Qeveria miraton ndryshime në Kodin Penal, shtohen penalitetet

489
Sigal

TIRANE- Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme disa ndryshime në Kodin Penal të cilat do t’i kalojnë për miratim Kuvendit. Në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, prezantoi ndryshimet e miratuara, ndërsa theksoi se ato kanë për qëllim garantimin e sigurisë për qytetarët. Kështu ndryshimet në Kodin Penal, parashikojnë ashpërsim të masave dhe penaliteteve për shkelësit e ligjit që kanë të bëjnë me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, përdorimin e lëndëve plasëse, shitjen e kartave Sim në mënyrë të paautorizuar, dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. “Objektivi kryesor i qeverisë është për të garantuar më shumë siguri, inovacion dhe progres. Sot qeveria me kërkesën e ministrit të Energjisë, dhe ministrit të Brendshëm ka miratuar disa ndryshime në Kodin Penal, që do i shkojnë për miratim Kuvendit, dhe lidhen me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, ashpërsimin e masave që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse, shitjen e kartave Sim në mënyrë të paautorizuar, dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Synojmë parandalimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë për shkelësit.Për ndryshimet në Kodin Penal për vjedhjen e energjisë synon të adresohet ky problem dhe parashikohen masa për shkelësit. Lidhur me lëndët plasëse, vjen si analizë e ekspertëve të ministrisë së brendshme, që ka marrë në shqyrtim përdorim e lëndëve plasëse për qëllim civil; ndryshim në nenet 278 dhe 282 të Kodit Civil 5-8 vjet burg për mbajtje të eksplozivit, dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen trafikohen për qëllime kriminale.Sot u miratua kërkesa për amendimin e nenit 291 të Kodit penal për sigurinë rrugore. Kjo është një nga pikat ë masave të prezantuara bashkë me ministrinë e Transportit për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet”, tha ministri Tahiri.

Paketë ndryshimesh në Kodin Penal, për më shumë siguri, inovacion dhe progres

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e rradhës disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat ashpërsojnë masat ndëshkuese ndaj përdoruesve të lëndëve plasëse, vjedhësve të energjisë elektrike, shitësve të kartave SIM të paautorizuar, ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, si edhe të disiplinohet lëvizja me mjete detare për qëllimi turizmi. Në një komunikim me mediat pas mbledhjes së qeverisë, në selinë e Kryeministrisë, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri deklaroi se përmes këtyre masave, synohet të parandalohen fenomeme shqetësuese për rendin dhe sigurinë dhe të rritet ndëshkueshmëria për gjithë shkelësit.

Prononcimi i ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Ndër vendimet kryesore që janë miratuar sot në qeveri, jam këtu për të veçuar disa prej tyre, të cilat i konsiderojmë më të rëndësishme nga pikëpamja e karakterit të tyre rregullator, disiplinues dhe sanksionues, për një sërë rrethanash që shqetësojnë më së shumti shoqërinë, me objektivin kryesor për të garantuar më shumë siguri për qytetarët shqiptarë, inovacion dhe progres.

Sot, qeveria me kërkesën e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, si dhe me kërkesë të Ministrit të Punëve të Brendshme ka miratuar disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat do t’i shkojnë për miratim Kuvendit sa më shpejt dhe që lidhen kryesisht me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, ashpërsimin e masave dhe dënimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse  dhe shitjen apo  rishitjen e kartave SIM të telefonave në mënyrë të paautorizuar, si dhe për caktimin e kufirit minimal të dënimit për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

Ne synojmë që nëpërmjet këtyre masave në Kodin Penal të ndikojmë fort në parandalimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë për të gjithë shkelësit.

Konkretisht, me propozim të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, ndryshimi i Kodit Penal lidhur me vjedhjen e energjisë elektrike ose impulseve telefonike, që është neni 137 i Kodit Penal, synon të adresojë vjedhjen masive të energjisë elektrike qoftë nga subjekte privatë, qoftë edhe nga sipërmarrës, duke e parashikuar këtë të fundit si rrethanë cilësuese.

