Presidenti Meta vlerëson Shtëpinë Botuese “Buzuku” me titullin “Naim Frashëri”

445
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi Shtëpinë Botuese “Buzuku” me Titullin “Naim Frashëri”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të çmuar si shtëpia botuese e parë dhe e pavarur me përmasa mbarëkombëtare e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Botuese e shumë veprave artistike, historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne të dekorimit, mes të cilëve ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë Naid Hasani, botuesi nga Prishtina Abdullah Zeneli, publicistë dhe shkrimtarë, Kreu i Shtetit u shpreh:

“I nderuar z. Zeneli, të nderuar pjesëmarrës, personalitete të kulturës, të diplomacisë, së artit dhe të gjitha fushave.

30 vite më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para shtëpi botuese e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.

Kjo nismë sa e dobishme aq edhe e guximshme lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës ‘Rilindja’.

“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori.

Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore, pa lënë në harresë edhe përkthimet e shumta nga letërsia më e mirë botërore.

Por, një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.

Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z. Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.

Në këtë trashëgimi rilindase do të vlerësohet nga historia jonë edhe roli paraprijës që luajti ‘Buzuku’ për t’u shndërruar në vatër të rrezatimit kulturor për shoqërinë, duke shkuar përtej veprimtarisë së një enti të zakonshëm botues.

Do doja të përmendja dy fakte:

Organizimi i panairit të parë të librit në Prishtinë fill pas çlirimit të vendit, në nëntor 1999, duke hedhur kështu themelet e një tradite mbarëkombëtare në shërbim të librit si dhe themelimin pak javë më vonë, në janar 2000, të shoqatës së botuesve të Kosovës.

Themelimi i kësaj shoqate ishte një hap me rëndësi të veçantë për t’i dhënë kuptim lirisë në një Kosovë të pavarur e demokratike, ku fjala e lirë do të ishte e shenjtë njëherë e përgjithmonë.

Nuk është rastësi emri i kësaj shtëpie botuese. Gjon Buzuku është një monument i madh i identitetit kulturor shqiptar.

Është fisnikëri të jesh i rrethuar me libra, siç thotë vetë Abdullah Zeneli. Libri do të thotë përparim. Nëpërmjet kësaj fjale për Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ dëshiroj të përgëzoj të gjithë botuesit shqiptarë kudo janë dhe t’ju përcjell vlerësimin e tim të lartë për punën e shkëlqyer që bëjnë në shërbim të letërsisë dhe kulturës tonë kombëtare!

Duhet të pranojmë se institucionet shtetërore në Tiranë ende nuk po arrijnë t’i përgjigjen si duhet ëndrrës së botuesve dhe nevojës shoqërore e kombëtare të shqiptarëve për t’i zhdukur barrierat që pengojnë unifikimin e hapësirës shqiptare kur është fjala për qarkullimin e lirë të librit.

Të nderuar miq,

Jam i lumtur që më jepet rasti në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të shpreh mirënjohje dhe vlerësim për shtëpinë botuese ‘Buzuku’, duke i akorduar Titullin ‘Naim Frashëri’.

Së fundi më lejoni t’i uroj shtëpisë botuese ‘Buzuku’, dhe themeluesit të saj Abdullah Zeneli jetë të gjatë dhe suksese në misionin e tij.

Faleminderit!