(Ç)Vlerësojnë LANÇ, duke damkosur heronjtë e saj dhe heroizojnë vrasësit e patriotëve të Kombit

489
Sigal

Kur rishikimi i historisë fillon dhe mbaron me rehabilitimin e tradhtarëve e kolaboracionistëve

Me rastin e 70 Vjetorit të çlirimit të Atdheut, qeveria dekoron Vito Kapo me “Medaljen e Mirënjohjes”. I menjëhershëm ishte reagimi i ashpër i gjithë atyre, që në këto 24 vjet të tranzicionit politik, në emër të …demokracisë, mundohen të përbaltin heroizmin e popullit shqiptar në LANÇ dhe, njëkohësisht, në emër të martirizimit të viktimave të sistemit komunist,  të heroizojnë kolaboracionistët, që vranë popullit në natën e 4 shkurtit 1944, në rrugicat e Tiranës.

Rehabilitimi i tradhtarëve të Kombit, në emër të demokracisë

Viti 2012, do të mbetet në Historinë, si një njollë turpi, e shkruar nga qeveria shqiptare, për rehabilitimin e një tradhtari të Shqipërisë, i cili shiti trojet e Shqipërisë më 1924 për të rrëmbyer pushtetin, të cilin, më vonë, për 15 vjet, e ktheu në një kobure kundër gjithë patriotëve të Kombit. Dhe, për epilogun e tij historik, ky tradhtar i Shqipërisë, më 1939 tradhtoi Shqipërinë te fashistët italianë dhe u arratis nga Shqipëria, duke vjedhur gjithë thesarin e Shqipërisë. Historianët heshtën, dhe në rastin më të turpshëm, ata edhe shkruan faqe lavdie të këtij tradhtari, të rehabilituar nga  kryeministri, duke referuar vetëm disa merita, por që nuk guxuan t’i përmendnin  asnjë germë nga tradhtia ndaj Atdheut, shitjen e trojeve shqiptare mbretërisë serbe dhe vjedhjen e floririt, por as vrasjen e qindra patriotëve shqiptarë, që i kishte kundërshtarë politikë. Madje këta kalemxhinj historianë dhe servilë të politikës, nuk guxuan të reagojnë përse qeveria e 2012-s, në kuadrin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar, eklipsoi kontributin historik të Ismail Qemalit e të gjithë patriotëve që kontribuuan për Pavarësinë e Shqipërisë! As politika, e sidomos e majta, nuk reagoi, duke u trembur se këta revanshistë të historisë do ta akuzonin të majtën politike, si bijtë e “Bllokut”. Jo vetëm kaq. Por, në Pallatin e Brigadave Sulmuese Partizane ( heroizmi  i LANÇ është mishëruar edhe në emërtimin e objekteve, që as revanshizmi i kolaboracionistëve nuk guxon që ta prekë) gjithë politika, si servilë kokëposhtë, shkojnë dhe bekojnë një libër kushtuar pikërisht tradhtarit të Shqipërisë, vrasësit të patriotëve të Kombit. Dhe, e gjithë kjo paradë revanshizmi, në emër të rishkrimit të historisë, duke rehabilituar tradhtarët e Atdheut. Një pyetje vetëm për këta revanshistë. Gjitha ata patriotë të Kombit, që satrapi Zog i vrau si kundërshtarë politikë, a mund të nderohen në Histori bashkë me vrasësin e tyre?

Sistemi komunist nuk baltos heronjtë e LANÇ

Vito Kapo, u dekorua me “Medaljen e Mirënjohjes nga qeveria me një motivacion të përcaktuar qartë. “Për kontributin si pjesëmarrëse në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë”. Nga gjithë baltosësit revnashistë pseudodemokratë, asnjë nuk guxoi që të dyshojë kontributin e Vito Kondit si partizane dhe si një udhëheqëse e rinisë komuniste në LANÇ. Por, njëkohësisht, asnjë nga po këta baltosësit revanshistë pseudodemokratë nuk provoi që Vito Kapo, edhe si ministre e Ramiz Alisë, tradhtoi Atdheun, shiti trojet shqiptare, vodhi floririn e Shqipërisë! Vito Kapo në sistemin komunist zbatoi ideologjinë e politikën e sistemit. Kjo është, sot, errësira biografike, nëse mund ta cilësojmë duke e parë nga thjerrëzat e demokracisë pluraliste. Por, gjithsesi, kjo errësirë biografike mund t’i mohojë historikisht, kontributin e meritën e saj në LANÇ. Ndryshe është vlerësimi historik i  satrapit Zog. Atdheu tradhtohet një herë dhe kurrë nuk mund të ketë rehabilitim historik për tradhtarët e Atdheut e të Kombit. Ndaj, satrapi Zog nuk mund të rehabilitohet në Historinë e Shqipërisë, por duhet të qëndrojë në koshin e saj, për ta përmendur, ndonjëherë, vetëm për ndonjë meritë, nëse arkeologët historianë, i gjejnë. Nga ana tjetër dhe njëkohësisht, revanshistët dhe  pinjollët e kolaboracionistëve të LANÇ mundohen që të heroizojnë vrasësit e popullit në natën e 4 shkurtit 1944, me pretekstit grotesk-komik ( të ambalazhuar me etiketimin demokratik të luftës kundër komunizmit), se kolaboracionistët ishin viktima të komunistëve!!!

Qeveria nuk mund të bëjë dot vlerësimin historik me strukturat e  posaçme të dekorimit

Qeveria u tremb nga dam-damet e revanshistëve të historisë. Ndaj, që të mos bëjë ndonjë “gafë” politike, qeveria e tanishme, vendosi të ngrejë një strukturë të posaçme dekorimi, ku përcaktohen rregulla të qarta se kush meriton të mbajë në “gjoks” një dekoratë. Lind pyetja: Përse edhe vlerësimin e kontributeve në LANÇ, duhet ta japë qeveria? Nëse qeveria ka dëshirën e mirë që të vlerësojë kontribute, le t’i referohet historisë, dhe jo nëpunësit e saj burokratë dhe të politizuar të jenë ata që të përcaktojë kritere për vlerësime kontributesh të LANÇ. Kështu, dashur, pa dashur, qeveria e çon rrjedhën e  historisë në mullirin e revanshistëve dhe kolaboracionistëve të LANÇ, duke rivrarë edhe njëherë dëshmorët dhe heronjtë që i vranë bashkëpunëtorët e fashistëve dhe nazistëve.

Jakup B. GJOÇA