Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Rama, me vizitën në Beograd, theu tabutë politike e diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë

544
Sigal

Intervistë me diplomatin  Prof. Dr. Lisen Bashkurti: “ Përtej mureve të ksenofobive”

Diplomati Prof. Dr. Lisen Bashkurti në intervistën për “Telegraf”, duke analizuar vizitën e kryeministrit Rama në Beograd, pohon se Rama theu tabutë politike e diplomatike midis Shqipërisë dhe Beogradit. E megjithatë, thotë zoti Bashkurti “Në këtë takim u vërejt qartësisht se Serbia dhe Shqipëria kanë pozicione të ndryshme lidhur me orientimet strategjike e gjeopolitike ndërkombëtare.” Zoti Bashkurti argumenton përse Shqipëria dhe Serbia janë faktorë vendimtarë të stabilitetit në Ballkan. Shpjegimi, sipas zotit Bashkurti, që politikanët shqiptarë, kudo që jetojnë, janë të përçarë edhe në  çështjet e rëndësisë kombëtare, është te  “teoria e “post-politikës” ose e “post-ideologjisë”. Kjo teori e dytë ka të bëjë më të ashtuquajturën “Rruga e Tretë” e zhvillimit modernist të politikës”.

 Prof. Bashkurti, a u thyen tabutë politike dhe diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë me vizitën e kryeministrit Rama në Beograd?

– Mjaft tabu janë thyer dhe kryesisht nga qartësia, iniciativa dhe këmbëngulja e palës shqiptare. Pa asnjë dyshim vizita e Kryeministrit Rama në Beograd dhe takimi me homologun e tij Serb, Vuçiç shënojnë një hap shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë.

 A ka pasur pararendje ky moment  historik shqiptaro-serb?

– Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është histori konfliktesh për më shumë se një shekull. Gjatë kësaj periudhe ka pasur tentativa për normalizime marrëdhëniesh. Por, ato kanë ngelur sporadike dhe të paqëndrueshme. Burimi i kësaj historie jo suksesi nevojitet të kërkohet në Beograd dhe në politikat doktrinare të Garashaninit, Cubriloviçit, Andriçit, Rankoviçit, të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe së fundi të Millosheviçit. Ka qenë një trajektore ku Serbia ka aplikuar doktrinën e Serbisë së Madhe, kryesisht në kurriz të shqiptarëve me metodat e pastrimit etnik dhe kolonizimit. Në analizat e tyre shumë analistë, politikanë e diplomatë kanë bërë gabim lidhur me takimin e Enver Hoxhës me Titon mbas Luftës së Dytë Botërore, duke e bërë krahasim si takim shqiptaro-serb. Kjo nuk është e saktë. As Tito nuk ishte serb. As Federata Jugosllave e AVNOJ-it nuk ishte Serbi. Vetëm vendi ishte i njëjtë, Beogradi. Josip Tito gjithnjë ka përfaqësuar interesa të ndryshme me ato të nacionalizmit serb. Ndërkohë, që Serbia ishte republike brenda Federatës Jugosllave, e cila ishte multinacionale dhe subjekt i marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare. Serbia u subjektivizua si shtet-kombëtar unitar në marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare fillimisht në Berlin, 1878 e pastaj në vitin 2006, kur u nda Unioni Serbi-Mali i Zi. Pra, takimi Rama-Vuçiç ishte vërtetë historik, unik dhe i pari i këtij niveli dhe i këtij formati, kur Shqipëria dhe Serbia gëzojnë të njëjtin status ndërkombëtar. Por, nga pala shqiptare ka pasur përpjekje për një politikë të hapur dhe dialoguese me Serbinë edhe gjatë viteve të tranzicionit. Kështu ish zëvendës Kryeministri e Ministri i Jashtëm në periudhën 2002-2004, Ilir Meta bëri përpjekje shumë të mëdha për të ndërtuar urën e dialogut Shqipëri-Serbi, madje në rrethana mjaft të komplikuara, kur plagët e Serbisë në Kosovë ishin ende të hapura dhe kur statusi i saj ishte në dilemë ndërkombëtare.

A mund të flasim për ndonjë negativitet (politik apo diplomatik) që u shkaktua nga kjo vizitë?

