Atentat mafioz apo shou mediatik

527
Sigal

 Ministria e Brendëshme “shou” me makinën e Besnik Dervishit, para portës së kryeministrisë

 Eksplozivi në makinën e Prefektit të Vlorës, lojë me “palaçiot” e cirkut politik

 Ngjarja e djeshme me eksploziv në makinën e prefektit të Vlorës, para Kryeministrisë, tregoi se ministri i Brendshëm, Tahiri do të mbetet gjithmonë, pjesë e problemit dhe jo pjesë e zgjidhjes. Me rastin e djeshëm, kjo ministri, si edhe sektori i Policisë, Gardës, etj, treguan paaftësinë më perfekte të kohëve të fundit, duke krijuar një konfuzion të tillë, i cili mund të zgjidhej në fund vetëm me anë të një gënjeshtre, duke shpikur një sasi prej 200 gram eksplozivi në pakinën e prefektit të Vlorës. Përveç mashtrimit të madh, Ministria e Brendëshëme me anë të deklaratës së vet, tregoi se drejtuesit e saj nuk kanë fare lidhje me stabilitetin e rendit dhe janë krejtësisht jashtë loje, ndaj këtij profesioni. Ata fyen dje, inteligjencën e publikut shqiptar, duke i thënë një lajm që në rastin më të mirë, ishte një e pavërtetë dhe në ratsin më të keq një budallallëk, apo mashtrim i rëndë. Në cirkun e djeshëm qeveritar ku nuk munguan as “pseudoheronjtë”, as palaçot e cirkut, as “viktimat” që ishin qytetarët, të cilëve iu ndalaua kalimi në boulevard, për një kohë të gjatë. Tahiri arriti të krijojë panik në kryeqytet, për disa orë rresht, duke bllokuar bulevardin dhe rrugët e qendrës, si edhe duke u vetëshpallur si një shpëtimtar.

Varianti i skenarit

Në rastin e djeshëm kishte vetëm disa variante për interpretimin e asaj që ndodhi. Varianti i parë ishte ai i skenarit të paramenduar. Ministria e Brendëshme mund ta ketë inskenuar këtë subjekt për të treguar se shkelësit e ligjit po rezistojnë kundër shtetit për shkak të goditjes që po marrin në Vlorë, tek qendra Jon. Dhe sipas policisë, reagimi i reaksionit apo i hakmarrjes ka zgjedhur si shënjestër këtë radhë, zotin Dervishi, si prefekt i Vlorës.

Varianti i Shvejkut

Varianti i dytë është ai i budallallëkut të krerëve të kësaj ministrie, të cilët nuk e dinin se kur kishte ardhur prefekti Dervishi në oborrin e Kryeministrisë. Dhe pasi e kanë pikasur një makinë pa zot, ata kanë dhënë alarm për të ndaluar qarkullimin në Tiranë dhe për të zbrazur Kryeministrinë nga njerëzit. Por pasi u kujtuan se kjo makinë ishte e prefektit të Vlorës, ata u ndjenë të turpëruar nga alarmi i rremë dhe sajuan 200 gram eksploziv, kapsolla dentonatore, apo telekomandues me celular. Vetë Shvejku do t’ua kishte zili drejtuesve të Ministrisë së Brendëshme, mbulimin e turpit me anë të këtij budallallëku. Në fillim u tha se ajo makinë kishte tre ditë që rrinte aty. Pastaj u tha se ajo makinë nuk dihej se e kujt ishte. Madje, më vonë thanë se mund të ishte e ndonjë oficeri të Gardës, ose e ndonjë punonjësi të kryeminsitrisë. Por më vonë, pasi bënë provën me një shpërthim, kuptuan se alarmi ishte fals.  Dhe kur doli se ajo makinë ishte e Prefektit Dervishi, sajuan një histori të tërë me eksploziv, pa u skuqur fare nga turpi.

 Varianti dhe deklarata e Ministrisë së Brendëshme

 Varianti që dha zyra e shtypit e Ministrisë së Brendëshme ishte ky: “Në datë 13.12.2013, rreth orës 09:30 automjeti tip “Peugeot” me targa “TR 5066 N”, në pronësi të shtetasit Besnik Dervishi, me detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së Kryeministrisë. Nga kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardës në hyrje të zonës së brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. Oficerët e Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për Krimet e rënda. Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes duke siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e ekspertëve antieksploziv. Nga veprimet e kryera nga njësia antieksploziv dhe nga kqyrja e detajuar e automjetit është vërtetuar se në mjet ishte vendosur një sasi prej më shumë se 200 gram eksploziv C4, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatore dhe një celular. Njësia antieksploziv në Policinë e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke bërë neutralizimin e sasisë së eksplozivit. Grupit hetimor po vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarje”, thuhet në deklaratën e Ministris ë së Brendëshme.

