Qeveria anti-sociale nuk rriti ndihmën ekonomike, marrëveshja me Italinë për refugjatët aventurë personale e Rilindjes

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat të mërkurën u ndal në progres raportin e fundit të Këshillit të Evropës për Shqipërinë për të cilin tha se “tregon gjendjen kritike të kapjes së shtetit dhe shpreh se nismat e opozitës po mbahen të bllokuara në parlament, përfshirë edhe ato të Partisë së Lirisë. “Ky konstatim i KE, tregon gjendjen kritike të kapjes së shtetit. Partia e Lirisë përmes deputetëve të saj ka depozituar në parlament projektligjin, që do të përfshinte deputetët dhe do të krijonte një klimë optimale. Ky projektligj mbahet i bllokuar. Qeveria i keqpërdor institucionet. Qeveria shqiptare nuk shihet si një qeverisje që ka angazhimin e duhur për procesin e integrimit në BE. Ajo tregon se ky është një proces i parëndësishëm për të. Progresraporti thekson që korrupsioni është në nivele të larta dhe institucionet janë nën nivelin mesatar për ta luftuar. Një nga faqet më problematike ka të bëjë me lirinë e shprehjes, ka një përparim të kufizuar. Ai konstaton se ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, vazhduan të pengojnë median. Raporti thekson se parlamenti duhet të reformojë kodin zgjedhor” -tha ndër të tjera Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta: “Komisioni Evropian përmes këtij Progres Raporti njeh gjithashtu shqetësimet për keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhjet e 14 majit, duke përfshirë edhe problemet e përmëndura në raportin e ODIHR për zgjedhjet e 14 majit, si shitblerja e votës, keqpërdorimi i administratës shtetërore, presioni ndaj votuesve etj. Raporti thekson se Parlamenti duhet të reformojë menjëherë Kodin Zgjedhor, duke marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për diasporën dhe votën e saj në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme problematika si më sipër të mos cënojnë procesin zgjedhor. Të gjitha këto elemente që përmenda duke ju rikthyer dhe një herë shqetësimit më kryesor që evidentova në fillim që është pikërisht domosdoshmëria e rikthimit të Parlamentit në normalitet, që është jetike për çdo shqiptar, të gjitha këto janë shumë të lidhura së bashku ndaj edhe rivendosja e normalitetit në Kuvend dhe funksionimi i tij sipas Kushtetutës, duke realizuar mbikqyrjen dhe kontrollin ndaj qeverisë dhe duke qenë gjithashtu një garanci për mbështetjen e institucioneve të pavarura, mbetet vendimtare, e në veçanti tre kërkesat kryesore të opozitës. Ajo që ka të bëjë me funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare, sipas kushtetutës. Njëkohësisht ajo që ka të bëjë me zhbllokimin e të gjithë nismave ligjore që ka ndërmarrë opozita, të cilat janë bllokuar qëllimisht nga ana e qeverisë dhe mazhorancës. Dhe njëkohësisht do doja të theksoja edhe një herë, projektligjin që Partia e Lirisë, deputetët e saj kanë paraqitur prej një viti e gjysmë përsa i takon procesit të integrimit europian në mënyrë që ai të jetë më gjithëpërfshirës. Gjithë këto elementë mbeten shumë të rëndësishëm dhe besoj që janë në krye të axhendës së opozitës. Ndërkohë që përveç këtij progres raporti që është konkluzion i një viti të tërë dua të theksoj, rëndësinë edhe një herë tjetër tek buxheti i vitit të ardhshëm, sepse ka përpjekje për të spostuar debatin nga një çështje që prek çdo qytetar të vendit dhe nga një projektbuxhet që ka nevojë për përmirësime thelbësore. Në mënyrë që çdo element pozitiv i rritjes ekonomike të jetë përfshirës dhe të ndjehet nga çdo qytetar në mënyrën më të drejtë. Paketa fiskale 2024, synon të gjenerojë të ardhura shtesë duke rritur barrën fiskale. Për akcizën e duhanit, të tatimit mbi të ardhurat nga profesionet, nga taksa nacionale si dhe nga rritja e taksës së karbonit. Paketa fiskale e propozuar nga qeveria do të ketë vetëm efekte negative për ekonominë, sepse rrit në vazhdimësi barrën fiskale për biznesin dhe për profesionet e lira deri në 23%, por edhe për konsumatorët. Me buxhetin e propozuar, qeveria tregohet anti sociale pasi në sektorë të ndryshëm ajo ul shpenzimet sociale. Nuk ka rritje, për familjet në ndihmë ekonomike dhe as për pagesat e papunësisë. Ndërsa fondi për rritjen e pensioneve për vitin 2024 parashikohet 4.1 miliard lekë ose një rritje 2.1% e fondit të sigurimeve shoqërore, që nuk realizon as indeksimin minimal për nivelin e inflacionit. Gjithashtu, nuk ka të parashikuar asnjë fond për shtresat e familjeve më të varfëra nga rritja e mëtejshme e çmimeve në vitin në vazhdim dhe në vitin 2024. Në të njëjtën kohë shpenzimet për koncesionet, për PPP-të me financim buxhetor rriten në mënyrën më bujare me rreth 136 milionë euro apo mbi 9% për vitin e ardhshëm. Prandaj dhe nuk ka fonde për pensionistët, jo thjesht se është numri i tyre i madh ky është thjesht një justifikim, por nuk ka vullnet për të mbështetur këto shtresa, sepse qëllimi është përfimi dhe korrupsioni tek PPP-të. Një pjesë e madhe të të cilave janë nën hetim dhe kostot e të cilave janë të fryra disafish.”- tha Meta.

Marrëveshja me Italianë për emigrantët, Ilir Meta: Një aventurë personale e Edi Ramës

Sigal

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat tha të mërkurën se marrëveshja me Italinë për qendrat e emigrantëve në Lezhë, është një aventurë personale e kryeministrit Edi Rama që ka zhbërë Parlamentin e Shqipërisë. “Lidhur me marrëveshjen për ngritjen e këtij kampi është tërësisht një marrëveshje problematike, që tregon edhe një herë tjetër që Edi Rama përdor kryeministrinë për të ofruar shërbime të karakterit personal. Kjo është një marrëveshje që bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Së dyti, është shumë e qartë se ajo është një marrëveshje, që krijon probleme të mëdha sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut. Krijon probleme serioze sa i takon sigurisë. Ka sjellë shqetësim jo vetëm në Itali, por edhe në BE. Pra është një aventurë e Ramës dhe nuk është ndonjë ndihmë apo solidaritet për Italinë pavarësisht për ta shitur si të tillë. Pra është një aventurë e radhës dhe tregon se politika e jashtme është në dorën e një njeriu që ka zhbërë Kushtetutën dhe Parlamentin”,- theksoi Meta.