PS e Elbasanit do të shkrihet, ja arsyet

438
Dega e PS në Elbasan, (qytet dhe fshat) nuk ka qenë bashkëpunuese në fushatën elektorale të 21 qershorit, dhe jo vetëm ka qenë apatike, mosvepruese, por edhe inekzistente. Shumica e kryesisë, organizatat dhe drejtuesit e saj kanë qenë thuajse sehirxhinjë në fushatën 21 qershorit 2015, gjë e cila ka ardhur si pasojë e konflikteve të vjetra dhe ndarjes klanore qysh nga 23 qershori 2013. Kjo ka bërë që dega e PS në qytetin që në dy fushatat e fundit ka votuar me shumicë majtas (jo për shkak të drejtuesve lokalë) të marrë kritika të ashpra nga Sejdini në pozicionin e anëtarit të kryesisë qëndrore, dhe së fundi edhe nga Rama dhe shumica e deputetëve të majtë të këtij qarku. 
Qazim Sejdini fitoi pa mbështetjen e krerëve të PS në Elbasan
Qazim Sejdini edhe në këtë fushatë doli i vetëm, fitoi i vetëm, jo me kontributet e degës dhe drejtuesve të PS lokale. Por ndër arsyet kryesore pse dega e PS në Elbasan do të “shkrihet” për t’u ngritur e reja, janë, largimi masiv i militantëve drejt LSI, format dhe metodat autoritare dhe propotente ndaj anëtarësisë, sjellja aspak e pranueshme ndaj drejtuesve të organizatave në lagje dhe zona, punësimet selektive dhe korruptive, ndikimet negative që kanë sjellë shpesh emërimet nepotike në institucionet e shtetit, ndikimet negative që kanë sjellë përçarjen në grupin e deputetëve socialistë të qarkut, si dhe rekomandimet negative të vetë kreut të Bashkisë, apo edhe Prefektit të Qarkut. Elbasani mbetet një Bashki e madhe, me një shtrirje gjeografike dhe numër popullsie të rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndaj dhe nevoja e organizimit dhe funksionimit të strukturave dhe degës PS kërkon elementë të rinj, energjikë, organizativë, novatorë të ideve në dobi të perfeksionimit të punës me militantët dhe anëtarësinë. 
Socialistët në Elbasan gjejnë mbështetje dhe zgjidhjet e halleve te LSI
Të gjitha këto, si dhe bashkëpunimi me krerët e institucioneve të pushtetit vendor në Elbasan kanë munguar, duke sjellë firo të dukshme dhe turrjen e shumë militantëve drejt LSI. Ata e shohin partinë e Metës, si shpresën e tyre për punësimin, sistemimin dhe zgjidhjen e halleve dhe problemeve, shohin se edhe deputetët e LSI u gjenden më pranë dhe janë gjithmonë të gatshëm, por dhe me vizion ndryshe në orientimin e politikave që do të sillte pushtet të mirë, dhe jo të përfolur, duke i ofruar ata dhe jo duke i larguar. Asnjëherë më shumë se tani, dega e PS në Elbasan nuk ka përjetuar asfiksi të tillë, shpërbërje të strukturave, dhe futjen e frymës së përçarjes mes anëtarëve, militantëve të saj, dhe atyre që përfituan poste pas 23 qershorit 2013, krijimin e klaneve me armiqësi të pashtershme ndaj njëri-tjetrit. 
Emergjencë rindërtimi i strukturave të PS
Ringritjen e strukturave të degës PS e kanë kërkuar prej afro 1 viti edhe deputetët socialistë të Elbasanit, pasi ata prej 18 muajsh nuk mblidhen dhe nuk takohen qoftë edhe njëherë ( si më parë) në selinë lokale, e cila ka nisur të ndryshket nga jashtë dhe nga brënda. Shumë anëtarë dhe militantë socialistë shprehen për gazetën “Telegraf” se “në rast se nuk ndryshojnë drejtuesit e degës, në 2017 ne humbim thellë, dhe LSI del forcë e pare, pasi të gjithë po turren drejt saj. Kjo u vërtetua qartë edhe në 21 qershor, ku Qazim Sejdini fitoi si individ dhe jo se kishte mbështetjen dhe ndikimin e PS në këtë qytet”. Kjo situate, e cila i është raportuar Ramës nga deputetët e tij më të afërt, e ka ndezur keq zemërimin e tij, ndaj dhe ka vendosur që pas mbledhjes së Asamblesë në mesin e muajit korrik, me të parën gjë që do të merret në shtator do të jetë dega e PS Elbasan. Por krahas kësaj situate, duket se është menduar edhe për emrat e rinj, që mund të jenë krerët e degës PS në qytet dhe fshat. Ata janë dy femra, të cilat mbajnë postet e drejtoreshave në dy institucionet e shtetit në Elbasan, të vlerësuara nga deputetët si kontribueset e fushatës së Sejdinit, dhe si premtueset e padiskutueshme për ringritjen e autoritetit dhe strukturave socialiste në bazën socialiste të këtij qarku. Qysh në mandatin e parë e Majta në Elbasan (ndryshe nga PD që shkërrmoqjen e nisi në 2009) tregoi se ka probleme që më së shumti po shfaqen habitshëm të akumuluara tek dega e PS, e cila edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, tregoi se ishte fajtore për pakicën e votave për Këshillin Bashkiak. E ndërsa PS lokale, mbetet e asfiksuar dhe inekzistente, duket se LSI ka arritur të formojë shumicën, të marrë kryetarin e Këshillit Bashkiak, nënkryetarin e ri të Bashkisë, dhe pritet të kërkojë edhe poste të tjera të rëndësishme drejtorësh. Ndoshta riorganizimi urgjent i strukturave të degës nga Rama synon pikërisht këtë, ndaljen e largimeve masive dhe rikthimin e besimit tek kjo forcë politike, e cila gjithsesi mbetet larg standardeve dhe treguesve të saj politikë të para 23 qershorit 2013. 
Sigal