Prof. Dr. Myslim Pashaj: “Dhashë dorëheqjen nga AK-ja, sepse Kombëtarizimi im vajti në …muze”

412
Sigal

Shoqëria ka nevojë për qarkullim të elitave dhe progres demokratik

Zoti Pashaj,  e pranoni që kemi krizë morale të politikës?

– Në histori dihet tanimë,  (po edhe muajt e fundit në Shqipëri ) është përdorur kaq familjar Makiaveli e prej mërzisë si dhe prej këtij mjerimi del edhe tipizimi shqiptar, “Politika është një e përdalë…” Shëmbëllimin më të mirë të saj e shikojmë në Shqipëri. Sa më shumë që ne po lëvizim drejt një shoqërie të përfytyruar demokratike, aq më shumë na dalin kriza të saj, sepse e tërë shoqëria jonë është në një krizë. Për këtë nuk është e interesuar vet politika, sepse ajo  rrjedh prej një ndotjeje të vetvetes dhe prishje të imazhit të Shoqërisë. Si, vallë nuk qenkemi në një krizë, kur kjo shoqëri në çdo hap pjell urrejtje dhe konflikte, kur ajo ecën në kërkim, gjasme,  të standardeve e në ngazëllim e sipër nxjerr instinktet e së keqes duke i rrënuar këto standarde (ja KQZ-ja);  si nuk qenkemi në një krizë, kur liderët kryesorë e kanë kthyer fushatën në një garë individësh, sikur kanë dëshirë të shenjtërohen se sa të kenë rolin orientues të një shoqërie të tërë, që ecën pas tyre.

 –  Atëherë, si e shpjegoni që shoqëria jonë nuk reagon?

 – Si mund të reagojë një shoqëri kur Politika nuk i dha pronën, themelin e jetesës, kur ajo pranoi shtrembërimin e demokracisë dhe iu bind po të njëjtave modele të së shkuarës, kur u vodhën zgjedhjet, kur garimi filloi në mënyrë jo të barabartë, kur shoqëria u kredh në piramida dhe në thikën në palcë filloi luftën civile… Shoqërisë iu ul koka, dhe xhepat iu zbrazën, rifilloi, sërish lufta për demokraci, kur befas shpërtheu korrupsioni shtetëror në Gërdec, e më vonë, 21 Janari i përgjakur. Një shoqëri, e cila është ndëshkuar në thelbin e saj,  ajo tani po kënaqet me të keqen më të vogël, e ka ulur stekën, e ka ulur shpinën,  kërkon po nuk di se ç’kërkon, e kësilloj, minimumi është që të ndjek fitoren e partive politike të mëdha, jo për të shëndoshur jetën e demokracinë e kërkuar, të të gjithë shqiptarëve, por vetëm për përfitime të një pjese të shoqërisë, të ushtrive të militantëve kthyer, si të ishin mercenarë. Ata e kanë ulur kokën, sepse në një farë mënyrë shteti i kapur nuk është gjë tjetër, veçse një Arketip i Sistemit që shkoi. Përse po luftojmë? Jo,  për demokraci, por për një Parlament të Parlamentit, që në gjenezë ka po të njëjtin portret të dështuar.

 –   Edhe pse numri i partive që marrin pjesë në zgjedhje është tejet i madh, për një popull kaq të vogël sa yni, a janë ato shprehëse të  interesave  të gjithë elektoratit?

 – Shumësia e partive nuk është demokraci, por qesharakësi. Vetëm t’i njohësh dhe t’i takosh ata, të kërkosh se ku i kanë anëtarët dhe strukturat… Mirëpo ata marrin pjesë në zgjedhje. Këtu partitë “krokodile”, përdorin qeniet e vagullta e të vogla  si një garniturë e skenografi plotësisht të dyshimtë.

 – Dalja nga kriza morale politike, është thjesht rotacioni partiak, pavarësisht marketingut elektoral që përdoret?