MASAT PËR TRAFIKIMIN E LËNDËVE PLASËSE: NË RRETHANA CILËSUESE DERI 20 VJET BURG

Ndryshimet e propozuara nga Ministri i Brendshëm lidhur me lëndët plasëse, referuar edhe shqetësimit publik për këtë çështje, vijnë si analizë e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme që jo vetëm kanë marrë në shqyrtim faktorët kriminalë, por kanë marrë në shqyrtim edhe përdorimin shpesh abuziv për qëllime civile të lëndëve plasëse.

Në këtë kuadër,  kemi propozuar dhe sot qeveria miratoi ndryshimet në Kodin Penal, përkatësisht nenet 278 dhe 282. I pari për përdorimin dhe mbajtjen pa lejë të armëve luftarake dhe municioneve, duke parashikuar që masa e dënimit të shkojë nga 5 vjet deri në 8 vjet burgim dhe në rrethana cilësuese, nga 15 vjet në 20 vjet burgim. Kjo është rrethana kur eksplozivi ose lëndët plasëse mbahen,transportohen, trafikohen për qëllime kriminale.

Ndërkohë kemi propozuar ndryshimin e nenit 282 që është shkelja e rregullave të përdorimit të eksplozivit për qëllime civile. Bëhet fjalë kryesisht për përdorimin në fushën minerare, një sërë aktivitetesh të tjera industriale ku kërkohet përdorimi i eksplozivit. Pas një kontrolli të detjashëm në të gjitha magazinat e mbajtjes së eksplozivit dhe në të gjitha subjektet e licencuara për import dhe për përdorim për qëllime civile të eksplozivit, pas shkeljeve të vërejtura, por edhe pas konstatimit që në Kodin Penal, shkelja e rregullave teknike për mbajtjen, tregtimin dhe përdorimin për qëllime civile të eksplozivit njeh sanksione fare minimale, ne kemi propozuar që sanksionet të bëhen me burg nga 2 deri në 5 vjet dhe në rrethana cilësuese deri në 10 vjet burim.

MASAT PËR SIGURINË RRUGORE: DERI NË 3 VJET BURG, I DEHUR E PA PATENTË

Ndërkohë kemi propozuar edhe amendimin e nenit 291 të Kodit Penal, lidhur me sigurinë rrugore. E kemi bërë publike edhe më parë që është një ndër pikat e paketës së masave që kemi propozuar bashkë me Ministrinë e  Transportit, për të garantuar më shumë siguri rrugore, për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Përkatësisht kemi propozuar që neni 291 të riformulohet duke parashikuar që drejtimi i automjeteve apo i çdo mjeti tjetër të motorizuar në gjendje të dehur apo nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë të dënohet me burgim nga 10 ditë, minimumi, deri në 3 vjet. Ne mendojmë se kjo masë do të ndikojë patjetër në rritjen e sigurisë rrugore për qytetarët, duke garantuar jetën e drejtuesve të automjeteve, por gjithashtu edhe jetën e çdo përdoruesi të rrugës. Ju tashmë e dini se policia që nga tetori e këtej ka ndjekur politikë ashpërsuese lidhur me sanksionet e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, në rastet e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo të drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie apo në zhargon patentë.

Kemi konstatuar që jo me të njëjtin ritëm janë përgjigjur edhe instancat e tjera të dhënies së drejtësisë. Ndaj menduam  si zgjidhje definitive, vënien para kushteve minimale, të parashikuara në Kodin Penal, për dënim e shkelësve të kësaj dispozite, pra, për ata që drejtojnë mjetin pa patentë, në gjendje të dehur apo nën efektin e lëndëve narkotike.

MASAT PËR RISHITJEN E KARTAVE SIM: DERI NË 30 DITË BURG

Ndërkohë, i njëjti dënim, duke filluar me dysheme minimum 15 ditë deri në 30 ditë parashikohet edhe për shitjen apo rishitjen e paautorizuar të kartave SIM telefonike që, siç ju dini, është përfshirë po ashtu në paketën e sigurisë lidhur me një sërë ngjarjesh që kohët e fundit, por në tërësi gjatë këtyre viteve kanë shqetësuar publikun dhe që janë bërë më pas, ndihmës për ngjarje kriminale akoma më të rënda.

