Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, të cilët kanë përfunduar kursin e kodimit për nismën Shqipëria Digjitale.
Rama cilëson se qëllimi i programeve të tilla është nxitja e aftësive digjitale dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës në të ardhmen. Sipas tij, për programin e kodimit kanë aplikuar mbi 7000 të interesuar.
“Ne e kemi nisur në fillim nga zero dhe pikërisht në fillim problemi kryesor ishte informimi dhe sqarimi i të rinjve mbi të mirat dhe dobitë e një eksperience të tillë. Por, nuk u desh shumë kohë për të parë një bum aplikimesh, mbi 7000 aplikime në e-albania. Gjë që na ka inkurajuar që të shohim përtej këtij programi dhe të gjejmë se si të shtojmë numrin e rrugëve për të aksesuar teknologjinë”, tha Rama.
Duke u ndalur tek digjitalizimi i shkollave dhe prania e laboratorëve inteligjentë, kryeministri tha se ka ndihmuar që fëmijët të mund të kuptojnë më shumë mbi botën e teknologjisë që në klasë të parë.
“Kemi sistemin e laboratorëve inteligjentë. Sot janë 340 mos gabohem, shkolla që kanë laboratorë inteligjentë, ku fëmijët që në klasë të parë, fillojnë marrin nocionet e para të teknologjisë dhe të kodimit. Plani është që laboratori inteligjent të shkojnë në 1000, praktikisht të mbulohen të gjitha shkollat dhe është një plan i financuar tanimë”, shprehet Rama.
Për të vijuar më tej me investimet teknologjike në vend, Rama gjithashtu u ndal e tek “Shkolla 42”. Kreu i qeverisë u shpreh se tek Piramida do të zhvillohet “Samiti i Komunitetit Politik Evropian”, teksa tha se së bashku me Presidentin Emmanuel Macron, do të çelin strukturën e “Shkollës 42”. Rama shtoi se kjo shkollë do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë ata që duan të ndryshojnë profilin profesional e duan t’i futen teknologjisë.
“Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e Majit, do bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian. Është planifikuar që së bashku me Presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë. Është tanimë gati, ngjitur këtu. Është një strukturë shumë e njohur në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale. Quhet “Shkolla 42”, që do u jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, background akademik, shkolës që kanë kryer, që të konkurojnë për të hyrë në atë shkollë. E me një program shumë specifik dhe më inovativ të gjithë këtyre njerëzve u jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë edhe faktikisht ka rezultuar një eksperiencë e jashtëzakonshme, pasi u ka dhënë shumë mundësi njerëzve të mbetur në kushte vulnerabiliteti, për shkak të papunësisë, ose për shkak të humbjes së vendit të punës, të mosgjetjes më vend në një profesion të caktuar, që të ndryshojë tërësisht profil e të adaptohen me botën e re“, tha Rama.