Qeveria bllokon kushtin e Bundestangut/ Loja e Dvoranit, DSIK-ut dhe SHÇBA së Lleshajt po mbajnë peng ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ja faktet

354
Sigal

Loja e Dvoranit, DSIK dhe SHÇBA për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese

Disa të dhëna zyrtare të institucioneve të rivlerësimit, dëshmojnë se një “lojë” e Ardian Dvoranit, si edhe mungesa e vullnetit nga ana e strukturave shtetërore në varësi të kryeministrit Edi Rama, DSIK dhe SHÇBA, duket se janë përgjegjësit  kryesore për vonesat ekstreme në plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka pajisur me certifikatë sigurie të gjithë trupën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vetëm në Shtator 2020, ndërkohë që nevoja për atë dokument kishte lindur që në Shkurt 2020. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk mund të shqyrtonin dokumenta “konfidencialë” dhe “sekret” pa pasur në dispozicion certifikatën e sigurisë. Por, megjithëse ekzistonte ky ngërç, Dvorani, në cilësinë e titullarit të KED-së për pjesën më të madhe të vitit 2020, nuk dorëzoi asnjë kërkesë zyrtare në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Kërkesat për pajisjen e anëtarëve të KED-së me certifikatë sigurie janë dorëzuar pranë DSIK  në Korrik të këtij viti, pas largimit të Ardian Dvoranit. Për 7 nga 8 anëtarët që ishin në detyrë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në Shtator 2020, të cilët janë të gjithë zyrtarë të sistemit të drejtësisë, DSIK kishte dhënë vlerësime pozitive për figurën e tyre gjatë procesit të Vettingut. Ndaj, pajisja e tyre me certifikatë sigurie ishte një procedurë rutinore, e cila mund të kërkonte një impenjim disa-orësh nga DSIK. Por, siç rezulton nga dokumentat zyrtare, DSIK, strukturë në varësinë direkte të kryeministrit Edi Rama, i ka vonuar çertifikatat e sigurisë për një pjesë të anëtarëve të KED-së plot 2 muaj, duke pas-sjellë edhe vonesa në shqyrtimin e kandidaturave për në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria bllokon kushtin e BE-së

