Presidenti Meta: Më 25 prill, referendum mbarëkombëtar

304
Sigal

Kreu i Shteti shprehë vendosmërinë se rivendosja e rendit kushtetues është e padiskutueshme. PPP-të që po varfërojnë shqiptarët, trajtimi i qytetarve me prtokolle të qarta anticovid, rimbursimi i ilaçeve dhe pse abuzuesit në administratë, Qeveri dhe Kuvend nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar. Kushtetuta mbi të gjitha, mbi Kushtetutën vetëm populli !

 

 Presidenti Ilir Meta, ka reaguar lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Duke iu referuar edhe deklaratave mbajtur në konferencën e sotme për mediat, Meta shkruan se “më 25 prill 2021 do të ketë një referendum mbarëkombëtar për të rrëzuar këtë sistem oligarkik”.”Rivendosja e rendit kushtetues është e padiskutueshme. Kushtetuta mbi të gjitha. Mbi kushtetutën vetëm populli”, -thekson Meta.

Presidenti Meta gjithashtu mbajti këtë të premte, siç është bërë zankon i përjavshëm  konferencën për shtyp, ku sqaroi arsyet pse e ktheu për shqyrtim ligjin për Metrologjinë si dhe i kërkoi SPAK-ut të hetojë. Sipas tij, ky shërbim që i takon publikut, jo vetëm i jepet privatit, por i jepet një privati preferencial. Meta listoi pikat kryesore që e bëjnë këtë ligj  të jetë skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror. Ai u ndal gjithashtu tek garantimi i sigurisë shëndetësore të qytetarëve.

Presidenti Meta iu drejtua gazetarëve: “Meqënëse ka patur përpjekje “heroike” për të censuruar në media kthimin për rishqyrtim në Kuvend, nga ana e Presidentit të Republikës, të ligjit nr.126/2020 “Për metrologjinë”, si dhe të njoftimit që i është bërë SPAK-ut për këtë çështje, theksoj sërish rëndësinë jo vetëm të mosmiratimit kurrsesi të një ligji të tillë, që dëmton rëndë të gjithë qytetarët shqiptarë, por njëkohësisht nevojën për të ndjekur penalisht propozuesit dhe hartuesit, të cilët kanë marrë guximin për të çuar në majat më të larta korrupsionin legjislativ.

Në jetën e përditshme, për çdo shërbim, që marrin qytetarët, përballen me mallra që në qarkullimin civil ofrohen përmes sitemit të peshëmatjes, duke filluar që nga karburanti, energjia elektrike, uji, e deri te produktet ushqimore bazë.

Pra shteti, përmes shërbimit metrologjik garanton, që i gjithë sistemi i peshëmatjes të jetëi certifikuar, i kontrolluar, i sigurtë, duke ju ofruar garanci qytetarëve që paguajnë për aq sa marrin si shërbim.

E ndërkohë duke ruajtur interesin publik dhe atë shtetëror, që vjeljen e taksave e mbështet në sasinë reale të mallit që qarkullon.

Ky shërbim i detyrueshëm për çdo subjekt, që ushtron veprimtari në qarkullimin civil të mallrave, është detyrim i shtetit dhe duhet të garantohet vetëm përmes mekanizmave të sigurtë.

Por çfarë ndodh me ligjin e ri “Për metrologjinë”?

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të ri që e koncesionon shërbimin metrologjik tërësisht nga duart e shtetit, në duart e privatit.

Pasi e shqyrtova këtë ligj, konsatova se është një ligj me përmbajtje të lartë dhe të rëndë antikushtetueshmërie, me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues.

Ligji “Për metrologjinë” skemë për qëllime klienteliste

Ky ligj synon të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte private, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror, publik dhe interesit të konsumatorëve.

Përmes këtij ligji, shteti heq dorë nga një shërbim tërësisht publik.

Përmes këtij ligji, Qeveria i propozon Kuvendit që t’i japë me ligj, në mënyrë ekskluzive, të drejtën e verifikimit të të gjitha instrumentave matëse, të hidrokarbureve dhe gazit të lëngshëm, nga një person juridik privat.

