Qeveria Rama ka shpenzuar 272 miliardë lekë për bileta avioni

713
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kryeministri: S’jam aspak i dhënë pas qejfeve, luksit, restoranteve, helikopterëve e avionëve, me të cilat më lidh thjesht puna!

Shpenzimet e një helikopteri Tiranë – Vlorë dhe kthim janë afërsisht 1.200 – 1.500 euro. Një çarter nga Rinasi në Torino kushton 18.000 euro. Udhëtimi i kryeministrit Rama nga Vlora në Torino, kushtoi 20.000 euro. Pavarësisht, se mund të pranojmë, siç pohoi kryeministri, që ishte i ftuar në çarterin Rinas – Torino.

Ligji i dhuratave: Deri në 100 euro

Parlamenti shqiptar ka votuar një ligj të veçantë, i cili kushtëzon cilindo zyrtar të shtetit, që të pranojë dhurata deri në vlerën e 100 euro. Ky ligj nuk përjashton askënd, qoftë edhe presidentin dhe kryeministrin. Atëherë, si pranoi kryeministri Rama “dhuratë” 18.000 euro? Pa llogaritur biletën e kthimit nga Torino në Tiranë, (nëse administrata e shtetit dhe Thesari do pranojnë “shpenzime shërbimi”). Çdo dhuratë mbi 100 euro (ca më tepër miliona lekë) për çdo zyrtar lënë hijen e dyshimit, si do të bëhet “shlyerja morale dhe materiale e dhuratës”, dhe, pse jo, deri edhe në hamendësim për korrupsion. Kryeministri Rama sa filloi detyrën në 2013-n, pretendoi se biznesmenë, miq të tij, i bënë “dhuratë” edhe fasadën e Kryeministrisë, punime, me kosto qindra, deri në miliona euro. Kryeministri Rama kurrë nuk zbardhi, cilët ishin ata biznesmenë kaq humanë, që i bënë “dhuratë” atij, si kryeministër punimet e rikonstruksionit të fasadës së kryeministrisë? A kanë përfituar ata biznesmenë dhe bizneset e tyre tenderë dhe koncesione, pas 2013-s, si shpërblim për “dhuratën” e qindra mijërave euro për fasadën e kryeministrisë? “Nderi me nder shpërblehet”, thotë populli ynë. Atëherë, cili është nderi që shpërbleu kryeministri Rama, dhuratat që i bënë miqtë e tij biznesmenë?

Kryeministri Rama sqaron: Çarteri ishte …dhuratë.

Pas fotos me Cristiano Ronaldon dhe zhurmës që bëri kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë. I ngacmuar nga një koment në facebook, ku një qytetar i shkruan, nëse me rrogën që merr si kryeministër i mbuloi dot shpenzimet e udhëtimit me charter privat dhe një takim me Cristiano Ronaldon, Rama ka zbuluar për herë të parë edhe koston e ngjarjes së djeshme. Qytetari: Me rrogën që merr Rama i mbuloi shpenzimet me charter privat për të parë Juven dhe takim me CR7??? Si mendon???

Kryeministri Rama: Është për të ardhur keq se si peshkohen sot njerëz jo keqdashës nga lajmet e rreme e nga akuzat nëpër rrjetet sociale! Sa për dijeni, unë kam vendosur qysh ditën e parë rregullin që qeveria, që nga kryeministri e me radhë, nuk udhëton më në business class po në klasën ekonomike, si gjithë njerëzit e zakonshëm. Së dyti, unë kurrë nuk kam marrë një biletë për veten e lëre më pastaj për familjen, kur kam udhëtuar (në shumë pak raste në këto pesë vjet, sepse edhe pushimet ia kam ndaluar vetes e ministrave t’i bëjnë jashtë Shqipërie) për arsye jo shtetërore dhe, si rrjedhojë, udhëtimet e mia i kanë kushtuar më pak buxhetit të shtetit se sa ato të tjetërkujt në detyrën time – rastet e udhëtimeve të punës me charter nuk e kanë rënduar asnjëherë buxhetin e shtetit dhe nuk janë përdorur kurrë për arsye private apo për familjen time, siç është gënjyer paturpësisht në rrjetet sociale. Së treti, unë isha në Torino si i ftuar i klubit të Juventusit dhe falë mikut tim, Igli Tare që më dha mundësinë e udhëtimit me charterin e prenotuar prej atij vetë, duke qenë se ndodhet në Shqipëri me pushime. Pra, shkurt, udhëtimi im nuk kushtoi as edhe një qindarkë të vetme, zero. Kështu që më vjen sinqerisht keq, po edhe për të qeshur të them të drejtën, kur dëgjoj e lexoj për të tilla muhabete krejt pa lidhje me personin tim. Kush më njeh, e di fare mirë se s’jam aspak i dhënë pas qejfeve, luksit, restoranteve e lëre pastaj makinave, helikopterëve e avionëve, automjeteve me të cilat më lidh thjesht puna! Pasionet e politikës, artit, librave e filmave, më dalin e teprojnë si kalimtar mbi këtë tokë. Kush s’më njeh, le të mundohet ta marrë me mend, se ka edhe kështu në këtë botë të larmishme.

Të dhënat e Thesarit: Për 2017-n janë shpenzuar 6,9 miliardë lekë për bileta avioni

Deputeti Paloka publikon shifrën: “27.2 miliardë lekë!”, – kjo është shuma që ka shpenzuar qeveria Rama në pesë vite vetëm për bileta avioni për të udhëtuar jashtë vendit. Statistikat u referohen pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit. Paloka shkruan, se Kryeministri i vendit më të varfër në Evropë dhe ‘që nuk e pëlqen luksin’ ka shpenzuar miliarda nga taksat e shqiptarëve vetëm për udhëtimet me avion. Për 2014-n u shpenzuan 4,61 miliardë lekë për bileta avioni. Për 2015-n u shpenzuan 5,41 miliardë lekë për bileta avioni. Për 2016-n u shpenzuan 6,27 miliardë lekë për bileta avioni. Për 2017-n u shpenzuan 6.89 miliardë lekë për bileta avioni