Ekskluzive për Telegraf me Prof.Dr.Zamira Çavo
Intervistoi Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës Telegraf
Qëkur politika është shndërruar në profesion, politikanët kanë si qëllim fitimin maksimal ndaj nga demokracitë kanë lulëzuar diktaturat dhe nga liritë e pa kufi kanë lulëzuar tiranitë!
Pas një mungese të gjatë në media, Telegraf.al, sjell në faqet e saj për publikun shqiptar, intelektualët dhe politikanët, një nga personalitetet e botës akademike, Prof.Dr.Zamira Çavo. Profesorja e nderuar analizon rolin e medias në ndërgjegjësimin qytetar, pse antivlerat po zënë më shumë hapsirë duke çoroditur publikun me idiotësitë e tyre: a bën pjesë media tek oligarkia dhe plumbat mbi Top-Channel? Arrestimet e ministrave, miliarderët e investimeve strategjike dhe skandali McGonigal, analfabetët funksionalë që po zaptojnë administratën publike dhe a është kthyer Drejtësia shqiptare në “laborator eksperimental”? Zgjedhjet e 14 Majit dhe gjykimi për opozitën shqiptare me dhe pa vulë, në këto zgjedhje? Ja intervista e plotë dhënë për gazetën Telegraf.
“Demokracia ecën përpara vetëm kur nuk përsërit gabimet e së shkuarës. Ndaj çdo pretendim për të rikthyer të vjetrën politike është vujatje e stërgjatur e popullit. Puna është se a jemi të gatshëm të zëvëndësojmë këtë elitë politike me njërëz të rinj?”
Prof. ÇAVO , bashkëbisedojmë sërisht pas një mungese të gjatë të pranisë suaj në media. Kishte ndonjë arsye parimore, apo… refleksion ndaj medias?!
Ka momente kur njeriut i duhet të kthejë vështrimin nga vetja për të reflektuar mbi gjithcka e rrethon. Ndaj për një periudhë kohore vendosa ti qëndroj larg medias me synim studimin e ftohtë të ngjarjeve dhe reflektimeve mediatike. Dyshimet që kam patur për mjaft dukuri sot i kam bindje të argumentuara. Dhe natyrisht e para mbetet media. Tashmë jam plotësisht e bindur se në përgjithësi media shqiptare dhe në veçanti ajo vizive është përgjegjëse madhore e situatës depresive që mbizotëron sot në vend. Ndaj unë kam gjithë argumentet për ta akuzuar një pjesë të medias për:
- a) Krijimin e një kaste “mamlukësh” televiziv që po gëzojnë në mënyrë hedonistike gjithë privilegjet që ju jep pozita e tyre mediatike me pagat e majme dhe luksin shfrenues, pa patur as më të voglën përgjegjësi për punën që bëjnë! Kjo kastë “mamlukësh” me emisionet e tyre tallava, me mungesën e lartë të profesionalizmit dhe qytetarisë, nuk mund të bëjnë më shumë se sa një tallje të rëndomtë me publikun fatkeq.
- b) Unë akuzoj median në përgjithësi për frymën shkatërruese të besimit në opinionin publik. Sot njerëzit nuk i besojnë më askujt asgjëje dhe për rrjedhojë asnjë lajm nuk i trondit më! Janë në paralizë tërësore! Duke nxirë gjithçka e këdo, duke mos dhënë asnjë sinjal pozitiv kanë krijuar një opinion publik tërësisht të depresuar! Kam parë drejtues emisionesh që iu drejtohen njerëzve me fjalitë – “Ikni sa më shpejt nga ky vend” se këtu çdo gjë ka marrë fund! Ndaj kjo lloj medie nuk ka asnjë të drejtë morale t’i kërkojë politikës llogari pse ikin njerëzit!
- c) Unë akuzoj se kjo media ka shërbyer për të shkatërruar çdo vlerë, e ka ngritur në vlerë antivlerën. Më kanë pyetur këto ditë studentët për Big Bradhërin që ka patur kaq shumë ndikim. Dhe ju them me bindje të plotë: Lodhja që media i ka shkaktuar opinionit publik me mbajtjen e krahëve të politikës, e ka bërë këtë opinion të kërkojë krahë të tjerë për të çliruar adrenalinën e emocioneve të veta. Dhe sërish media e gjeti ilaçin me Big Bradhërin! Një shoë që nuk ka asnjë vlerë, përveçse mbajtjen pranë ekranit të mëndjeve të lodhura dhe mundësinë e pafundme të fitimit për ata që e organizojnë!
