Qeveria shkresë bashkive: Punësimet të jenë provizore deri në dhjetor

499
Strukturat e reja në 61 bashkitë e vendit do të jenë provizore, funksionale deri në dhjetor të këtij viti. Ministri i Çështjeve Vendore nëpërmjet Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale ka shpërndarë një shkresë për 61 kryebashkiakët e rinj duke i shpjeguar mënyrën e emërimeve në administratën e re, duke i kërkuar që skema e aplikimit të jetë provizore, jo përfundimtare. Kjo skemë do të jetë funksionale deri në miratimin e strukturave përfundimtare në çdo bashki apo dhe njësive administrative që do të nisin punën duke filluar nga muaji janar i vitit 2016. Bashkitë në vend do të operojnë me ato provizore, që sipas projektvendimit të Ministrisë së Çështjeve Vendore drejtuar çdo drejtuesi të bashkisë do të jetë edhe një formë testimi për strukturat e reja. Gjithsesi, strukturat e reja do të jenë funksionale në vitin 2016, për të cilat pritet ngritja e një grupi pune në çdo bashki për hartimin dhe miratimin e tyre. “Nga ana e administratës së bashkisë është punuar për hartimin e strukturës së re të Bashkisë përfshirë edhe Njësitë Administrative. Më duhet t’ju informoj se kjo strukturë do të jetë një “strukturë provizore” që do të funksionojë deri në mbyllje të vitit kalendarik 2015. Më tej do të punohet me një grup pune që do të ngrihet posaçërisht për këtë çështje, për hartimin dhe miratimin e strukturës së bashkisë për vitin 2016 dhe në vazhdim. Gjatë periudhës shtator – dhjetor, jo vetëm do të testojmë këtë strukturë provizore, por edhe do të diskutojmë së bashku me një grup pune për organizimin më të mirë që do të mund të sigurojë funksionimin e bashkisë duke filluar nga viti 2016 e në vazhdim”, thuhet në projektvendimin model të hartuar nga Ministria e Çështjeve Vendore dërguar çdo drejtuesi bashkie, e ku më pas ia paraqet Këshillit Bashkiak për miratimin e numrit të punonjësve në strukturat provizore. Kjo strukturë pritet që të pësojë ndryshime pikërisht në njësitë administrative, të cilat janë krijuar në çdo bashki pas shkrirjes së komunave, ndërsa në bashkitë ekzistuese të cilat nuk janë prekur nga reforma territoriale nuk do të ketë ndryshime.
Paketa fiskale
Ministria e Pushtetit Vendor së bashku me Agjencinë e Zbatimit të Reformës Administrativo Territoriale, u ka vënë në dispozicion bashkive edhe modelet e paketave fiskale të cilat janë të domosdoshme për vazhdimësinë e mbledhjes së të ardhurave të bashkisë nëpërmjet taksave dhe tarifave, deri në dhjetor të fundit të vitit. “Rekomandohet bashkimi i paketave fiskale të ish-komunave, duke krijuar një paketë të vetme, pa ndryshuar nivelin e tyre sipas njësive administrative. Ndryshimi i nivelit të taksave dhe tarifave në mes të vitit do të sillte kaos në përllogaritje, do të cenonte qytetarët dhe bizneset në planifikimet e tyre vjetore, si dhe do të kërkonte kohë dhe ekspertizë për të pasqyruar ndryshimet në buxhetin e bashkisë, si dhe në realizimin e shërbimeve dhe kontratave të nënshkruara. Nga ana e punonjësve të bashkisë duhet që, duke u bazuar në paketat fiskale të ish-komunave, të krijohen paketat e reja fiskale për çdo njësi administrative me të njëjtin nivel taksash dhe tarifash dhe duke krijuar kështu shtojcat përkatëse si pjesë e paketës fiskale të bashkisë”, thuhet në materialet orientuese për çdo drejtues bashkie, ku theksohet ndër të tjera se vazhdimi i zbatimit të saj deri në fund të vitit kalendarik 2015, do të sigurojë kohën e nevojshme dhe do të krijojë mundësi për hartimin e projekt-paketës fiskale për vitin 2016.
Buxheti tranzitor
Njëkohësisht, buxheti tranzitor është gjithashtu i nevojshëm për vazhdimin e veprimtarisë financiare të bashkisë, si dhe për sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve. Nga ana e Ministrisë së Çështjeve Vendore janë vënë në dispozicion buxhetet e ish-komunave që janë shkrirë (për ato njësi që nuk kishin miratuar buxhetin e vitit 2015 janë venë në dispozicion buxhetet e vitit 2014 me të cilat operohej nga këto njësi nëpërmjet shpenzimit të 1/12 në çdo muaj.
Kriteret e emërimeve jepen në udhëzimin e qeverisë
Strukturat, kush ikën dhe rri në bashki
Për hartimin e strukturës provizore të çdo bashkie është bërë një punë përgatitore në bashkëpunim me projektin STAR dhe me Agjencinë për Zbatimin e Reformës Territoriale, të cilët asistojnë në procesin e sigurimit të vazhdimësisë së funksioneve dhe gjithashtu sigurojnë edhe mbështetjen financiare të nevojshme për vështirësitë që ndeshen në proces. Sipas projektvendimit që do të duhet të miratojë çdo këshill bashkiak janë përcaktuar edhe kriteret mbi të cilat është hartuar kjo strukturë. “Struktura e Qendrës së Bashkisë është po ajo e ish-bashkisë qendër. Strukturat e Njësive Administrative janë rishikim/reduktim i strukturave të ish-komunave në bazë të një studimi të detajuar për secilën prej tyre, bazuar në kriteret, por edhe në specifikat e çdo Njësie Administrative”, thuhet në projektvendim, ku renditen njëkohësisht edhe shkurtimet që do të kryhen në çdo njësi administrative. “Shkurtohen pozicionet për funksionet që nuk ekzistojnë më te këto Njësi si p.sh, nënkryetari, sekretari i këshillit, shoferi i kryetarit, punonjësit e financave, policia komunale etj. Qëndrojnë pozicionet për të gjitha funksionet që janë kryer nga ish-komunat dhe që do të vazhdojnë të kryhen nga Njësitë Administrative. Qëndrojnë pozicionet për punonjësit e shërbimit për shërbimet që ofrohen në Njësinë Administrative (punonjës pastrimi, roje etj). Qëndrojnë pozicionet për atë që konsiderohet si “memoria institucionale” si punonjës arkive etj. Qëndrojnë pozicionet për shërbimet specifike të Njësisë Administrative (bujqësi, blegtori, etj”, thuhet në projektvendim.
Sigal