Komisioni Europian, në Progres-Raportin për vitin 2020, të publikuar pak ditë më parë, i paraqiti qeverisë shqiptare kushtin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese deri në fund të Dhjetorit, para se të vendoset për hapjen e bisedimeve dhe proceseve të tjera integruese të vendit në Bashkimin Europian. Qeveria shqiptare dhe mazhoranca socialiste, e cila duket se e priste këtë kusht, intensifikoi më herët kërkesën e llogarisë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vakancave në Kushtetuese. Por, përtej qasjes publike, duket se qeveria, nëpërmjet “njerëzve” dhe institucioneve vartëse të saj, ka bërë gjithçka për të vonuar ri-ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Një sinjal të tillë e dha fillimisht kryetarja në detyrë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha. Në një deklaratë zyrtare, të shpallur rreth dy javë para publikimit të këtij shkrimi, Tusha renditi si një ndër arsyet e vonesave në shqyrtimin e kandidaturave, pikërisht mungesën e pajisjes së të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me certifikata sigurie nga DSIK. “Sinjali” i Vitore Tushës ishte një sintezë  me nota shumë të buta e diskutimeve të brendshme në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të zhvilluara në datën 16 shtator 2020. Në atë mbledhje, Tusha ka vënë në dijeni të pranishmit se anëtarët e KED-së tashmë ishin pajisur me certifikata sigurie. “Kemi pasur një problem, përveç meje, zonjës (Fatjona) Memçaj dhe zonjës (Arta) Marku, anëtarët e tjerët nuk kanë qenë të pajisur me certifikatë sigurie dhe janë dashur shumë procedura, të cilat kanë kërkuar kohën e tyre..”, u shpreh Vitore Tusha në atë mbledhje. Për përfaqësuesin e institucionit të Presidencës, Bledar Dervishaj, kjo situatë u vlerësua “shumë e rëndë”, aq më tepër që vonesat kanë ardhur nga DSIK, një institucion në varësi të kryeministrit Edi Rama. “Nëse do të shikojmë relacionet e sejcilit kandidat, përgjigjja ka qenë njëlloj për të gjithë, psh. Altin Binaj, Artan Spahiu… Më 28.02.2019, ka kthyer përgjigje DSIK për verifikimin tyre, ndërkohë që për relatoren dhe anëtarët e Këshillit është mbajtur peng pajisja e tyre me certifikatë sigurie?! Ky është një tjetër fakt që ne si institucion nuk kishim dijeni. Por ai organ (DSIK) varet nga Kryeministri, nuk varet nga Presidenti”,- deklaroi Dervishaj. Dhe në fakt, vonesat për pajisjen e anëtarëve të KED-së me certifikatë sigurie duken të pazakonta, duke mbajtur në konsideratë se thuajse të gjithë, përveç Arjan Qafës, kishin kaluar Vetingun edhe me “bekimin” e DSIK. Siç e përmendi Vitore Tusha, ajo vetë në cilësinë e gjyqtares Kushtetuese, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, si edhe prokurorja e Apelit të Tiranës, ishin pajisur më herët me certifikata sigurie. Ndërkohë, në Korrik 2020, ishin bërë kërkesat zyrtare për pajisjen me çertifikatë sigurie të anëtarëve të tjerë, e konkretisht; gjyqtares Kushtetuese, Fiona Papajorgji, gjyqtarëve të Apelit, Saida Dollani, Miranda Andoni e Arjan Qafa, si edhe prokurorit të Apelit, Ludovik Dodaj. Përveç gjyqtarit Qafa, i cili u shkarkua nga Vetingu të nesërmen e mbledhjes së përmendur në këtë shkrim, të gjithë të tjerët kishin kaluar shkallën e parë të Vetingut dhe DSIK i kishte konsideruar të përshtatshëm për vijimin e detyrës. Pra, duket tërësisht absurde që DSIK të merrte një kohë të gjatë për “printimin” e një çertifikate sigurie në emrin e tyre, përsa kohë i kishte kryer verifikimet më herët dhe kishte konkluduar për pastërtinë e tyre.

“Roli” i SHÇBA-së

Në proces-verbalin e mbledhjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të datës 16 shtator 2020 zbulohet edhe një “problematikë” me vonesat në informacionet e përcjella nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), strukturë në varësi të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Sërish, problemi është konstatuar nga përfaqësuesi i Presidencës. “KED në 30.01.2020 i dërgon shkresë SHÇBA-së të Ministrisë së Brendshme, pra ministrit të Brendshëm, që e ka në varësi direkte SHÇBA-në. Dhe turpi më i madh, qëndron tek fakti që ky autoritet më 09.09.2020 i kthen përgjigje KED-së, kjo për të gjithë kandidatët. Pra, këtu kemi prapë një bllok nga qeveria, ka bllok nga ministri i Brendshëm, SHÇBA-ja. Kështu i bie, se është 9 muaj afati që i është dashur këtij organi (SHÇBA), për një shkrese për t’i thënë KED-së që ky person nuk ka aktivitet kriminal”, -u shpreh Bledar Dervishaj i Presidencës. Pas këtij komenti, ndërhyri Vitore Tusha, e cila shpjegoi se SHÇBA i ka kthyer përgjigje Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që në Shkurt 2020, por se ato dokumenta nuk janë hapur nga relatorja (Miranda Andoni), për shkak se nuk ishte e pajisur në atë kohë me certifikatë sigurie. Megjithatë, shpjegimi i Vitore Tushës mbetet thjesht në kuadrin deklarativ. Pra, pavarësisht shpjegimeve të Vitore Tushës, dokumentat zyrtarë flasin se Ministria e Sandër Lleshajt, ka vonuar plot 9 muaj përgjigjet për verifikimet mbi kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Të gjitha “detajet” proceduriale krijojnë dyshimet e forta se qeveria “Rama”, fillimisht me Ardian Dvoranin dhe më tej me strukturat në varësi të saj, ka bërë gjithçka të jetë e mundur për të rivendosjen në funksionim të Gjykatës së Lartë.