PS mbledh sot Asamblenë e Përgjithshme, kurse Apeli ndan fatin e opozitës së demokratëve dhe vulëhumburve

51

Socialistët do të mbledhin të martën Asamblenë Kombëtare të Partisë. Ky është takimi i katërt që mbahet brenda këtij viti, ndërsa fokusi do të jetë tek riorganizimi i brendshëm. Punimet do të nisin me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, ndërsa do të miratohet edhe vendimi për thirrjen e kongresit të partisë.

Sigal

 Për të katërtën herë brenda këtij viti socialistët do të mbajnë asamblenë kombëtare me fokus tek riorganizimi i brendshëm dhe energjizimi i partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mbledhja, e cila do të zhvillohet online do të nisë pasditen e 11 qershorit në orën 17:00 me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili pritet t’u lërë porositë e tij anëtarëve të asamblesë kur ndajnë më pak se 1 vit nga zgjedhjet e 2025-ës.

Në tre mbledhjet e kaluara, të zhvilluara në muajin shkurt dhe mars, Rama ka kërkuar më shumë angazhim në terren nga anëtarët e asamblesë dhe rritje të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale. Pas tij, fjalën pritet ta marrë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, i cili do të raportojë për ecurinë e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme brenda partisë.

Gjatë punimeve të asamblesë do të miratohet edhe projektvendimi për thirrjen e Kongresit të Partisë Socialiste, i cili është edhe organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike, i cili pritet të mblidhet gjatë muajit korrik. Në punimet e kongresit të ardhshëm do të zgjidhet asambleja e re e partisë socialiste, për të përfunduar kështu procesin zgjedhor brenda kësaj force politike. Asambleja miraton gjithashtu kandidatët për anëtarë të Asamblesë Kombëtare të re që do të zgjidhet nga Kongresi si edhe për anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore e Etikës së PS-së.