– Në këtë takim u vërejt qartësisht se Serbia dhe Shqipëria kanë pozicione të ndryshme lidhur me orientimet strategjike e gjeopolitike ndërkombëtare. Shqipëria është e vendosur në vektorin Euro-Atlantik, ndërsa Serbia është vendosur në vektorin Euro-Aziatik. Shqipëria është e angazhuar në NATO dhe aleatja më e fuqishme e ShBA në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Serbia ka marrëveshje tekniko-ushtarake me Putinin dhe është aleatja më e madhe e Federatës Ruse. Pikëpjekja për të dy vendet është Bashkimi Evropian. Pikëndarja midis dy vendeve është orientimi strategjik e gjeopolitik ndërkombëtar, Shqipëria Euro-Atlantike ndërsa Serbia Euro-Aziatike. Kjo asimetri shqiptaro-serbe përbën një situatë strategjike dhe gjeopolitike të komplikuar të krijuar nga “putinologjia”. Putinologjia është doktrina e ringjalljes së gjeopolitikës tradicionale ruse nga “Pjetri i Madh” te “Stalini i Madh”. Kjo asimetri shqiptaro-serbe në aspektet strategjike e gjeopolitike përbën një situatë krize latente në Ballkanin Perëndimor dhe mbart rrezikshmëritë e veta në çdo kohë. Gjithashtu, kjo ndarje në vektorë diametralisht të kundërt strategjik e gjeopolitik shqiptaro-serbe pengon procesin e normalizimit të shpejtë dhe të bashkëpunimit të gjerë Shqipëri-Serbi si dhe ngadalëson integrimin e dy shteteve dhe popujve tanë në BE. Por, të jemi realistë, as Shqipëria dhe as Serbia nuk kanë fuqinë e duhur kombëtare dhe ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë situatë asimetrike. Fuqitë politike ndërkombëtare, kryesisht SHBA, NATO, BE dhe Rusia kanë mundësitë e duhura për të ndikuar në këtë aspekt.

– Diplomacia dhe politika  e qeverisë ( apo e qeverive) a ka bosht dhe vizion të qartë e të qëndrueshëm  dhe vijueshmëri për Ballkanin?

– Mendoj se në strategjinë tonë në Ballkanin Perëndimor jemi më të qartë dhe më të qëndrueshëm se Serbia. Dhe këtë e them si për shtetin shqiptar, për shtetin e Kosovës dhe për mbarë komunitetin etno-kulturor shqiptar në Ballkan. Dy shtetet shqiptare kanë të njëjtën strategji rajonale. Mbarë shqiptarët janë në mënyrë të vetëdijshme të orientuar drejt strukturave Euro-Atlantike.

Përse, sipas jush, Shqipëria dhe Serbia janë faktorë kryesorë  të politikës  dhe stabilitetit në Ballkan?

– Ka shumë arsye, por më të ndikueshmet janë arsyet gjeopolitike. Shqipëria është vendi më i rëndësishëm bregdetar në Ballkanin Perëndimorë. Shqipëria është portali i BE dhe kufi i jashtëm i saj. Pra, e thënë ndryshe, Shqipëria është porta hyrëse për nga Perëndimi drejt Lindjes dhe porta dalëse për nga Lindja drejt Perëndimit. Gjithashtu, duke qenë nyje në Ngushticën e Otrantos dhe të Korfuzit, Shqipëria është element fuqie strategjike për sigurinë Ballkanike-Mesdhetare në kohë paqe dhe në kohë lufte. Pra, Shqipëria është, në nivelin e saj “sea poëer” (fuqi detare) në Ballkanin Perëndimor. Këtu qëndron edhe rëndësia e saj në NATO dhe në BE. Nga ana tjetër, Serbia është në një pozicion strategjik nyje në qendrën e Ballkanit. Duke qenë nyje përmes saj sigurohen dinamika që reflektojnë në Lindje e Perëndim, në Evropë Qendrore dhe në Ballkan. Serbia, në nivelet e saj është “heartland”(fuqi tokësore) e Ballkanit Perëndimor. Tentativa e Serbisë është të dalë më çdo kusht në det. Për këtë Rusia po investon hekurudhën 270 km Serbi-Adriatik, përmes Republikës Serbska të Bosnje dhe Hercegovinës. Nuk ka asnjë dyshim që është e njëjta strategji si e Putinit në Krime e Sebastopul. Pra, siç shihet, pozita gjeopolitike dhe strategjike e shqiptarëve dhe serbëve është determinuese për fatet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, çdo hap që këto dy vende hedhin drejt njëri-tjetrit është njëkohësisht investim për paqen e sigurinë në Rajon. Dhe e kundërta.

 Aktualisht, në Shqipëri ngërçi politik karakterizohet me bojkotin e opozitë, në Kosovë 6 muaj që të formohet qeveria, në Maqedoni partitë shqiptare sillen si armike me njëra-tjetrën, në Mal të Zi partitë shqiptare ngaqë janë të përçara nuk arritën të përfaqësohen në Parlament. Përse ndodh kështu me faktorin politik shqiptar?

