili anashkaloi opinionin e ‘Venecias’ në lidhje me hartimin e reformës në drejtësi, duke sjellë kapjen totale të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca socialiste me në krye Edi Ramën, por sot kërkon opinionin në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës si deputete e PS, duke u orvatur të fitojë kohë sa më shumë për ta shpëtuar nga paligjshëmria.
Mazhoranca në mëdyshje nëse kanë të drejtë apo jo të mos zbatojnë vendimin e Kushtetueses. Për këtë arsye ata kërkojnë nga gjykata që të marrë një opinion në Komisionin e Venecias lidhur me këtë interpretim
Qeveria duket se ka ndërruar mendje sa i takon mandatit të Olta Xhaçkës. Pasi e mbrojti me “mish e me shpirt” duke shkelur me të dyja këmbët vendimin e gjykatës, sot ka ardhur një kërkesë surprizë nga Kuvendi. Kuvendi i është drejtuar me një shkresë këtë të hënë Gjykatës Kushtetuese, ku i kërkon rihapjen e çështjes së mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, duke i kërkuar që të merret opinioni i Komisionit të Venecias.
Partia Demokratike kishte dorëzuar padi në Kushtetuese, ku i kërkonte që t’i hiqej mandati ish-ministres Xhaçka për konflikt interesi, pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik me vendim të Këshillit të Ministrave.
Por, duke qenë se padia ishte firmosur vetëm nga 1/5-ta e deputetëve, Kushtetuesja iu drejtua Kuvendit, ku socialistët pas një zvarritje të gjatë, më 11 Prill 72 socialistë ngritën kartonin e kuq në Kuvend, duke e bllokuar hetimin e Olta Xhaçkës. Më 24 Prill, Gazment Bardhi në emër të PD-së ridepozitoi një padi tjetër në Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës, por këtë herë të firmosur nga 44 deputetë të opozitës.
Ndërkohë tashmë, në një dokument prej 6 faqesh dhe që mban datën, 8 Korrik, Kuvendi i Shqipërisë shkruan se është parë e nevojshme mendimi këshillimor nga Komisioni i Venecias, pasi është krijuar një pasiguri juridike.
“Ndodhur në kushtet kur krijohet një pasiguri juridike, se përse grupi prej jo më pak se 1/5 e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese në kundërshtim me rendin kushtetues në fuqi, Kuvendi është i mendimit që duhet të kërkohet një mendim këshillimor nga ana e Komisionit të Venecias, dhe në lidhje me zbatueshmërinë e këtyre poarashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtën e 1/5 së deputetëve të Kuvendit për të vendosur në lëvizje Kushtetuesen”, -thuhet ndër të tjera në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Investimi strategjik
Në mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave shpalli një vendimin për dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Gjilekë të Himarës për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Në atë kohë, Olta Xhaçka mbante postin e ministres së Jashtme.
Sipas këtij vendimi, kompanisë ‘AGTTC Hotel Management’ i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.
Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të Ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në atë kohë, ngriti shqetësime për konflikt interesi.
Xhaçka akuzohet se ka shkelur Kushtetutën, duke përfituar si deputete të mira publike, që kur bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, fitoi të drejtën e përdorimit të bregdetit për 30 vite falë një vendimi qeverie.
Rasti është kthjellësisht i pastër dhe për precedentë të tillë Kushtetuesja i ka hequr më parë mandatin e deputetit, Ilir Beqes dhe Koço Kokëdhimës.
Për çështjen në fjalë, SPAK ka sekuestruar të gjithë sipërfaqen e tokës që i ishte falur ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, për të ndërtuar resort si investitor strategjik.
Gjithashtu, në burg për këtë çështje ndodhet dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë, në favor të shoqërisë private të zotëruar nga Artan Gaçi.
Po ashtu, edhe vetë Artan Gaçi dhe bashkëshortja e tij deputete Olta Xhaçka kanë dëshmuar në SPAK në lidhje me këtë çështje që vijon të jetë në hetim.






