 Zhvillimi i situatës

Sipas policisë dje, u zbuluan 200 gramë eksploziv në automjetin e Prefektit të Vlorës që ishte drejtuar dje paradite në hyrjen e godinës së Kryeministrisë. Një kontroll rutinë nga gardisti në hyrje të godinës së qeverisë konstatoi lëndën e dyshimtë të vendosur poshtë automjetit në pronësi të prefektit Besnik Dervishi. Në saje të një super-aksioni policor që mbajti të mbërthyer për një kohë të gjatë ambientet rreth e rrotull godinës së qeverisë, stafi i së cilës u evakuua në tjetër ambient, u neutralizua eksplozivi, 200 gramë eksploziv C4 me dy kapsolla detonatore të lidhura me një aparat celulari. Ngjarja sjell zhvillime të reja që nisin me marrjen në pyetje të Prefektit të Vlorës, z.Besnik Dervishi. Sipas informacioneve të para, institucioni i Kryeministrisë është vënë në alarm pas një telefonatë rreth orës 09:20 në sallën operative dhe ka dhënë informacionin se në ambientet e Kryeministrisë është vendosur lëndë eksplozive. Forca të shumta police dhe njësia anti-eksploziv mbërritën menjëherë në vendngjarje rrethuan zonën. Kontrollet u përqëndruan tek një automjet pranë kryeministrisë. Me pas u konfirmua se lenda eksplozive ishte vendosur ne nje automjet tip Peugeot me targa TR 50 66 N, i cili rezultoi në pronësi të shtetasit Besnik Rrapo Dervishi. Ka qenë gardisti roje në hyrje të Kryeministrisë që ka lejuar makinën Peugeot të hyjë në ambientet e kryeministrisë dhe nga kontrolli rutinë, aparaturat sinjalizuan një objekt të dyshimtë në automjet. Pasi ka zbritur drejtuesin e mjetit dhe pasagjerin, gardisti roje ka njoftuar sallën operative të policisë. Forcat e xheniere kryen një shpërthim të komanduar poshtë automjetit për të provuar nëse kishte eksploziv në makinë dhe nga kontrollet e imtësishme u vërtetua se në automjet ishte vendosur një sasi e vogël eksplozivi.

 Dervishi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

Prefekti Dervishi ka mbërritur dje, menjëherë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku është marrë në pyetje lidhur me problemet që ai mund të ketë, të cilat kanë çuar edhe në vendosjen e eksplozivit. I pranishëm gjatë marrjes në pyetje ishte edhe Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga Sipas hetimeve paraprake dyshohet se objektiv i atentatit të mbetur në tentativë ka qenë vetë Prefekti Dervishi. Marrja në pyetje ka zgjatur rreth tre orë. Prefekti Dervishi është nisur mëngjesin e sotëm nga Vlora drejt Tiranës për një takim pune. Prokuroria e krimeve të Rënda ka ngritur një sërë pistash hetimi nga hakmarrjet për shkak të punës deri në çështjet personale. Lënda eksplozive sipas informacioneve të fundit është instaluar në qytetin e Vlorës dhe jo në kryeqytet. Prefekti ka udhëtuar me lëndën eksplozive poshtë këmbëve nga Vlora në Tiranë. Ajo është zbuluar në momentin qe Prefekti Dervishi ka zbritur nga makina dhe i ka kërkuar njerit prej gardisteve ta ndihmojë për të parkuar makinen prane Kryeministrise pasi nuk kishte gjetur vend-parkim. Gjatë marrjes në pyetje Prefekti ka mohuar të ketë probleme të mëdha apo shqetësime kohët e fundit. Ndërkohë Institucionet që po merren me hetimin e çështjes tregohen të rezervuar lidhur me detajet që janë dhënë nga Prefekti Dervishi gjatë marrjes në pyetje. Pas daljen nga prokuroria Prefekti është marrë në mbrojtje nga policia. Ndërkaq, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur dje, në mjediset e jashtme të selisë së Kryeministrisë, njoftuan burime pranë organit qendror të akuzës. Por si gjithmonë, nuk pritet ndonjë zbulim i madh nga këto hetime. Pas 3 orësh në pyetje, prefekti i Vlorës u mor në mbrojtje me vendim të prokurorisë dhe policisë, megjithëse tha se: S’kam problem me njeri. Deri tani policia mbron versionin se “eksplozivi është vënë në Vlorë”

