Kryeministra, presidentë dhe zyrtarët më të lartë të 47 shteteve të Kontinentit Evropian do të mblidhen në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian. Pavarësisht se familjet shqiptare çdo ditë janë në “luftë” për të siguruar bukën për fëmijët e tyre, kjo nuk e ndal qeverinë të “zgjidhë qesen” dhe të planifikojë shpenzime marramendëse. Për pritjen e përfaqësuesve, anëtarëve të stafit, përkthyesve, vëzhguesve dhe shoqëruesve të liderëve evropianë do të shpenzohen 2.4 milionë euro.
Një shumë e majme prej 235 milionë lekësh, ose rreth 2.4 milionë euro, do të shpenzohen për organizimin e një eventi më 16 maj në Tiranë, ditë në të cilën do të vijnë disa liderë të Bashkimit Europian. Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka bërë formalisht një procedurë tenderuese, por me opsionin e negocimit me firmën “e preferuar”. Në dokumente shkruhet se fitues doli kompania “REDCLOUD”, me pronar aktual z. Klodian Makashi, teksa ditën që u shpall edhe fitues të kësaj procedurë, firma ka depozituar në QKB edhe një kontratë shit-blerje, z. Makashi i transferon vetes kuotat e firmës!Ndërkohë, më parë aksioner në këtë firmë ka qenë Uarda Koçi dhe Renald Rista. Ky i fundit ka qenë drejtor IT në Tatime, teksa ka denoncuar dhe vjedhjen e serverit të këtij institucioni.Por, çfarë do të bëhet në datën 16 maj?!Pak ditë më parë, kryeministri Rama thase “më 16 maj në zemër të Tiranës do të mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbledhë të gjithë liderët e kontinentit”. Sipas tij, do të jenë liderët e të gjithë kontinentit të demokracive, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara.Sipas dokumenteve Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka finalizuar tenderin me objekt “struktura akomoduese (konstruksione të përkohshme), në kuadër të Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit Politik Europian (EPC), të datës 16 Maj 2025”.Fond limit ishte 235 milionë lekë teksa në këtë procedurë është paraqitur vetëm firma “REDCLOUD” me një vlerë prej 232 milionë lekësh. Tenderi është firmosur nga drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Dhurata Frashëri, ajo e cila u plotëson çdo tekë krerëve të shtetit në rezidencat ku ata pushojnë dhe zhvillojnë takime.Por, jo vetëm kaq pasi Frashëri ka dhënë dritën jeshile që disa pasuri që ka nën menaxhim t’i kalojnë privatit, teksa çdo ditë flitet se edhe Pallati i Kongreseve, që administrohet nga kjo drejtori, mund t’i kalojë privatëve.
Por, kush është firma fituese që do të organizojë eventin me liderët europianë? Padyshim që firma duhet të jetë e besuar, teksa burime për VoxNeës tregojnë se Makashi por edhe më parë Rista apo edhe Koçi kanë organizuar evente të tjera të mëdha, në Tiranë, Berat, Lezhë etj.
Aktualisht, firma “REDCLOUD” është në pronësi me 100 % të z. Klodian Makashi. Më parë, firma zotërohej nga kompania tjetër “MORPH”, ku aksioner ishte Makashi me 56 %, Rista me 24 dhe Koçi me 20 % të aksioneve. Në dhjetor 2024, Rista dhe Koçi i shesin aksionet Makashit me një çmim simbolik prej disa qindarkash. Ndërkohë, në datën 11 prill 2025, ditën që Makashi fitoi këtë super procedurë, ai bëri një transaksion formal në QKB. Kompaninë “REDCLOUD” e kalon nga firma “MORPH”, ku ai ishte pronar tashmë me 100 % të aksioneve, te vetja e vetë! Nuk dihet se përse bërë këtë lëvizje, por fakti që firma e tij do të besohet për organizimin e këtij eventi, ai hoqi çdo gjurmë të ish-ortakëve.