Nishani në Mal të Zi: Zgjidhja e statusit të Tuzit, hapësirë zhvillimi

526
TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani zhvillon sot një vizitë shtetërore në Malin e Zi me ftesë të homologut të tij, Filip Vujanoviç. Sipas një njoftimi të Presidencës, Nishani dhe Vujanoviç, biseduan dhe shkëmbyen mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal, evropian, por edhe global.
Nga ana e tij, Nishani i vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi si marrëdhënie shumë të mira e miqësore, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta.
Presidenti Nishani i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe çështjeve të pakicave kombëtare, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të dy vendet tona si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie.
Presidenti theksoi se dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton Kushtetuta dhe kuadri ligjor i të dy vendeve, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
“Zgjidhja përfundimtare e statusit të Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë.
“Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin rajonal si dhe kontributin e qenësishëm që të dy vendet po japin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon”- u shpreh Kreu i Shtetit.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan pjesëmarrjen aktive të të dy vendeve në organizatat dhe iniciativat rajonale dhe shprehën mbështetjen për nxitjen dhe forcimin e tyre të mëtejshëm. 
Sigal