Qeveria ka propozuar lehtësira për të huajt që dëshirojnë të punësohen në Shqipëri. Dokumenti parashikon dhënien e kartës blu për profesionistët por edhe lehtësira për çdo kategori përfshirë dhe studentët
Të huajt punëtorë të kualifikuar që duan të punojnë në Shqipëri do të pajisen me një leje unike që do të quhet karta Blu Al. Kjo parashikohet në draftin tashmë të depozituar në Kuvend që përcakton se për ta përfituar, punonjësit duhet të kenë një kontratë pune që kërkon aftësi të larta. Projektligji parashikon lehtësira edhe për të huajt që nuk kanë një profesion të caktuar, por që duan të punësohen në vend.
Leje unike pritet te ketë edhe për punonjësit sezonalë edhe ata shtëpiakë. Aplikimi kërkohet të bëhet vetëm online nëpërmjet portalit e-Albania.
Në shumicën e rasteve edhe ata të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për të punuar vetëm pas pak muajsh janë larguar në drejtim të Evropës. E kanë përdorur Shqipërinë si trampolinë për të ikur diku tjetër ose janë kthyer mbrapsht ne vendin e origjinës pasi kanë parë nivelin e jetesës dhe pagesës në vendin tonë.