Prof. Dr. Skënder Gjinushi: Imami të pasohet nga ministra të tjerë

488
Sigal

Prof. Dr. Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD-së,  në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar temës më të nxehtë politike të ditës, thotë se, korrupsioni luftohet duke luftuar zbardhur çështjet e mëdha, dhe pastaj vjen individi. Gjithashtu, sipas zotit Gjinushi, duhen denoncuar të gjitha, duke filluar që nga ish-Kryeministri dhe me radhë. Sepse, thotë zoti Gjinushi “Nuk bëhet korrupsioni dot, pa përkrahjen politike. Lufta kundër korrupsionit,  është problem politik dhe fillohet nga politika. Korrupsioni nuk luftohet, nëse nuk hiqet mbrojtja politike”.

– Prof. Gjinushi, është krijuar një ngërç politik, në kuadrin e luftës kundër korrupsionit. Maxhoranca thekson se, ndryshimi i ligjit të Procedurës Penale, për t’i dhënë Gjykatës së Krimeve të Rënda kompetencën, do të jetë kyçi i suksesit kundër korrupsionit. Çfarë na bën të besojmë se kjo reformë do të mundësojë luftën kundër korrupsionit?

– Lufta kundër korrupsionit, së pari është problem politik, dhe pastaj, është problem juridik dhe teknik. Kryesore, që të luftosh korrupsionin, është ndryshimi total i vullnetit politik. Dhe vullneti politik nuk është me fjalë, por është me vepra. Kjo do të thotë që të ndryshojë rrënjësisht ajo që ka qenë arsyeja kryesore e asaj që Shqipëria, nga qeverisja e Berishës me bashkëpunëtorë, të katandiset të jetë e fundit në Rajon, përsa i takon luftës ndaj korrupsionit dhe, e para, përsa i takon korrupsionit. Kjo ndodhi se ajo qeverisje nuk u bë pjesë e luftës kundër korrupsionit, por ishte qeveria që përhapte korrupsionin, ajo që organizonte dhe mbronte korrupsionin. Prandaj, edhe ato “përpjekjet” sporadike, edhe ato, kufizimi i imuniteteve, ndryshimet në Kodin Penal, nuk dhanë dhe s’kanë si të japin asnjë rezultat, sepse mbrojtja (e korrupsionit) ishte dhe mbetej politike. Imunitet kishte gjithkush që kishte përkrahjen e asaj qeverie dhe vidhte në emër të asaj qeveria.  Dhe i goditur ishte kushdo, që edhe pa bërë gjë, mund të dënohej, vetëm pse nuk ishte në rresht të qeverisë që u mund.

– Atëherë, sipas jush, nga fillon lufta kundër korrupsionit?

– Fillohet nga një standard, i mirënjohur ndërkombëtar, por, që, çuditërisht, në Shqipëri nuk është zbatuar, që është marrja e përgjegjësive politike, morale, për aferat korruptive. Pastaj, vijnë penalet. Pra, gjithkush që, ekspozohet në një çështje korruptive, gjithkush që lakohet, gjithkush që i lë vetes të perceptohet si përgjegjës, apo pjesë e korrupsionit, duhet të hetohet. Që këtu fillon pastrimi i korrupsionit. Sepse në Shqipëri, ajo që dështoi është pikërisht, ndihma e madhe që i kanë dhënë, të ashtuquajturit analistë të blerë, të kategorive të ndryshme, për të korruptuarit. Këtu të gjitha skandalet, duke filluar që nga vrasjet politike, e deri te vjedhjet masive, të tëra justifikohen nëpër debate të “opinionistëve”, me teza të llojit, “kështu bëhet gjithandej”, “nuk janë këta të tjerët më të mirë”, “kështu do bënte edhe ky”, “po nuk ka se ç’të shprehet gjykata”, kur asnjë gjykatë nuk mund të dënojë dhe një sistem gjyqësor nuk mund të funksionojë e të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit, në nivelet e larta, në qoftë se nuk hiqet mbrojtja politike. E nëse nuk fillojnë sulmet e menjëhershme ndaj gjyqësorit e kujtdo që akuzon, apo që heton dhe gjykon. E që të bëhet kjo, nuk hiqet imuniteti. Hiqet mandati.

