Qeveria mundohet të mbajë pushtetin me arrestimet e protestuesve

469
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Dje, sërish parlamenti zhvilloi seancën, i rrethuar me tela me gjemba, thua së është garnizon ushtarak, i “mbrojtur” nga 1.500 policë, përballë dhjetëra mijëra protestuesve. Deputetët e “opozitës” se re tashmë votojnë symbyllur çdo projektligj të qeverisë, duke sjellë një “risi” të pashembullt, ku deputetë të të ashtuquajturës “opozitë” votojnë ligjet e opozitës, ndërkohë, që elektorati i Djathtë, që ka votuar listat edhe të këtyre deputetëve të “opozitës” së re, është jashtë, përballë parlamentit në protestë… Kryeministri Rama deklaroi nga foltorja e Parlamentit se opozita do të rifutet në parlament vetëm pas vitit 2021, ndërkohë, që jashtë parlamentit policia merr zvarrë një invalid, pse protestoi ngaqë qeveria i ka prerë edhe ndihmën e invaliditetit, ndërsa një student humbet ndjenjat para parlamentit nga dhuna e policisë.

Kjo është panoramë, që ripërsëritet çdo seancë të parlamentit. Kjo nuk është demokraci, ku parlamenti të zhvillojë seancat pa opozitë dhe i rrethuar nga mijëra policisë, ndërkohë që populli proteston fuqishëm jashtë parlamentit. Vetëm në regjime diktatoriale, historikisht ka ndodhur që një parlament të zhvillojë seancat, i rrethuar nga mijëra policë dhe populli të protestojë kundër këtij parlamenti. Vetëm diktatorët deklarojnë se do të qeverisin, edhe pa dëshirën e popullit, por me ndihmën e policisë. Vetëm në diktaturë policia arreston me urdhër të drejtuesve të saj politikë,në kundërshtim me Kushtetutën, qytetarët në mesnatë nëpër shtëpitë, me akuzën pse kanë marrë pjesë në protesta të paligjshme nga …qeveria. Lind pyetja: Kujt do t’i shërbejnë ato ligje, që miraton një parlament, i rrethuar me tela e gjemba dhe nga mijëra policë, kur populli proteston kundër këtij parlamenti?

Parlamenti nuk mund të përfaqësohet vetëm nga një pjesë e popullit, derisa nuk ka 140 deputetë, siç e përcakton Kushtetuta, as qeveria nuk mund të zbatojë ligje, të miratuara nga një pjesë e deputetëve, të cilët “mbrohen” nga mijëra policë nga protestat e elektoratit. Votëbesimi i popullit për qeverinë nuk mund të zgjatë 4 vite, sa përcaktohet në Kushtetutë, por qeveria e humbet votëbesimin e popullit, kur keqqeveris, ose kur provohen që votat e ka “fituar” edhe me shitblerje. Qeveria nuk mund të mbahet në këmbë, as një parlament nuk mund të mbrohet me arrestime policore ndaj qytetarëve që protestojnë para parlamentit.

Një shtet ligjor i së drejtës ekziston dhe mbahet në këmbë nga zbatimi i ligjit, dhe jo nga mosveprimi i prokurorisë së kapur politikisht, e cila në veprimet e saj, nuk zbaton ligjin dhe as Kushtetutën, por urdhrat e pushtetit ekzekutiv. Një qeveri, e cila mendon se mund të qëndrojë në pushtet duke mbjellë frikën tek populli me arrestime, vetëm se mund të t’i shtojë disa ditë jetëgjatësisë e saj, por nuk mund të privatizojë përgjithnjë pushtetin.