 – Tash po i mëshohet gjithnjë e më shumë “Rrotacionit”. Shumë e dyshimtë! Më vjen çudi se përherë e më tepër po e përdorin këtë terminologji edhe socialistët. Kuptohet, lehtas, nuk e kërkojnë me argumente,  programe, faktologji aq të shumtë, çka mund ta marrin prej këtyre tetë vjetëve të lodhshëm po edhe të plakshëm, por thonë: “Duam Rrotacion!” Kjo është veçse një slogan dështak.  Rrotacioni nuk ka lidhje me thelbin e “Rilindjes”. Rrotacioni vjen natyrshëm si një nevojë thelbore për një përmbysje të regjimit, por ama jo si një lutje: ” Eh! Po ik tani se mjaft ndenje në këto karrige! Tani e kam radhën unë!”

– Kjo do të thotë se e ndihmon Saliun, se nuk qenke në gjendje t’ia marrësh pushtetin me alternativë, fakte argumente të progresit…

– E turpshme. Shoqëria ka nevojë për qarkullim të elitave për një ecje e progres demokratik, për të çliruar shtetin nga kapja dhe nga të gjitha kapjet e tjera që janë bërë, shkulja e të gjitha ligjeve antidemokratike,  të cilat janë bërë sipas kritereve të Autokracisë dhe Sundimit. Tani thuhet se duhet të rrëzojmë Berishën… Pse vetëm kaq ? Është e pamjaftë, është cung, është një shoqëri ulok, dhe kështu ka mbetur, sepse Parlamenti, bazat ideologjike dhe organizimin i pushtetit Legjislativ nuk i ka kombëtare, por antikombëtare. Jemi sërish në rrugën “berishiste”, nëse Parlamenti nuk do të ketë një shumicë të re elitare të breznive inspiruese, për të pasur siguri në reforma të thella, për të bërë: “katarsisin e madh” Nuk mund ta pranojmë vetëm formalisht termin “Rrotacion”.  ne kemi nevojë për ndryshime të thella, me yll Polar Ideologjinë Kombëtare.

 –   Duhet të  shqetësohemi që ende KQZ-ja funksionon me 4 anëtarë dhe a mund të zhvillohen kësisoj,  zgjedhje me standarde?

 – Gjithçka po shkon sipas skenarit të Berishës. ” Në bazë të Ligjit, për të fshirë ligjet!”.  KQZ, e cila është një çetë e vogël me katër vetë, e që po ngjitet majës së vjedhjeve të votave, përpjetë…është goditja me ligj që iu jepet qysh në krye të herës zgjedhjeve. Tapa e shishes do të vihet nga kjo katërshe e florinjtë e Berishës, sepse Opozita ia ka dhuruar vetë, gjersa nuk diti se si të parandalojë prerjen  “e krahut të saj “.

 –  Meqë ndërkombëtarët interesohen më shumë për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve, sesa për standardet e zgjedhjeve, sipas jush, cila është më e rëndësishme?

 – Unë nuk shpresoj se do të bëhen zgjedhje të ndershme, sepse ato janë prishur që në plazmimin dhe ngjizjen e tyre të parë, në ligjin e Kodin  Zgjedhor, në pazare partish dhe deputetësh me kritere antidemokratike të përzgjedhjes së tyre, në dështimin e metodave moderne te numërimit e verifikimit që kanë gjysmë viti dhe nuk do të realizohen.

– Mos jeni edhe ju me thirrjen e Prof. Dr. Shenasi Ramës dhe të shkrimtarit dhe publicistit Fatos Lubonja?