– Çfarë na bën që kjo maxhorancë e re e së Majtës, e ka këtë vullnet që të heqë mbrojtjen politike ndaj të korruptuarve?

Kjo maxhorancë e re e ka shprehur këtë vullnet të saj, por duhet ta konkretizojë dhe duhet ta futë detyrimisht në logjikën e punës së vet. Jo vetëm që nuk ka mbrojtje ndaj të akuzuarve, apo edhe të lakuarve, apo të perceptuarve, por kërkohet të marrë përgjegjësinë mbi vete dhe, urohet, kur je dashamirës, që të dalë edhe i pastër, që nga rrethanat, mund të jetë edhe ndonjë tymnajë, apo perceptim i gabuar. Por, absolutisht, duhet të ndalet, ajo që përjetojmë ne sot.

– Shumë herë dëgjojmë politikanët që të thonë, se gjyqësori është i korruptuar dhe nuk e lufton ajo korrupsionin…

– Prandaj edhe ne, si  PSD, nuk bashkohemi me ata që thonë që problemi i madh është në gjyqësor. Absolutisht, në çdo rast, kur korrupsioni është  në nivele të tilla, siç e ka Shqipëria, siç mbërriti në nivelet e qeverisjeve  “Berisha”, fajin e ka politika. Këtu, nuk është se ka faj për të tjerët, por politika është organizatorja, është ajo që korruptoi edhe gjyqësorin, në të tilla nivele. Bile,  atrofizoi gjyqësorin, prandaj, edhe pastrimi fillon nga politika. Nëse nuk bëhet pastrimi politik, absolutisht, mos shpresoni e të ëndërroni që të bëjë gjyqësori pastrimin kundër të vetëve, apo të politikës, apo të shoqërisë. – Duke marrë shkas nga mesazhi që përcolli eurodeputeti Vuljaniç, BE-ja a kushtëzon procesin e integrimit me arrestimin e politikanëve, sikurse ministrave dhe kryeministrave, që janë përgjegjës për korrupsionin në vendin tonë?

Ju e kuptoni, që fjalë për fjalë e termë për termë, do të thotë si ka mundësi që Shqipëria, vendi më i korruptuar në Rajon, ku treguesit korruptivë po shënojnë vetëm rritje, e kur faktet janë spektakulare, se te ne nuk është se ka munguar edhe denoncimi, dhe, njëkohësisht, Shqipëria të jetë vendi i vetëm që nuk është dënuar asnjë titullar, kur korrupsioni i madh organizohet nga udhëheqja më e lartë. Pra, nuk bëhet korrupsioni dot, pa përkrahjen politike. Dhe, aq më shumë që BE-ja i ka vënë disa herë kusht Shqipërisë, se për të treguar, që jemi në një epokë të re, po ndërrojmë faqen në luftën kundër korrupsionit, atëherë, zbardhni si duhet aferën Durrës-Kukës, ku dështuam. Të zbardhim si duhet Gërdecin, ku dështuam. Të zbardhim si duhet 12 janarin e 2011-s, ku dështuam. Dhe BE-ja, përfundimisht, na thotë, që ne të kuptojmë që duam të integrohemi në BE, atëherë, duhet të provojmë me fakte, që goditja kundër korrupsionit fillon nga aferat e mëdha. Mbërritëm te taktika që bëri shoku Sali, kur erdhi në fuqi, në 2005-n, dhe pasi kishte premtuar që treçereku i ministrave të PS-së do të shkonin pas hekurave, pale Nanua, që nuk do gjente vend, ku të futej, në praktikë veproi ndryshe. Të gjithë këta, i ftoi në qeverisjen e tij, se i duheshin. I ftoi që tani të vinin me duar të pastra dhe Nanon e ftoi të bëhej edhe President dhe ishte gati, në rast se do t’i duhej domosdo, ndërsa për BE-në dhe opinionin publik, në emër të korrupsionit goditi disa “cironka” dhe si rregull, i gjen nga partitë e tjera, edhe këto, por absolutisht jo klanin e vet, sepse i prishet tufa. Dhe është edhe një nga kriteret e shoqërisë mafioze, që nganjëherë më i shtrenjtë është ushtari, sesa …gjenerali. Saliu në luftën kundër korrupsionit futi goditjen selektive dhe të rreme. Berisha peshkaqenët e korrupsionit, qofshin majtas, qofshin djathtas, jo vetëm që nuk i luftoi, por edhe i ricikloi dhe bashkëqeverisi me ata, ndërsa goditi në mënyrë fiktive dhe selektive të niveleve të tjera. Kështu, sa më shumë shoku Sali rriste numrin e të goditurve, aq më lart i shkonte korrupsioni. Ky është problemi i dytë që duhet të evitohet sot. Prandaj edhe Vuljaniç përmend edhe emra ministrash e kryeministrash, që duhen të arrestohen. Me këtë do të thotë, që “Ju hiqni dorë nga lufta selektive dhe fiktive kundër korrupsionit”. Nëse nuk bëjmë si kërkon BE-ja , do të ndodhë ajo që ndodh përditë te ne, që, lufta kundër drogës, si në Lazarat, bëhet kur shteti dënon mushkat e Lazaratit, por nuk dëshiron të dënojë trafikantët.

