“Qeveria dhe CEZ janë zemra e problemit”

424
Sigal

Ahmetaj, PS: Sistemi elektroenergjetik piramidal, ka borxh 1.2 mld USD

Sekretari për sipërmarrjen në Partinë Socialiste, Arben Ahmetaj, deklaroi sot për mediat se sistemi elektroenergjetik në vend po keqmenaxhohet, dhe është kthyer në një sistem të ri piramidal, siç e quajti ai. “Kemi të bëjmë me keqmenaxhimin e të gjithë sistemit elektroenergjetik që nga prodhuesit e deri tek konsumatorët. Niveli i Fierzës sot është 259 metra, ndodhet në krizë të thellë, nuk ka asnjë mundësi të kontribuojë për prodhimin e energjisë.  Sot, konsumi ditor i vendit është 18 milionë kvvh në ditë dhe vetëm 6 milion kvvh prodhohet në vend.  Kjo do të thotë që do të duhet të vazhdohet me importin e energjisë për 12 milionë kvvh në ditë dhe për shumë e shumë javë që vijnë. Vlera në ditë e importit është 800 mije euro. Kjo do të thotë që KESH është i detyruar të importojë diferencën, sepse CEZ ka kohë që refuzon, apo nuk ka mundësi të importojë diferencën për shkaqe që do ti bëjmë transparente në ditët në vijim. KESH do të detyrohet të marrë sërish borxh, duke thelluar më tej kolapsin e tij financiar. Vetëm muajin e kaluar KESH mori borxh nga bankat e nivelit të dytë edhe 50 milionë euro, me garanci nga buxheti i shtetit, me garanci nga taksat e qytetarëve shqiptar. Ministri i Financave paralajmëroi një borxh të ri në muajt që vijnë prej 100 milionë euro për të importuar energji, thënë ndryshe buxheti i shtetit dhe tatimpaguesit po paguajnë dështimin e qeverisë në menaxhimin e sistemit elektroenergjitik, modelit të tregut dhe burimeve. Sot, borxhi në sistem, ku përfshihen borxhe të ndërsjella të kompanive ndaj njëra tjetrës, borxhe ndaj furnitorëve, borxhe ndaj bankave, borxhe ndaj koncensionarëve, arrijnë në vlerën 1.2 miliardë USD. Një piramidë tjetër që kjo qeveri tenton ti peshojë në kurriz sërish shqiptarëve!!! Qeveria  në njërën anë dhe CEZ në anën tjetër, janë zemra e problemit. Pse CEZ?! Kompania e Shpërndarjes CEZ është kompania fundore, që shpërndan energjinë tek konsumatori, është monopol i trashëguar dhe ka përgjegjësi të arkëtojë detyrimet. Energjia rrjedh nga lart, pra nga prodhimi tek konsumatori dhe pagesat duhet të rrjedhin nga poshtë, pra nga konsumatori në drejtim të prodhuesit nëpërmjet zinxhirit të kompanive. CEZ nuk e ka bërë këtë, nuk ka arritur të zbatojë detyrimet e veta si pjesë fundore e zinxhirit dhe si monopol.  Pse qeveria? Qeveria nuk ka arritur të monitorojë sistemin por përkundrazi jo vetëm që nuk ka bërë punën e vet në menaxhimin e sistemit elektro- energjetik, por ka kaluar barrën mbi konsumatorin shqiptar, mbi qytetarin e zakonshëm, mbi konsumatorin familjar, mbi biznesin shqiptar, si atë të vogël edhe atë të madh. Dua t’ju kujtoj se në 2005 çmimi i energjisë elektrike ishte (afërsisht 5.1 lekë për konsumatorin familjar), sot ai është 9.5 lekë mesatarisht, gati 200% më i shtrenjtë. Çdo qytetar dhe familjar e ka ndjerë këtë gjë në faturat e energjisë elektrike dhe në koston e jetesës. Përgjegjësia është e qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe e askujt tjetër.

Pra:

1.      Sistemi piramidal elektro- energjetik shqiptar shkon në 1.2 miliard USD.

2.      Borxhi i KESH sot shkon mbi 200 milionë EURO.

3.      CEZ, vetëm ndaj KESH sot ka 140 milionë euro borxh.

4.      Qytetarët paguajnë, nga 5.1 që paguanin në 2005, mesatarisht 9.5 lek, pra 200% më shtrenjtë krahasuar me vitin 2005. Në ditët në vijim do të bëjmë transparente atë çfarë e ka sjellë situatën këtu, ku qëndron përgjegjësia dhe si e ka vuajtur dhe e vuan qytetari shqiptar gjithë këtë histori, e cila, pa frikë ka përmasat e skandalit të shekullit.Qeveria dhe CEZ janë zemra e problemit”, komentoi Ahmetaj.  Sipas deputetit të majtë, qeveria nuk ka arritur në menaxhojë dhe monitorojë CEZ, ndërsa ka kaluar përgjegjësinë tek qytetari. Ai shtoi se sot shqiptarët  paguajnë 200% me shtrenjtë energjinë, se në vitin 2005 dhe përgjegjëse për këtë është qeveria”. “Sot sistemi piramidal elektro-energjetik ka akumuluar një borxh prej 1,2 miliardë dollarë”, shtoi ai.