Policia në alarm, Rama për vizitë në Itali

Gjatë këtij operacioni, policia bllokoi qarkullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si dhe kontrolloi të gjitha automjetet e parkuara anës rrugës. Në vendngjarje mbërriti edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli si dhe Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda me një grup Prokurorësh. Kreu i SHISH, Visho Ajazi dhe ministri Sajmir Tahiri ndodheshin në ambientet e Kryeministrisë. Policia shqyrtoi imtesisht te gjithe kamerat e sigurise te vendosura jashte Kryeministrise. Rreth Kryeministrisë nuk u lejua asnjë person në perimetrin e ish rrethimit të dikurshëm. Kjo është hera e parë që vihen në qendër të vëmendjes për lëndë eksplozive Kryeministria.

Ndërkohë Kryeministri i vendit, Edi Rama, ne momentin e alarmit nuk ndodhej në godinë pasi aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare pune në Itali.

Rastet e hedhjes në erë e makinave me tritol

 Fakti që thuajse të gjitha krimet me tritol, eksploziv, apo telekomandë nuk janë zbardhura koma, tregojnë në rastin më të mirë paaftësinë e policisë, në të dy qeverisjet, si atë të PD-së, ashtu edhe të PS-së. Ndërsa në rastin më tëkeq tregojnë bashëkpunimin e drejtuesve të policisë me krimin. Dhe përderisa ato raste nuk janë zbardhur akoma, mjedisi shqiptar është i minuar në çdo kohë. Raste të hedhjes në erë të makinave, të zyrtarëve, bisnesmenëve, gjyqtarëve, etj, ka me shumicë në këtë vend, por shkaqet dhe autorët nuk janë zbardhur akoma, për asnjerin prej këtyre ngjarjeve. Kështu në Kukës, më 5 maj 2011 shpërtheu me tritol, makina e kandidatit të PS për kryetar komune. Makina e kandidatit të Partisë Socialiste për kryetar të komunës Shtiqen, të Kukësit, zotit Astrit Cengu ka shpërthyer më 5 maj rreth orës 07 të mëngjesit teksa Cengu sapo kishte dalë nga makina. Ndërsa më 9 shtator 2011 një akt kriminal që ndodhi në Vlorë, i mori jetën Skerdilajd Konomi, gjyqtarit 33 vjeçar, baba i dy fëmijëve të mitur. Vrasja u krye me shperthim të komanduar nëpërmjet celularit. Por hetimet nuk kanë nxjerrë akoma  edhe sot, as shkakun dhe as autorët e krimit. Ndërsa në Sarandë, në gushtin e vitit 2012 u hodh në erë makina e pronarit të vilës “Duraku”. Persona ende të paidentifikuar i kanë hedhur në erë makinën, pronarit të vilës ”Duraku”, një nga komplekset turistike më luksoze në qytetin e Sarandës. Policia bën të ditur se shpërthimi ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ndërkaq, në shtatorin e këtij viti u hodh në erë makina e shefit të krimeve të komisariatit nr.1 në Tiranë, Artur Hyka. Ngjarja ka ndodhur që në orët e para të mëngjesit dhe Policia ka hetuar në disa pista, ku më kryesorja ishte  ajo e sulmit për shkak të detyrës, por nuk ka zbuluar asgjë. Gjithashtu, në shtator makina e një biznesmeni është hedhur në erë ditën në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Siri Kodra”, ku një sasi eksplozivi ishte vendosur në automjetin në pronësi të biznesmenit të ndërtimit Armando Ceka. Policia bëri të ditur se lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e pasme makinës dhe ka shpërthyer menjëherë sapo mjeti është ndezur, por asgjë nuk është zbardhur akoma. Ndërsa në tetorin e këtij viti, automjeti i nje oficeri të policisë gjyqësore në prokurorinë e Sarandës u hodh në erë ndërsa ishte parkuar. Shpërthimi ka ndodhur pranë banesës së oficerit të policisë gjyqësore Altin Abduli në lagjen nr 3 të Sarandës. Nuk ka pasur asnjë të re nga hetimete policisë mbi këtë ngjarje. Ndërkohë më 25 tetor është hedhur në erë makina e një polici në Kombinat. Ngjarja ka mbetur ende e pazbardhur dhe pa autor.