– Si duhet të dallohet që edhe denoncimi nga qeveria i disa aferave të mëdha, që lidhet, konkretisht me emrin e ish-ministrit Imami, nuk do të cilësohet si një selektim politik?

– Nuk është seleksion politik, është seleksion ekonomiko-social. Duhen të denoncohen aferat e mëdha. Qeveria të denoncojë vjedhjet, pastaj, kujt t’i dhëmbi, le të bërtasë. Është vepër penale dhe je i detyruar ta denoncosh. Por, unë jam i parimit që nuk duhet të fshihet më as prokurori dhe as gjyqtari nga mbrojtja që nuk dënohet për shpërdorim detyre. Ka vendime të gjykatës, që nuk është çështje  e vendimeve të padrejta, por janë gjykime të padrejta. Cilido pushtetar, kur abuzon me pushtetin, janë pjesë të korrupsionit, ndaj dhe  duhet të dënohet. Politika këtu ka përgjegjësinë në korrupsionin edhe në gjyqësor. Ka, njëherë, për modelin që ngre, se “shih rrushi rrushin dhe piqet”. Ka në emërimet që bën, se politika, do apo s’do, është ajo që bën promovimin  e gjyqtarëve, nëpërmjet KLD-së, nëpërmjet Presidentit, apo Kuvendit.  Problemi nuk është a dënuam formalisht 1, 2, apo 3, por, a jemi në një fazë të re? Maxhoranca e re vjen me të tjera parime të reja dhe konkretisht e tregon këtë. Çdo qeveritar e ka detyrimin të denoncojë çdo vepër penale që konstaton në punën e tij, qoftë kjo edhe nga paraardhësit e tij.

Kjo qeveri a do t’jua mbulojë zullumet e korrupsionit, për të cilat i denoncoi kur ishte opozitë  gjithë qeveritarëve të shkuar?

– Këtu është dallimi i kësaj maxhorance të re, e jo ta bëjë këtë denoncim për gjueti shtrigash. Një rast konkret. Drejtori i mëparshëm i Entit Kombëtar të Banesave,  i urdhëruar nga ish-qeveria  firmosi  që PSD-ja quhet  familje e pastrehë dhe u përpoq që ta nxirrte PDS-në, me cilësimin “familje e pastrehë” nga kjo godinë. Mirë drejtori e bëri PSD-në familje, por kur e pyetëm ne, se kë ka nënë kjo familje, drejtori nuk dinte ç’të thoshte. Dhe ç’të thoshte?! Ky është korrupsion e shpërdorim i pastër i detyrës. Drejtorja e re, që e sheh këtë paçavure, që është në shkelje të hapur, është e detyruar ta kallëzojë. Madje, dënohet nga ligji po nuk e kallëzoi. Dhe ish-drejtori, nuk e ka bërë vetëm me ne. E ka bërë me shumë familje e ata nuk kanë ditur e mundur të mbrohen. Ndaj, ne nuk duhet të merremi, si e bënë kallëzimin, por a qëndron kallëzimi?