E dyta ka të bëjë me qasjen e  ndryshme që ka kjo qeveri lidhur me regjimin e shfrytëzimit të detit. Ju e dini që qeveria e kaluar zgjodhi si instrument kufizimin total të lundrimit për qëllime të shfrytëzimit edhe tregtar, por edhe turistik, të mjeteve lundruese, pra, i famshmi moratorium. Ko qeveri ka një qasje tjetër për të garantuar siguri, inovacion dhe progres.

MASAT PËR DISIPLINIMIN E PËRDORIMIT TË MJETEVE LUNDRUESE

Kjo qeveri nuk rinovon më moratoriumin, por nëpërmjet ndryshimeve të propozuara dhe miratuara sot në qeveri kemi rregulluar, disiplinuar dhe rritur sanksionet lidhur me trafikun detar, veçanërisht për qëllime turistike. Kështu, me ndryshimet e propozuara nga Ministri i Brendshëm, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8663, për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 tonë, kemi propozuar së pari, riklasifikimin e mjeteve lundruese duke përfshirë të gjitha mjetet që përdoren për çdo lloj qëllimi, përfshirë këtu edhe motorët e detit apo edhe mjete të tjera, të cilat deri dje nuk ishin të klasifikuara në ligj. Me anë të këtij riklasifikimi zgjerojmë bazën e mjeteve të cilat do të njohin këtë rregullim, sipas ndryshimit që ne propozojmë në ligj.

Propozojmë gjithashtu, zgjerimin e bazës së aplikueshmërisë së ligjit, duke mos përjashtuar, por duke përfshirë garantimin e sigurisë jo vetëm në brezin detar, por edhe në liqene dhe lumenj dhe gjithashtu, disiplinimin e lundrimit veçanërisht për qëllime turistike, duke parashikuara instrumente inovativë të teknologjisë së lartë për të gjitha mjetet që do të përdorin hapësirën detare për qëllime turistike në Republikës së Shqipërisë, duke parashikuar detyrimin absolut që çdo mjet të pajiset me GPS, ose një pajisje teknologjike e cila lejon lehtë detektimin dhe ndjekjen e rrugës nëpërmjet frekuencave.

Gjithashtu kemi parashikuar kritere absolute lidhur me përdorimin e mjeteve lundruese, mënyrën e përdorimin të tyre për qëllime argëtimi apo sportive, rregullat që kanë të bëjnë me sigurinë  e pushuesve, me sigurinë e lundrimit gjithashtu, në plazhet publike dhe në plazhet jo publike, në bregdet apo në ujërat e brendshme, në thellësi të territorit. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave shpejt do të miratojë edhe një vendim, nëpërmjet të cilit detajohen të gjitha aspektet që sot parashikojmë në ndryshimet e ligjit përkatës, por që me vendimin e Këshillit të Ministrave do të materializohen me masa shumë më konkrete, të cilat teknikisht nuk mund të përfshihen në ligj. Njëkohësisht, në amendimin e ligjit janë përfshirë edhe sanksionet përkatëse për të gjithë ata që thyejnë rregullat e parashikuara, lidhur me mjetet lundruese dhe trafikun e mjeteve lundruese për qëllime argëtimi ose sportive.

Ne mendojmë që kjo qasje është qasja e duhur, jo për të ndaluar tërësisht trafikun detar dhe mjetet lundruese nëpërmjet moratoriumit, siç bëri qeveria e kaluar, por për të disiplinuar përdorimin e mjeteve lundruese edhe për qëllime argëtimi, edhe për qëllime sportive, duke garantuar sigurinë maksimale për qytetarët, për përdoruesit e detit dhe të plazheve, qoftë në bregdet, qoftë në thellësi të territorit, në ujërat e brendshme, duke garantuar siguri, duke garantuar gjithashtu përdorimin e teknologjisë për më shumë siguri dhe padyshim, zhvillim dhe progres në këtë fushë që është mjaft e rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik dhe tregtar të vendit.