– Me disa politikanë më ndikim të lartë në Shqipëri përpara zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 jam përpjekur të argumentoj se PD do ndjekë politikën e bojkotit nëse humb zgjedhjet. Nuk ishte profeci. Ishte thjesht një parashikim i bazuar në logjikën sesi ka funksionuar pluralizmi dhe rotacionet politike në Shqipëri gjatë tranzicionit. Sot në botë ka dy teori politike të mëdha: teoria e “politikës partikulare që është antagoniste” dhe teoria e “post-politikës” ose e “post-ideologjisë”. Kjo teori e dytë ka të bëjë më të ashtuquajturën “Rruga e Tretë” e zhvillimit modernist të politikës. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi është rrënjosur dhe po aplikohet teoria e “politikës partikulare”, pra të antagonizmit politik. Vendet e zhvilluara demokratike dhe bota e civilizuar po e lënë pas këtë politikë antagonizmi. Kjo prirje moderne ka të bëjë me ndryshimin e natyrës së politikave publike, të cilat po ndikohen kryesisht nga shoqëritë, komunitetet lokale, konsumatori universal, shijet e përbashkëta të njerëzve në botë si dhe nga teknika, teknologjia, komunikimi e informacioni global. Ndryshimi i politikave publike ka zbutur antagonizmat politike pluraliste, duke shkuar përtej politikave partikulare dhe ideologjive tradicionale. Edhe shqiptarët do të kalojnë në këtë proces. Si në shumë aspekte të tjera, edhe në trendet politike bashkëkohore jemi më mbrapa se të tjerët.

– Sipas jush, me maxhorancën e re, çfarë risi (qoftë edhe negative) ka tashmë në diplomacinë tonë?

– Nëse ka një dimension koherent politika shqiptare, ky element vihet re në politikën e jashtme. Fatmirësisht, ca nga alternativat e ngushta, ca nga presioni ndërkombëtar aktorët e politikës shqiptare përgjatë tranzicionit kanë pasur koherencë në politikën e jashtme. Nuk mund të themi që kjo koherencë është përcjellë kurdoherë edhe në shërbimin diplomatik shqiptar. Ky i fundit ka vuajtur ndjeshëm goditjet e pasojat e tranzicionit, të politikave partikulare, të klientelizmit, nepotizmit e që të marra së bashku e kanë dobësuar mjaft efikasitetin e diplomacisë shqiptare. Ky dëm është bërë sidomos në nivelet e diplomatëve të lartë. Nuk jam dakord me shkurtimet që i bëhen financave të shërbimit diplomatik si dhe me reduktimet e stafeve diplomatike jashtë shteti. Dihet kosto e jetës në Paris, Berlin, Uashington, apo Tokio. Por, diplomatët jetojnë në komunitetin e tyre në botë. Ky komunitet ka një standard. Këtë standard shteti ynë duhet t’ua plotësojë edhe diplomatëve tanë. Nuk ka më keq sesa të jetosh në komunitetin diplomatik ndërkombëtar e të diskriminohesh thjesht për shkaqe financiare. Gjithashtu, do thosha se diplomacia jonë ka disa elementë që duhet t’i pasurojë: së pari, të jetë më pro-aktive dhe jo retro-aktive; së dyti, të ketë më shumë aksion dhe më pak deklarativizëm e retorikë; së treti, të jetë më publike, sepse ka çështje publike, ka marrëdhënie publike, por ka edhe diplomaci publike; së katërti, të jetë më e fokusuar të tërheqja e investimeve të huaja, pra të zhvillojë më mirë diplomacinë ekonomike, si më kulmorja në kohët tona; së pesti, të ngremë më lart diplomacinë kulturore, sepse etno-kultura është pasuria jonë më e madhe dhe: së fundi, gjithë energjitë t’i përdorim për të ri-konceptuar në mënyra radikale diplomacinë lotuese, përmes emigracionit dhe diasporës shqiptare kudo në botë. Këtë aset njerëzor e kemi lënë fare pasiv, ndërkohë qe është pasuria jonë me e madhe ndërkombëtare.

 Përse ende  në klimën tonë politike mbizotëron konfliktualiteti deri në ekstrem, sikurse është bojkoti kohëgjatë i opozitës nga Parlamenti, kur ndërkohë duam të bëhemi europianë?