Ndërsa të gjitha shërbimet e tjera të verifikimit të instrumenteve matëse ligji thotë se:

“[…] kryhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, që mund t’ua delegojë këtë shërbim personave juridikë privatë.”

 Dhe si bëhet ky delegim?

Bëhet me ndonjë konkurrim?

Bëhet me procedurë transparente ligjore?

Jepet me koncesion apo PPP, sipas ligjit përkatës?

JO!

Nuk mjafton më rregullimi ligjor i PPP-ve dhe koncesioneve, por tani kalohet në PPPP, Partneritet Publik Privat Preferencial!

Kjo formë bashkëpunimi nuk ka pse të kryhet më me tendera e koncesione fiktive, siç është vepruar derimë tani, por bëhet drejtpërdrejt, në kundërshtim me Kushtetutën, përmes një ligji, njësoj siç u veprua me shkatërrimin kriminal të Teatrit Kombëtar.

Kjo është forma më e rëndë e shpërdorimit të procesit legjislativ në Kuvend, që në dekret e kam quajtur “Korrupsion legjislativ”.

E keni dëgjuar shpesh, kohët e fundit, termin “korrupsion legjislativ”. Nuk është një term i shpikur nga Presidenti i Republikës.

Është një term, që shpjegon një proces të tërë të kontrollit paraprak të çdo akti ligjor apo nënligjor, përmes së cilit duhet të verifikohen nëse rregullat e reja, krijojnë hapësira për abuzim me qëllime klienteliste apo korruptive.

Nga verifikimi që Institucioni i Presidentit i ka bërë ligjit, rezulton se, ky ligj:

– shmang në mënyrë të hapur dhe dhunon konkurrencën e lirë;

–  dëmton rëndë interesin publik;

– cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorëve;

–  cenon financat publike;

– krijon shteg për abuzime me të drejtat e konsumatorit në tërësi;

– mbart rrezikun e prodhimit të kostove shtesë për një shërbim, që duhet të kryhej nga shteti;

– ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të paracaktuara private duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues;

– është tregues se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por është i orientuar kryekëput në mbrojtje të oligarkëve të paracaktuar.

 

Jo vetëm kaq, por këto të drejta koncesionare jepen pa negociuar asnjë lloj tarife përfituese për shtetin.

Përmes këtij ligji, sipas përmbajtjes së miratuar, nga nesër çdo shërbim që kërkon certifikimin metrologjik, mund të jepet me koncesion pa garë, por thjesht dhe vetëm me firmën e një drejtori partiak.

Ky shërbim, pasi t’i jepet privatit, nuk mund të kontrollohet dot lehtë as me vendim gjykate, sepse ligji i miratuar thotë se:

Ekspertiza metrologjike konsiston në testim të jashtëzakonshëm dhe matje zyrtare të një instrumenti matës në bazë të një vendimi gjykate, kur rezulton e nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për shërbimet, objekt i këtij ligji.

 Në rastet kur shërbimet, objekt i këtij ligji, kryhen nga persona juridikë privatë, të autorizuar me një nga format e parashikuara në legjislacionin në fuqi, çdo ekspertizë metrologjike do të kryhet nga trupa ndërkombëtare të akredituar.”

Pra, subjektet private që do jenë objekt kontrolli nga çdo “koncesionar” i ri, ose do bëjnë marrëveshje të fshehta me koncesionarin, që duket edhe rruga mëe shkurtër, duke bërë që instrumenti matës të mos jetë më i sigurt, por në kurriz të qytetarëve,ose në të kundërt, e ka të pamundur të rifitojë një të drejtë që mund t`i shkelet nga ky shërbim koncesionar i paracaktuar.

Kjo situatë krijon rrezikun që qytetarët të paguajnë më shumë për sasi, që nuk e marrin realisht.

Për gjithë këto arsye, në mbrojtje të interesit publik, e ktheva këtë ligj dhe ditën e djeshme, njoftova zyrtarisht edhe SPAK-un për nisjen e hetimeve dhe verifikimeve penale të procesit të draftimit, propozimit, shqyrtimit dhe miratimit të ligjit nr. 126/2020 “Për metrologjinë”.