– Avokat Ngjela publikisht tha, që Prokurori i Përgjithshëm  nuk do të lejojë hetimin ndaj Imamit, pasi ai është emëruar nga e Djathta dhe kush ka dije si funksionon shteti te ne, e kupton, ndërsa PS-ja e bëri sa për të larë gojën e të thotë: “Unë e bëra detyrën, e çova padinë kundër Imamit në Prokurorinë e Përgjithshme, por Llalla nuk bëri gjë”. Nëse praktikisht, ndodh kështu, cila do të jetë kostoja politike për vetë PS-në?

– Deri tani nuk jemi në padi për ish-ministrin Imami. Është  kallëzim. Akuzën e ngre vetëm prokurori. Deri tani ministrja denoncon vetëm shkeljet, të cilat, sipas gjykimit të saj, janë të rënda. Kallëzuesi ankohet për çështjet, për pasojat dhe jo për emrat. Prokuroria gjykon për shkallën e fajësisë. Edhe këta, të PD-së, nuk kanë përse bërtasin dhe e lokalizojnë menjëherë, që” ky është sulm ndaj atij, apo këtij”. Ajo çështje mban erë, sepse, është denoncuar publikisht edhe një herë. E dyta, ka pasoja dhe të ndjeshme, atëherë, mos të krekosen para kohe.  Pra, nga skandali mbërrin te emrat dhe jo nga emrat të mbërrish te skandali. Ky është dallimi i madh, i kësaj maxhorance nga ajo e Saliut. Ajo që thotë Ngjela, është konsideratë e tij dhe nuk më takon mua të shpjegoj këtë konsideratë. Por  te emrat konkretë, pse jo edhe te Prokurori i Përgjithshëm, apo të gjyqtarit, duhet të ndryshojë vullneti politik. Ndryshimi i vullnetit politik i jep mundësi Prokurorisë dhe Gjyqësorit, që tani, të dëftojnë se cili është vullneti i tyre. Sepse, deri tani, nën trysninë e madhe politike, deformohej edhe vullneti i hallkave të tjera. Nëse kjo erë e ndryshimit do të shtrihet realisht, që do denoncojë vërtet ato që janë për t’u denoncuar, duke filluar që nga ish-Kryeministri e me radhë, nga çështjet e mëdha e me radhë, e ke bërë vërtet vendosjen e drejtësisë për to, atëherë edhe Prokuroria e Gjyqësori do ndodhen në situatë tjetër dhe absolutisht, që do kemi rezultate kundër korrupsionit. Kështu, do të duket edhe ku ka hallka të dobëta, sepse kush çedon edhe në këtë situatë të re, ku hiqet imuniteti politik, përkundrazi, kthehet nga mbrojtës në goditës, atëherë, fajin e ka vetë personi-pushtetari i drejtësisë, që nuk kryen detyrat si duhet.

– Çfarë ndodh?

– Në 2003-in, u sulmua Prokurori i Përgjithshëm, Sollaku nga Saliu, se kishte fjetur mbi dosjet  e korrupsionit të Nanos. Sollaku u shkarkua në rrugë antikushtetuese, ndërsa Nano, që sipas Saliut, ishte bërësi i dosjeve të korrupsionit,  propozohet për President. Kuptohet, që në këto situata, asnjë prokuror nuk mund të bëjë detyrën. Në tre çështjet e mëdha të korrupsionit të Shqipërisë, Prokuroria e bëri punën  e vet, sepse i çoi ato deri në gjykatë. Ato dështuan të gjykohen në gjykatë. Pastaj, ka edhe plot të tjera, të mbuluara në prokurori.

– Çfarëdo të ndodhte, nëse çështjet e mëdha do të gjykoheshin objektivisht?