“Kam keqardhjen më të madhe për Opozitën! Dhe nuk jam gabuar kur me kohë kam thënë se me këtë opozitë diktatura është në prag të derës! Kjo situatë e krijuar me opozitën i jep mundësi maxhorancës të bëjë “pazarin” e ditës me krerët e saj…”
Dhe për këtë situatë ju akuzoni edhe median ?
Po! Dy janë arsyet që unë drejtoj gishtin ndaj medias, për të cilën pse jo, edhe e akuzoj atë!
- a) E akuzoj median, sepse e kanë zhytur opinionin publik në llumin e thashethemeve të këtij fshati të vogël që quhet Shqipëri dhe asnjëherë nuk flet për çka bëhet në Fshatin e madh që quhet Botë! Duket sikur në këtë botë jetojmë vetëm NE dhe s’ka as luftra as armë bërthamore as thatësirë e as kriza ekonomike!
- b) Unë akuzoj , se media vetë ka vrarë fjalën e lirë duke mbajtur anët e politikës dhe duke akuzuar njëra tjetrën për mashtrime dhe shantazhe!
“Edukimin e bën arsimi, media dhe natyrisht edhe politika. Të gjithë këta faktorë e kanë çuar shoqërinë tonë në indiferentizëm ekstrem. Ndaj nuk reagojnë për ata që do t’i qeverisin.”
Dhe meqë jemi këtu si e gjykoni sulmin ndaj medias në tërësi duke marrë shkas nga rasti i sulmit të armatosur ndaj Top Channel dhe ekzekutimit në krye të detyrës të një punonjësi të sigurisë së televizionit?
Ngjarje të tilla mund të jenë dhe fare banale, por mund të jenë dhe me synime shantazhi! Duhet pritur përfundimi i hetimit. Ndërkohë media sërish po e çon në drejtim të gabuar mendimin e opinionit publik duke hamendësuar, duke paragjykuar, e duke u tallur me inteligjencën e këtij opinioni.
Skandalet e njëpasnjëshme kanë tronditur themelet e qeverisë, kemi ministra dhe ish-ministra që thirren në organet e hetimit, sekuestrime të pasurive, ish-drejtues të arrestuar për milionat e fshehura. Kemi 2 ministra të arrestuar, 4 nën hetim, dhjetra drejtues të administratës të lidhur me trafikun e drogës, por kreu i qeverisë deklaron se përgjegjësia është individuale! Anëtarët e Kabinetit po përfitojnë nga Investimet Strategjike, ku gruaja ministre firmos VKM për burrin investitor!
Një sistem grryhet e bie kur korrupsioni del sheshit. Por shqiptarëve nuk u bëjnë më përshtypje skandalet. Thënia se “tre ditë zgjat dhe çudia më e madhe” është kuptuar mirë nga politika. Por kam argumente pafund për të treguar se korrupsioni e ka gërryer këtë vend prej mbi 30 vitesh, por askush nuk është ndëshkuar! Nga ana tjetër mendoj se duhet të kuptojmë diçka; që kur politika është shndërruar në profesion, politikanët kanë si qëllim fitimin maksimal: ndaj nga demokracitë kanë lulëzuar diktaturat dhe nga liritë e pakufi kanë lulëzuar tiranitë! Kjo vlen për të gjitha qeveritë demokratike. Por historia e demokracive na mëson se demokracia ecën përpara vetëm kur nuk përsërit gabimet e së shkuarës. Ndaj çdo pretendim për të rikthyer të vjetrën politike është vuajtje e stërgjatur e popullit. Puna është a jemi të gatshëm të zëvëndësojmë këtë elitë politike me njerëz të rinj? Apo brezi i ri që po krijohet, është një kopje edhe më e keqe e atyre, që duam të largojmë? Ky nuk është problem individësh. Ky është problem sistemi!
Ndërkohë që SHBA ka nën hetim ish- drejtorin e kundërzbulimit dhe sulmeve kibernetike të FBI-së McGonigal , për kompromentimin me ish-zyrtar të shërbimeve sekrete shqiptare dhe oligarkët rusë. Në raportin e drejtësisë amerikane emri i kryeministrit Rama përmendet plot 14 herë. A është edhe kjo një përgjegjësi individuale?!
Të të përmëndet emri është një gjë dhe të akuzohesh është diçka tjetër. Them se duhet të presim fundin, ndryshe gabojmë.
Burokratët e Brukselit e kthyen Drejtësinë shqiptare në “laborator eksperimental”, ku Vettingu i kapur, po prodhon “ shërbëtor “ të pushtetit dhe servilë të partisë.
Duhet të dimë se ‘Liria dhe Barazia’ janë armike me njëra tjetrën. Sa më shumë liri aq më shumë pabarazi ka. Sepse njerëzit nuk janë të njëjtë, përkundrazi janë shumë të ndryshëm. Të vetmen barazi që kërkojnë, por që sigurisht nuk mund të jetë asnjëherë e plotë (në mendimin tim) është barazia para ligjit. Drejtësia është shtylla që mban shtetin. Në 110 vjet shtet ne nuk kemi patur kurrë një sistem të qëndrueshëm e të fortë drejtësie. As në komunizëm! Në vitet e para të demokracisë e shkatërruam pothuaj fare edhe atë pak gjë që kishim me “plepat” e famshëm dhe bëmë një kastë milionerësh pa asnjë meritë! Vetingu të paktën e bëri një gjë të mirë! Që jemi të pakënaqur më këtë sistem kjo është normale. Ka me qindra dosje që presin të zbardhen dhe selektimi është tregues i ngadalësisë, që krijon edhe një perceptim të “kapjes” nga partia. A ishte ky një eksperiment, që shkatërroi drejtësinë? Eksperiment mund të jetë, por mendoj se diçka e mirë u bë…!
“Unë akuzoj median në përgjithësi për frymën shkatërruese të besimit në opinionin publik. Sot njerëzit nuk i besojnë më askujt- asgjëje dhe për rrjedhojë asnjë lajm nuk i trondit më! Janë në paralizë tërësore! Unë akuzoj se kjo media ka shërbyer për të shkatërruar çdo vlerë, e ka ngritur në vlerë antivlerën.”
Auditorët po mbyllen, kafenetë rrinë hapur, në universitete mungojnë studentët dhe në lokale nuk ka kamarierë. Si e shikoni hemoragjinë e largimit të të rinjve? Cila është këshilla juaj për të frenuar sadopak këtë katstrofë kombëtare?
Problemi i arsimit është problem akut! Analfabetët funksionalë po zaptojnë administratën publike si kurrë më parë! Universitetet po kthehen në gjimnaze dhe gjimazet në shkolla fillore. Nuk ka vizion për arsimin dhe nuk ka as vullnet politik për ta parë me seriozitet gjendjen. Por kjo pyetje kërkon trajtim të gjatë ndaj nuk po ndalëm më shumë. Vetëm them se nëse nuk vlerësojmë dot arsimin sot, e nesërmja dihet!
“Burokratët e Brukselit e kthyen Drejtësinë shqiptare në “laborator eksperimental”, ku Vettingu i kapur, po prodhon “ shërbëtor “ të pushtetit dhe servilë të partisë. Problemi i arsimit është problem akut! Analfabetët funksionalë po zaptojnë administratën publike si kurrë më parë! Universitetet po kthehen në gjimnaze dhe gjimazet në shkolla fillore.”
Më 14 Maj do të zhvillohen zgjedhjet lokale. Në vend që qytetarët të zgjedhin lirshëm të parin e qytetit të tyre dhe këshilltarët bashkiak, ata janë paracaktuar nga ‘bejlerët’ politik të drejtimit të qarqeve, ministrat dhe deputetët.
Populli edukohet, thoshte Platoni. Dhe edukimin e bën arsimi, media dhe natyrisht politika. Të gjithë këta faktorë e kanë çuar shoqërinë tonë në indiferentizëm ekstrem. Ndaj nuk reagojnë për ata që do t’i qeverisin. Pak rëndësi ka nëse ai është vendosur nga “beu “ i politikës qoftë i majtë apo djathtë! Njerëzit do shkojnë të votojnë si gjithnjë, sipas krahëve. Dhe fajtorë jemi të gjithë ne!
Si e gjykoni opozitën shqiptare, në këto zgjedhje me dhe pa vulë?
Kam keqardhjen më të madhe për Opozitën! Dhe nuk jam gabuar kur me kohë kam thënë se me këtë opozitë diktatura është në prag të derës! Kjo situatë e krijuar me opozitën i jep mundësi maxhorancës të bëjë “pazarin” e ditës me krerët e saj! Dhe ky do të jetë problem i rradhës. Problemi i vërtetë të gjithë ne është se duhet të ndryshojmë mendjen e sjelljen të gjithë bashkë përpara se koha të na detyrojë ta bëjmë!