 – Mendoj se duhet kuptuar thellë ajo që artikuluan këta dy intelektualë të shquar. Ata nuk i besojnë këto zgjedhje dhe nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e një shoqërie kokulur dhe të shpërfillur, të mashtruar dhe pse jo të shtypur, gjithashtu. Do të vijoja më tej edhe një pjesë e shoqërisë   “gati trushpëlarë”  që të votohet “për askushin”,  sepse ” Askushi” i këtij populli nuk e do demokracinë, por “hijen e sundimit”  me të cilën tanimë është mësuar. Ata, siç e thamë,  janë mercenarë partiakë me rrogë dhe ofiqe, ata janë oligarkë të rinj, por edhe zyrtarë të mesëm të punësuar në një administratë, që i afrohet nja 170. 000 të punësuar, ja kjo është ushtria që mbron idenë e mandatit të tretë sepse është mandati i tyre. Ata do ta mbajnë gjer në thoin e fundit, sepse kërcënohen nga “fshesa” e spastrimit, që do t’i hedhë në rrugë, apo do t’u presë privilegjet. E shikoni pra, humbellën që kemi krijuar. Prandaj, edhe unë më parë se të dy zotërinjtë e mësipërm, bëra një akt intelektual dhe politik, njëkohshëm, e hasa humbellën, nuk e kapërceva dot, dhe nën diellin e një dite shqiptare, dhashë dorëheqjen nga fushata, por edhe nga “synimi i votës politike”, sepse u ndodha në një truall të panjohur ( …Kjo është Shqipëria Politike mjerane…) me një gjeografi, që s’ishte ajo e idealit të kërkuar shqiptar.  Edhe pse i përkisja një partie kombëtariste, sërish, kuptova se ajo  nuk ishte origjinale. ” Besimi në një ideal nuk është verbim…” pati thënë Niçja madh. Mirëpo ndodhi që kombëtarizmi im shkoi prapë në muze. Me idealin kombëtar po spekulohet nga politika. Mosbesueshmëria e madhe të çon në “fletën e bardhë” dhe “Kryq fletës” Kjo duhet kuptuar se është  një klithmë, alarm pambarim se e keqja na ka uzurpuar demokracinë.

 – A duhet votuar?

 – Domosdo që duhet votuar, si hap i parë, për të mos lejuar veprën që po përgatitet më pas, “shenjtërimin” e Sali Berishës në një mandat të tretë.  Dy kampet po i afrohen ditës së ndeshjes, e cila ta zëmë se është një Albulenë, apo fusha e Albulenës ( Ujëbardha, pak më tej Mamurrasit ). Ato janë ushtritë, tashmë të stërvitura dhe me thonj e me dhëmbë po i aviten njëra-tjetrës, siç thonë për të bërë Rrotacion. Edhe unë e dua ndryshimin, sepse kërkoj dinamikën.  Ky ndryshim mund të mos jetë  ai i duhuri, por ama çon në një pikëvrojtim të ri të raportit të forcave, për nisjen e një ndeshjeje tjetër vendimtare…Në këtë kuptim, (për t’i dhënë vetes time një justifikim), do marrë rrugën për t’ia dhënë votën “rotacionit” , por jo asaj që është brenda meje si ideal i parealizuar. Kjo do të jetë vetëm simbolika ime.

–  Kësisoj, a mund të themi se jo vetëm do të kemi stanjacion, por një kthim mbrapa të integrimit, edhe pse u votuan 3 ligjet?

 – Unë mendoj se ne jemi, tashmë të kthyer prapa, qysh nga Gërdeci e këndej,  edhe pse jemi në NATO. Deri sa nuk kemi përparim ekonomik, derisa nuk kemi mirëkuptim dhe kur urrejtja vijon e shtohet dhe njerëzit kërkojnë të emigrojnë përditë e më shumë, ky s’mund të jetë integrim, edhe pse u votuan tre ligje e më shumë.

 – Sipas jush,  me programet që kanë paraqitur, me sjelljen politike elektorale,  a mund të thoni që integrimi i Shqipërisë, është prioritet politik elektoral?