– Për mua, këtu kemi të bëjmë me moskuptim të thelbit të demokracisë dhe të natyrës substanciale të Bashkimit Evropian. Një politikë konfliktuale, antagoniste, përjashtuese apo vetëpërjashtuese nuk ka asgjë të përbashkët me parimet e vlerat e demokracisë liberale dhe as me natyrën e vetë Bashkimit Evropian si një organizatë sui generis. Është kryekëput përgjegjësi e lidershipit politik shqiptar. Nuk përjashtohen edhe faktorë që ndikojnë nga jashtë, ose e thënë me fjalë të tjera qendra gravitacionale ndërkombëtare me kahe të ndryshme e të kundërta. Por, pa hyrë në konspiracion do thosha se konfliktualiteti nuk mund t’i faturohet kurrsesi popullit shqiptar, traditës së tij të vjetër e të re. Një popull që lartëson harmoninë fetare në nivele të brand-it ndërkombëtar dëshmon se e ka paqen në shpirtin e tij.

 Mendoni se kjo maxhorancë ka ndryshuar sjelljen e saj në marrëdhëniet me opozitën, sikurse ishte premtimi i saj elektoral?

– Mendoj para së gjithash se opozita ka vend të përmirësojë sjelljen e saj e të heqë dorë nga bojkoti. Këtë përmirësim duhet ta bëjë jo për maxhorancën, por para së gjithash për votuesin e vet dhe për mbarë vendin. Një forcë politike që kërkon votë parlamentare dhe merr atë duhet ta përdorë në dobi të qytetarëve. Bojkoti në thelb është injorim i votës së qytetarëve. Pra, opozita ka ndryshuar sjelljen ndaj qytetarëve të saj. Palët në pluralizëm duhet të matin sjelljen jo vetëm me njëra-tjetrën, por mbi të gjitha me votuesit e tyre. Bojkoti i kthen kurrizin qytetarëve dhe krijon vakume që mund t’i shpërdorojë çdo pushtet.

A kemi një qeverisje ndryshe të së Majtës, nga ajo e maxhorancës që humbi në 23 qershor 2013?

– Nuk ka asnjë dyshim, se ka ndryshim thelbësor. Vendi po lë pas disa plagë shumë të rënda, siç janë droga në mbarë Shqipërisë; komercializimi i sistemit të arsimit të lartë; dalja e territorit jashtë kontrollit të shtetit ligjor nga ndërtimet pa leje; abuzimet e skajshme e të tejzgjatura me energjinë elektrike, duke filluar nga shteti, biznesi e deri te qytetarët; efikasiteti i administratës së fryrë e të korruptuar të pushtetit vendor. Të gjitha këto plagë po shërohen me operacione të shumta e të forta. Natyrisht, janë shumë reforma dhe brenda një kohe të shkurtër. Ka një gjendje radikalizmi në përgjithësi. Do preferoja që t’i jepet më shumë kohë vendit e popullit për t’i observuar në mënyrë më evolutive këto reforma. Gjithashtu, do thosha që mjaft nga këto reforma të domosdoshme kërkojnë që të ndërhyhet më shumë në dimensionin sektorial e struktural, sesa direkt mbi qytetarët. Nevojitet të jemi më të kujdesshëm edhe ndaj rekomandimeve që na vijnë nga jashtë, qoftë edhe nga BE. “Masat e ashpra” të BE nuk i mban dot menjëherë kurrizi i dobët, i shtypur e i varfër i qytetarit shqiptar. E them këtë që të ruajmë frymën europeiste të popullit tonë e të mos e bëjmë më duart tona euroskeptik. Kjo është sfidë përtej të majtës e të djathtës.

Takimi Vuçiç – Rama në Beograd

Cilat ishin vlerat pozitive e kësaj vizite?

– Së pari, të dy shtetet hodhën hapin e parë të këtij niveli politiko-diplomatik pa ndërmjetësim ndërkombëtar. Me këtë dhanë shembull mjaft pozitiv, sepse në Ballkan dialogu i drejtpërdrejtë është një vlerë mjaft e munguar. Së dyti, të dy palët parashtruan qartazi dhe publikisht pozicionet e tyre lidhur me Kosovën, si shtet i pavarur e sovran. Kryeministri Shqiptar mbrojti statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran si dhe i bëri thirrje publike Serbisë që të njohë realitetin Kosovë, në radhë të parë si vlerë për sigurinë në Rajon e më gjerë. Së treti, të dy palët arritën që të shohin përpara me projektet e natyrës evropiane, nëpërmjet marrëveshjeve të firmosura. Historia nuk zuri vend në agjendat e dy kryeministrave, ç’ ka i dha motivim dialogut për të tutje në të ardhmen. Së katërti, të dy palët ruajtën frymën pozitive në dobi të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon. Ato u dakorduan që çdo problem të shtrohet hapur dhe të zgjidhet në rrugë demokratike e me mjete politiko-diplomatike. Së pesti, të dy palët mbështetën pa mëdyshje agjendën e integrimit në Bashkimin Evropian. Madje të tre marrëveshjet e firmosura janë në frymën dhe në standardet e BE.

–          Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA