Programi i qeverisë ose “Horoskopi 2017-2021”?!

794
Përparim HALILI
Punët e 4 viteve të mandatit të parë, ishin vendime dhe veprime pasurimi për shtetarët, këto 4 vite do të punohet për popullin
Qeveria shqiptare vetë e hartoi, vetë e propagandoi, vetë e falenderoi, vetë e bekoi, vetë e miratoi edhe programin 2017-2021. “Rilindja” paraqiti një program qeverisës, brenda të cilit mungon mendimi i votuesve që i dhanë të drejtën të qeverisë. Në faqet e tij, mungon fjala e ekspertëve dhe e grupeve të interesit. Mungojnë interesat komuniteteve të ndryshme, të cilët prej 25 vitesh janë lënë jashtë “planeve” qeverisëse”, duke u shpërfillur e denigruar edhe për shkak të ngjyrës, të varfërisë, të statusit familjar, të paaftësive fizike, të mungesës së lidhjeve familjare e shoqërore me familjet dhe klasën politike-shtetërore e deri, për shkak të dallimit klasor politik në vazhdimësi qysh prej 45 viteve të ish-diktaturës, siç janë shtresa e ish-të dënuarve politikë dhe e ish-pronarëve! Buletini “Qeverisja Rilindja 2017-2021”, që u paraqit për debat në parlament quhet “program”, por brenda tij nuk ka “asnjë gramë” interesa sociale të argumentuara. Nuk ka asnjë projekt ekonomik të shoqëruar me sektorët konkretë, me linjat e zbatimit, me strategjitë kombëtare e rajonale apo më gjerë dhe asnjë informacion mbi burimet e realizimit në terren! Nuk ka asnjë linjë zhvillimi afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë, për sektorët ekonomik që vendi i ka në emergjencë e pritmëri. Por ka premtime të përsëritura edhe nga programet qeverisëse të këtyre 25 viteve, të cilat nuk janë realizuar! Vetëm në Shqipëri ndodh, që qeveria të përcaktoj asfaltim rrugësh, hapje kanalesh, shtim të kohës së furnizimit me ujë, lyerje spitalesh, shtim kuote ushqimore në azilet e pleqve dhe zbatim orari dhe ndezje kondicionerësh në autobusët urbanë! Nga gjithë programet e qeverive të botës, vetëm në programin e qeverisës të “Rilindjes”, thuhet se si do funksionojnë administrata, se çfarë etike do përdorin ministrat, se sa herë në ditë e në javë do t’ua hapin telefonin deputetëve e sa herë do t’u mbyllin derën sekserëve! Për nga informacioni që përmban ky program, mund të thuhet se ai ngjason me një “udhëzues lavatriçeje”, pra se si qeveria “Rilindja-2” do të “lajë” të ardhurat nga prodhimi i brendshëm bruto, nëpërmjet vazhdimit të koncesioneve me taksat publike, si do të menazhojë borxhet që do të lypë nëpër botë! Por nuk jep asnjë shpjegim, se çfarë zgjidhjesh do të realizojë ajo në 4 vitet e mandatit të dytë! Madje, mandati i dytë i qeverisjes “mavi”, duket më “mavri” se mandati i parë, mbasi në të parin kishte shumë premtime konkrete, paçka se nuk u bënë realitet, për shkak se rezultuan si “burime pasurimi” për shtetarët që në vend të tundin e shkundin kokën, lëkundin “menderen” kur flasin nëpër podiume, duke u përbetuar se në këto 4 vite do punojnë për të zgjidhur hallet e popullit! Të bën përshtypje fakti, që ky program nuk ka as premtime si programi i 4 viteve më parë që rezultoi një dosje bosh, dorëzuar ish-presidentit Mejdani në Kongresin e PS. Por ka vetëm parashikime, duke i thënë popullit, se priten të bëhen “mrekullitë që nuk u bënë në mandatin e kaluar”! Kur lexon këtë program pa program, të krijohet përshtypja sikur po lexon “Horoskopin 4-vjeçar”, kur duhet të jetë platformë qeverisëse konkrete, me detyrime e përgjegjësi sociale ndaj popullit, por edhe me zgjidhje për integrimin e vendit. Nuk ka asnjë grimcë bindjeje, se në 4 vitet e mandatit që ka nisur, do të ketë zhvillim apo ndryshim situate, në këtë vend të lënë në fund të listës së vendeve të Evropës e Rajonit në paga, punësim, pensione, ndihmë ekonomike, mungesë minimumi jetik, varfëri, punë e zezë, shëndetësi të shkallmuar e të munguar, çmime të larta, treg informal, pasiguri ushqimore, analfabetizëm, të drejta sociale të munguara, mos përfaqësim në vendimmarrjen qeverisëse. Nuk ka asnjë argument që të japë shpresë, se ky vend nuk do të jetë më në krye të listës për trafikun e drogës, për krimin e organizuar, për pastrimin miliardave të pista, për monopolet në ekonomi e shërbime, për pasigurinë e bizneseve, për grabitjen e pronave, për dhunimin e grave, për largimin masiv nga vendi, për lidhje të kupolës politike shtetërore me botën e krimit! As programet e qeverive të Ugandës, Somalisë e Taxhikistanit nuk kanë demagogjinë e programit qeverisës të “Rilindjes-2”, ku flitet me parashikime e jo me projekte konkrete, ku bëhet propagandë e nuk ofrohen zgjidhje! Në këtë program, nuk ka asnjë projekt zhvillimor ose social, që të këtë një afat të paracaktuar me plus-minus ditë, javë, muaj. Nuk ka një platformë, një tregues konkret efektshmërie mbi banorët, komunitetet, grupet e interesit, ekonominë dhe financat kombëtare, mbi sektorët prioritarë e strategjikë, por vetëm flitet në përgjithësi, tipik si në programet e OJF-ve! Edhe piknikët kanë programe më të detajuara! Për nga struktura e hartimit dhe paraqitjes që iu bë në parlament, mund të thuhet se ky nuk është “Program i qeverisë”, por “Horoskopi 2017-2021”, që për çdo sektor e komunitet (shenjë), parashikon ëndrra që do bien nga… qielli! 
Program qeverie, apo horoskop?
Qeveria na krijoi përshtypjen sikur nuk lexoi një program social ekonomik e integrues për në BE, por parashikimin e horoskopit për çdo shenjë (sektor e shtresa sociale), duke folur me terma e gjuhë të tillë! Ja më konkretisht: 

1. Në 4 vitet që vijnë, parashikohet rritja ekonomike në masën 5.5 për qind e PBB 
2. Specialistët e qeverisë, thonë se në 4 vitet që vijnë, do kemi ulje të Borxhit Publik nën 60 për qind të PBB
3. Parashikimet tona, thonë se brenda vitit të parë të mandatit të dytë, do të kemi vazhdimin e financimit të investimeve publike në rreth 5% të PBB-së. 
4. Për shkak të rritjes ekonomike, parashikohet që krijohen 220 mijë vende të reja pune në sektorët bazë shërbimeve publike.
5. Parashikimet e rritjes ekonomike, do të mundësojnë uljen e papunësisë nën shifrën 8.2%. madje edhe më poshtë!
6. Koordinimi i zhvillimeve mes sektorëve të punësimit dhe rritjes ekonomike, parashikon që rritja e të ardhurave të disponueshme për popullatën, të jetë 4-25%. 
7. Për të gjithë ata që do mbeten në administratën dhe shërbimet publike, parashikohet rritje 40% e pagave, ku më të privilegjuar do jenë punonjësit a arsimit dhe shëndetësisë! 
8. Një lajm i mirë favorizon edhe rritjen e pagave minimale, të cilat parashikohen të bëhen 30 mijë lekë në muaj.
9. Edhe pensionistët e lënë jashtë vëmendjes në 4 vitet që kaluan, parashikohet që në çdo fund-viti, të favorizohen me 10 mijë lekë, fond solidaritet qeveritar!
Politikat fiskale synojnë ngushtimin e pabarazisë në harmoni me nxitjen e rritjes ekonomike. 
10. Një lajm i mirë do të zgjojë ëndrrat e familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, për të cilët ka shenja se do të bëhet ulje e interesave të kredive bankare! 
11. Në 4 vitet që vijnë, nuk do të mbeten jashtë vëmendjes, as gratë dhe vajzat, për të cilat parashikohet të jepen paga të njëjta me burrat.
12. Gratë e popullit dhe ato rome e egjiptiane që janë pa punë, parashikohet të kenë ofertën e qeverisë për t’u punësuar pastruese në çerdhe, kopshte, për invalidë, për persona të sëmurë e të braktisur të Moshës së Tretë. invalidë.
12. Edhe të rinjtë, në 4 vitet që vijnë mendohet të gjenden përballë një mundësi punësimi nëpërmjet programeve “Start-up”.
13. Lajm të mirë ka edhe për shqiptarët që trajtohen me ndihmë ekonomike, të cilët pritet të punësohen me orë dhe me ditë në shërbime publike.
14. Në 4 vitet që vijnë, 100% e tokave shqiptare, mendohet të mbulohen me ujë prej vaditjes, por mund të ndodhë edhe prej përmbytjes.
15. Në 4 vite që vijnë, parashikohet të ndërtohen 140 shkolla të reja, si dhuratë nga qeveria, kjo e favorizuar prej rritjes ekonomike.
16. Ndryshe nga parashikimi i 4 viteve më parë për shëndetësi falas, e cila nuk rezultoi konkrete për shkak të koncesioneve, në këto 4 vite parashikohet një shëndetësi solidare deri në vitin 2021, kur do të arrihet ëndrra e shëndetësisë falas!
17. Edhe ata, që prej 12 vitesh po jetojnë me ëndrrën e marrjes së tapive të shtëpive ilegale, parashikohet të ëndërrojnë e presin edhe 4 vite të tjera, deri sa të marrin tapitë! 
18, Të dhënat e deritanishme, ofrojnë një klime të re favorizuese për biznesin, duke i shpëtuar nga korrupsioni i grabitqarëve të shtetit.
19. Një projekt “1 miliard” po i afrohet mirëqenies së shqiptarëve, parashikohet të zbatohet në fund të 4 viteve. 
20. Parashikohet, që në 4 vitet mandatit të dytë, ministrat t’i japin fund korrupsionit me taksat e shqiptarëve.
Sigal