E di shumë mirë se deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe për votën e dhënë në ushtrim të funksionit të tyre.

Por ky parashikim kushtetues, nuk mund të përdoret kurrësesi si një “strehë imunitare” për veprimet e tjera të ndëshkueshme penalisht të kryera nga:

-administrata,

-anëtarët e Qeverisë, dhe

-anëtarët e Kuvendit,

të cilët i paraprijnë apo e bashkëshoqërojnë miratimin e një ligji.

Por për t`izbuluar këto hetime dhe demaskuar qëllimet për të cilat janë kryer nevojitet, që prokuroria SPAK, të veprojë pa asnjë vonesë dhe pa asnjë ndroje.

Nëse kryhet një hetim i plotë, objektiv, i gjithanshëm dhe i shpejtë mund të evidentojë fakte edhe më të rënda, të karakterit penal, jo vetëm në procesin administrativ, por dhe të keqinformimit apo keqformimit të vullnetit të deputetëve të përfshirë në shqyrtimin dhe votimin e kësaj nisme.

Jam i shokuar se si Kuvendi i Shqipërisë në këto kohë kur situata e pandemisë COVID-19 vjen dhe duke u rënduar dhe duke shpërthyer, gjen kohën ky Kuvend të mendojë për të privatizuar shërbimet ndaj konsumatorëve, në duart e oligarkëve të përzgjedhur.

Jam mbi të gjitha i shokuar, se këtu tashmë po përballemi me një situatë ku fenomeni i korrupsionit nuk kryhet më në mënyrën e rëndomtë të marrjes së parave nën dorë për të shtrembëruar vendimmarrjen e një autoriteti publik, por votohet hapur, ditën për diell, një ligj antikushtetues që fenomenin korruptiv kërkon ta kthejë në rregull të ligjshëm.

E ku ka rast më të pastër për t`u hetuar dhe për t’u bërë shembull!

Për të kaluar të çështjen tjetër me shumë rëndësi, që lidhet direkt me shëndetin dhe jetën e qytetarëve, me përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Jam shumë i shqetësuar për numrin gjithmonë në rritje të numrit të të prekurve dhe fatkeqësisht edhe të numrit të personave, të cilët kanë humbur jetën.

Në këto kushte kërkoj marrjen e masave të menjëhershme për të frenuar këtë përhapje masive të COVID-19, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.

Qytetarët duhet të trajtohen me protokolle mjekësore të qarta

Presidenti theksoi dhe njëherë rëndësinë e madhe që ka në popullatë testimi i qytetarëve. Është tepër e domosdoshme, që:

  1. Qytetarët duhet të testohen! Vetëm kështu do të dinë të vërtetën për shëndetin e tyre, por edhe se si të mbrojnë familjarët dhe komunitetin që i rrethon.

 

  1. Qytetarët duhet të trajtohen me protokolle mjekësore të qarta dhe të miratuara, që shëndeti i tyre të mos bëhet objekt improvizimesh, që u dëmtojnë jetën dhe shndërrohen në biznese të shkëlqyera për të tjerët.

 

  1. Duhet garantuar shtrati spitalor për ata qytetarë, të cilët kanë nevojë kur sëmundja ka treguar zhvillime të paparashikuara dhe rreziku i humbjes së jetës është i lartë.

 

  1. Duhet të vihen në punë dhe të sigurohet eficenca në rrethe në shërbimin spitalor dhe parësor në mënyrë që qytetarët ta kenë ndihmën mjekësore sa më pranë banesës duke evituar kështu sorollatjet dhe përkeqësimin e shëndetit prej tyre.

 

  1. Duhet miratuar sa më parë nga qeveria rimbursimi i barnave dhe shërbimeve për të sëmurët me COVID-19, të cilët trajtohen në banesë, pasi shumë prej tyre nuk marrin dot barnat e kërkuara për shkak të pamundësisë ekonomike dhe të varfërisë”, përfundoi Presidenti Ilir Meta.