– Atëherë, edhe Prokuroria vetë do të merrte kurajo dhe do të thoshin: Edhe në prokurori vlerësohen më shumë ata që tregohen konsekuentë me ligjin. Kur dështojnë çështjet e mëdha, Prokuroria thotë: Përse do të bëjë harakiri kot unë? Sepse, pasi merr “pafajësinë”  ai që ka korruptuar, i kthehet prokurorit. Dhe nuk i kthehet haptazi. Edhe prokurori ka familje, kahalle. Ka promovim, që nuk i vjen. Ndaj, disa të ndershëm, u detyruan të jepnin dorëheqjen. Tani, po ndryshon klima, përgatitet situata, për t’u goditur çështjet e mëdha të korrupsionit, që kanë ndodhur më parë.

– Përse tani hesht PS-ja ndaj mosveprimit të Prokurorisë,  për kallëzimin e saj ndaj  shpërdorimit  nga KQZ-ja të 4,2 milionë euro për dështimin e projektit elektronik në zgjedhjet? Kjo nuk provon pohimin e Ngjelës?

–  Çështjet korruptive nuk marrin fund këtu. Por, në rast se deri dje, dënimi selektiv ishte totalisht i gabuar dhe ishte i deformuar në ekstrem, atëherë, tani  t’i duhet të bësh dënimet “shembullore”, në kuptimin që të godasësh ato që vërtet kanë qenë më shqetësuese në opinionin publik. Jo më atë praktikë, që sa më lart që je, aq më i mbrojtur je, dhe sa më lart që je, aq më shumë do të vjedhësh, që të shkosh edhe më lart. Dhe, duke goditur të mëdhenjtë, krijon , praktikën e re, që ata, tani nuk janë më të mbrojtur (politikisht). Përkundrazi. Por, përveç kësaj, duhet të jenë edhe ato më pikantët, në ato që i kanë kushtuar këtij vendi, siç është në fushën e tenderave, më pikantja është rruga Durrës-Kukës, pastaj, vjen “Albpetrol”-i, apo privatizimi i CEZ-it. Siç është në vrasjet politike 21 janari, e pastaj, vjedhja e votës, që është më e rëndë se vjedhja e tenderave. Ne nuk kemi dënuar asnjë në mënyrë spektakolare dhe në kokë për vjedhjen e votës. Në Shqipëri, vjedhja e votës ka qenë KQZ-ja vetë. Berisha ka ndjekur strategjinë: Sa më i implikuar në vjedhje e korrupsion, kaq më i besuar je.

– Faleminderit!

Në republikat demokratike zbardhen çështjet, pastaj vjen individi

– Padia penale që ministrja e Mbrojtjes Kodheli i dërgoi Prokurorisë kundër korrupsionit të Imamit, a mund të lidhet me mesazhin e Vuljaniç?

– Mesazhi duhet kuptuar. Korrupsioni luftohet duke luftuar aferat e mëdha, jo emrat. Në republikat demokratike zbardhen çështjet. Pas tyre vjen individi. Nuk luhet me emra, por luhet me skandalet. Çështjet e pazbardhura janë Gërdeci bashkë me Kosta Trebickën, që ishte vrasje politike, 12 Janari, vrasja e Xhindit, vrasja e Kryekomunarit, që duhen zbardhur, sepse  janë bërë për llogari të krimit dhe korrupsionit. Kemi aferën Durrës- Kukës, kemi privatizimet e mëdha,  tek CEZ, Albpetrol, privatizimet e HEC-ve, privatizimet e pronave të ushtrisë, që është një matrapazllëk i madh dhe lobimet e paligjshme, përdorimi i reklamave qeveritare me fonde publike, për t’i bërë makijazh, qeverisë në dëmin dhe gjëmën që i ka bërë popullit në këto 8 vjet. Pra, janë këto çështje të mëdha, pa pretenduar se janë përmendur të gjitha, ku edhe për model, duhet të goditen, për të vajtur në Europë. Po nuk zbardhet 21 janari, atëherë, nuk e di se çfarë do të quhet krim për qeverinë?Ponuk zbardhet afera Durrës-Kukës, nuk e di se çfarë quhet shkelje pabarazish në tendera dhe dëm ekonomik, në një aktivitet qeveritar? Po nuk disiplinove këtë shpërdorim fondesh që është bërë këtë 8- vjeçar në TVSH, me reklama, dhe me disa tv private, atëherë, nuk di se cili është modeli i ri që afron qeveria?