Pyetja e PD: Sa e bleu Cubi pafajësinë, 70 apo 80 mijë euro?

445
Parlamenti votoi të enjten me konsensus të plotë ligjin për dekriminalizimin, si edhe ndryshimet kushtetuese që duhen të bëhen për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj, edhe pse u desh plot një 1 vit që mazhoranca dhe opozita (PD-PS) të gjenin gjuhën e bashkëpunimit, sepse kishin qëndrime diametrikisht të kundërta politike, edhe pse në parim kishin pranuar domosdoshmërinë e dekrimininalizimit. Mirëpo, as mazhoranca, as opozita nuk kanë zbardhur, të paktën publikisht mekanizmin sesi do të funksionojë ky ligj i dekriminalizimit, sesi do të bëhet katharsi i të inkriminuarve nga parlamenti, nga institucionet kushtetuese, nga postet drejtuese në qeveri dhe në administratën publike, apo edhe në postet drejtuese partiake. E vërteta është se të inkriminuarit në parlament dhe në postet drejtuese të shtetit, i kanë “ftuar”, vetë po këta politikanë, që pardje, votuan ligjin e dekriminalizimit, çka do të thotë, që po vetë, këta politikanë, me vullnet “paqësor” do të pastrojnë pisllëkun politik, moral, penal, që prodhuan, për të përfituar burime financiare nga ata, si edhe një tufë votash në zgjedhje, meqë kanë ndikim në zonat e tyre, qoftë me forcën e parave, qoftë edhe si të “fortët” e krahinës, zonës elektorale! Kryeministri Rama, para 2 ditësh deklaroi se në janar, kur do të fillojë të veprojë ligji i dekriminalizimit, do të shikojmë të gjithë, se cilët kanë më shumë të inkriminuar në politikë, duke dhënë edhe një shifër, 19 të inkriminuar në radhët e PD, ndërkohë, që anashkaloi problemin e inkriminimit në qeveri, në mazhorancën parlamentare, si për të dhënë mesazhin, që të inkriminuarit janë vetëm te opozita dhe ligji i dekriminalizimit u votua, për të funksionuar vetëm kundër opozitës. Mirëpo, dje PD ka deklaruar publikisht faktet e para, për persona me rekorde kriminale. 

PD: Pakti me krimin, Rama cakton në krye të PS në Shkodër, një autor vrasje
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, dje ka denoncuar një drejtues të PS në Shkodër, si autor krimi. Alibeaj tha: “Megjithë marrëveshjen e arritur për dekriminalizimin, Edi Rama po vazhdon paktin me krimin, duke inkriminuar të gjitha hapësirat që nuk i mbulon dot ligji. Ai ka emëruar në krye të PS në Shkodër, një bandit të njohur, një autor vrasje, Martin CubiN, i cili kur ishte kryetar komune, me 27 prill të vitit 2009, ka vrarë një shtetas. Ky person problematik, njihet nga të gjithë për aktivitetin kriminal dhe për rrezikshmërinë shoqërore që paraqet. Pakti me krimin, është i vetmi që ka mbajtur deri tani, pasi ka shkelur çdo kontratë e çdo premtim me qytetarët e vendit. Sfida që i bën Edi Rama dekriminalizimit, kërkesës dhe nevojës urgjente për t’u ndarë nga sundimi i krimit, është e sigurtë që do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët, të majtë e të djathtë, pa dallim. 

PS mbron Cubin e Shkodrës: Ishte viktimë, qëlloi për vetëmbrojtje 
PS ka marrë në mbrojtje socialistin e saj të Shkodrës, Martin Cubin, pas akuzave të PD-së, se ka emëruar në krye të degës atje një bandit, një vrasës. PS-ja njoftoi se Martin Cubi nuk ishte kryetar i PS-së Shkodër, por koordinator i saj. Po ashtu, vuri në dukje se Martin Cubi ishte i pafajshëm, pasi ai nuk ishte agresori, por viktima e një sulmi që u bë mbi të në vitin 2009, kur drejtonte komunën Pult. Nga sulmi ndaj tij, ku ai dhe u plagos, Cubi është detyruar të mbrohet me armën që kishte me leje. 

3 pyetja e PD: Sa e bleu Cubi pafajësinë, 70 apo 80 mijë euro?
Partia Demokratike bëri 3 pyetje për kryeministrin Edi Rama, pasi ky doli në mbrojtje të Martin Cubit. Duke lënë të kuptohet, se Cubi pagoi gjykatën për t’u shpallur i pafajshëm, demokratët pyesin:
1) Përse zgjodhe t’i përfaqësosh socialistët e ndershëm të Shkodrës me një person të mirënjohur si problematik e që ka kryer me dorën e tij një vrasje, ndërsa ai mund të ishte një mjek, një inxhinier, një jurist, profesor, një mësues apo një person me integritet që këtij qyteti nuk i mungojnë?
2) A keni dijeni së vëllai i madh i Cubit që i keni besuar partinë në Shkodër ka vrarë një sportist në këtë qytet dhe vëllai i vogël ka vrarë dhe e kanë vrarë?
3) Meqë e keni kaq përzemër Cubin, a mund t’i thoni publikut z. Rama, me çfarë shume e bleu ai pafajësinë pas vrasjes, me 70 mijë apo me 80 mijë euro?
Prefekti i Lezhës, nën akuzë për vjedhje
Prefekti i Lezhës, Altin Jaku është vënë nën akuzë për vjedhje. I komanduari i PS në këtë detyrë akuzohet se në kohën kur drejtonte degën e një banke të nivelit të dytë në qytetin e Lezhës, ka vjedhur 30 milionë lekë të rinj. Sipas hetimeve, ai rezulton se ka zeruar dy llogari bankare me anë të disa veprimeve antiligjore. Jaku është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Prefekturës së Lezhës dhe në postin e Prefektit është i komanduar.
Kush janë kryebashkiakët, që mund të largohen pas dekriminalizimit
Elvis Roshi është kryebashkiaku socialist në Kavajë, më i lakuar nga opozita si person me të shkuar kriminale. Në emër të dekriminalizimit të politikës dhe institucioneve, opozita kërkoi që në fillim të këtij viti që ai të mos rikandidonte për postin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. U përfol, se u kërkua që emri i tij të hiqej nga lista edhe nga ambasada e SHBA dhe ajo e BE. Kryeministri Rama i doli në mbrojtje publikisht, duke thënë se s’kishte asnjë vendim gjykate që të provonte se ishte i dënuar. Elvis Roshi pranoi vetë e më pas edhe Rama se ai kishte patur probleme në Itali si emigrant i paligjshëm dhe e kishte ndryshuar emrin nga Ervin në Elvis. Një tjetër kryetar bashkie rrezikon ta humbasë mandatin. Xhelal Mziu, i rizgjedhur në Bashkinë e Kamzës, u dënua më 10 prill të këtij viti me dy muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Thuajse aq herë që mazhoranca është akuzuar, se po kandidonte persona të inkriminuar në zgjedhjet vendore, ajo ka përdorur si kundërargument “çështjen Mziu”. Mziu e ka apeluar çështjen, por ligji për dekriminalizimin e përcakton qartë rastin e tij, në nenin 1 të ligjit të dekriminalizimit. 
Sigal