 – Në çdo tri fjalë, sipas një sondazhi, thuhet se, dy prej këtyre fjalëve apo shprehjesh, janë Europiane dhe Botërore. Sepse nga fjalët mendohet, gjasme se vjen Integrimi. Fushatat e sotme janë një mashtrim, me po të njëjtin skenar, i njëjti dekor me po të njëjtët personazhe. Valvola e ndjenjave të shqiptarëve është e mbyllur nga Politika.  Ne nuk mund të integrohemi nëse nuk ngremë në skenën e duhur të shoqërisë Demokracinë, nëse nuk zhvillojmë ekonominë.

 – Pas 23 Qershorit, procesi i integrimit do të përshpejtohet, pavarësisht se cili do të jetë fituese?

 – E nesërmja është në dorë të valvolës së mbyllur, mekanizmin e së cilës e ka prishur Sali Berisha. Në agun e asaj dite që thoni ju, do të jetë katrahura ekonomike dhe buxheti i boshatisur. Pastaj, konflikti që do të lindë nga ai “rrotacioni i famshëm ” ku pala e humbur do të ndjehet superiore sepse përpara ka një pozitë të leqendisur. Mirëpo “humbësi i madh” do të jetë sërish populli.

 – Kjo gjendje në drejtësi a do të vështirësojë  të majtën si maxhorancë e re, nëse fiton, që të zbatojë reformën që premton në drejtësi?

 – Nëse e “majta” do të lerë të njëjtin shtrat ligjor, ajo do të lehtësohet se ecën kësilloj në gjurmë të Berishës, me pushtet të kapura… Po nëse ka marrë angazhim dhe do t’i qëndrojë atij, duhet të bëjë kirurgji, por që nuk do të jetë kaq e lehtë.

 – A mund të zhdukim nga bota jonë politike, të mirën, si pikë referimi? Meqë në këtë fushatë elektorale, u bënë kapërcime të tilla ideologjike, politike, sa nuk mund t’i quajmë hope cilësore.

 –  Unë do ta quaja në një formë tjetër, këtë të “mirë” (e cila në të vërtetë është universale) Por meqë po flasim për politikën dhe demokracinë le ta themi: “E mira demokratike”, e cila na rrëzëlleu në fillim të viteve ’90-të, ishte e mezipritura, por që bëri sikur erdhi, por veçse pruri një lojë tinëzare dhe na ka kthyer shpinën. Për këtë fajin e kemi ne shqiptarët dhe kjo klasë politike që nuk shkulet. Për cilat kapërcime politike e keni fjalën? Sepse tek  ne nuk ka ideologji kombëtare, nuk ka ideologji të së majtës apo të djathtës. Shëmbëllimi është grotesk, sa nuk mund të flasësh për kapërcim cilësor. Ikja e deputetëve të së majtës gati -gati komuniste, që shkuan prapë tek Komunisti Sali Berisha (e kemi fjalën për Kaçin e Zi komunist) na rrëfen një vijë shumë të klimatizuar të moralit të shkapërderdhur, që ka një shembull pararendës atë të Ilir Metës.

– Ju faleminderit!

JA PËRSE DHASHË DORËHEQJEN NGA AK-JA

Prandaj, edhe unë më parë se të dy zotërinjtë e mësipërm, bëra një akt intelektual dhe politik, njëkohshëm, e hasa humbellën, nuk e kapërceva dot, dhe nën diellin e një dite shqiptare, dhashë dorëheqjen nga fushata, por edhe nga “synimi i votës politike”, sepse u ndodha në një truall të panjohur  (… Kjo është Shqipëria Politike mjerane…) me një gjeografi, që s’ish ajo e idealit të kërkuar shqiptar.  Edhe pse i përkisja një partie kombëtariste, sërish, kuptova se ajo  nuk ishte origjinale. ” Besimi në një ideal nuk është verbim…” pat thënë Niçja madh. Mirëpo ndodhi që Kombëtarizmi im shkoi prapë në muze. Me idealin kombëtar po spekulohet nga politika. Mosbesueshmëria e madhe të çon në “fletën e bardhë” dhe “Kryq fletës”. Kjo duhet kuptuar se është  një klithmë, alarm pambarim se e keqja na ka uzurpuar demokracinë.