MASAT PËR 150 MIJË PASAPORTA ME AFAT VLEFSHMËRIE TË PASAKTË

Çështja tjetër e miratuar sot nga qeveria ka të bëjë me pasaportat. Me të marrë detyrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme konstatuam se në periudhën prill 2009-korrik 2010 janë prodhuar një numër i konsiderueshëm, mbi 150 mijë pasaporta, të cilat kanë afat vlefshmërie të pasaktë. Më duhet të bëj një sqarim, janë pasaporta të vlefshme, por me afat vlefshmërie të pasaktë. Bëhet fjalë për pasaportat e fëmijëve, të cilat sipas ligjit duhet të pajisen me pasaporta 5 vjeçare për shkak të ndryshimeve mjaft të shpejta të karakteristikave fizike të fëmijëve, por që ndërkohë janë pajisur me pasaporta 10 vjeçare. Janë pasaporta të ligjshme për nga pikëpamja  e kritereve formale, por substancialisht janë pasaporta që përmbajnë një afat të parregullt, pra, të paligjshëm.

Me të konstatuar këtë situatë, e cila ka filluar në prill 2009 e ka vazhduar deri në korrik 2010, kemi ngritur një grup pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të bërë evidentimin e saktë të shtetasve, të situatave të mundshme, potenciale, në kufi apo në përdorim të qytetarëve që mbajnë këto pasaporta dhe me qëllim moscenimin e cilësisë së jetës së shtetasve që arsimohen, punojnë apo jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, sepse shumica dërrmuese  e mbajtësve të këtyre pasaportave jetojnë jashtë Shqipërisë, si dhe me qëllim shmangien e kostove eventuale financiare për të riparuar këtë situatë dhe duke qenë se trajtimi i kësaj çështjeje ishte multidisiplinore, u ngrit pranë Kryeministrit, me urdhër të Kryeministrit,  një grup pune i cili e trajtoi këtë çështje në të gjitha aspektet, për të ardhur sot me propozimin e ndryshimeve, të cilat do të lejojnë zgjatjen e afatit me një vit për këto pasaporta. Një vit i cili do të shërbejë për autoritet që të njoftohen qytetarët dhe të bëhet zëvendësimi i pasaportave, të cilat kanë afat të pavlefshëm, pra, kanë afat të paligjshëm.

Ne mendojmë se kjo masë, pavarësisht se duhej korrigjuar nga qeveria e kaluar që në momentin kur u konstatua dhe pavarësisht se duheshin marrë masa nga qeveria e kaluar, për të mos lejuar lëshimin e këtyre pasaportave, ne mendojmë që kjo qeveri ka marrë përgjegjësitë e saj dhe po ushtron përgjegjësitë e saj për t’i garantuar qytetarëve siguri mbi të gjitha, edhe lidhur me dokumentet e tyre të identitetit dhe për të mos i penguar të zhvillojnë cilësisht jetën e tyre, kudo qofshin.

Këto janë vendimet ndër më kryesoret që u miratuan sot në qeveri dhe që ne besojmë do formalizohen me miratimin në parlament, për të garantuar edhe një herë, siguri, inovacion dhe progres. Faleminderit.

Gazetari: Mendoni se këto masa do të ndikojnë në uljen e rasteve të rënda të atentateve me eksploziv, më së fundi të kryetarit të komunës së Farkës dhe mendoni se qasja e re e qeverisë do të donte ndonjë dorëheqje të mundshme mbase tuajën apo në polici?

Ministri Tahiri: Unë mendoj që këto masa të propozuara e të miratuara nga Këshilli i Ministrave adresojnë më së miri çështjet që edhe ju sapo thatë. Kështu që bëtë një pyetje, të cilën unë e tejkalova me shpjegimin që bëra dhe e shoh me vend t’ju ripërgjigjem edhe një herë.