Prof. Dr. Kristaq Kume: Numërimi në qendrat e votimit, zgjidhja për vonesat dhe manipulimet

‘Kosova i nxjerr rezultatet për 3 orë, Shqipëria pret ditë’

 

Në këtë kuadër, propozimi për të numëruar votat në qendrat e votimit është një hap i rëndësishëm. Ky ndryshim duhet të shoqërohet me rregullime të tjera në administratën zgjedhore, si dhe me një angazhim të fortë nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë për të respektuar rregullat demokratike dhe për të shmangur manipulimet dhe abuzimet. Kjo është e rëndësishme për të ruajtur cilësinë e procesit zgjedhor dhe për të siguruar që çdo zgjedhës të mund të shprehë vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe të paanshme.

NOA

Kosova shpall rezultatet zgjedhore brenda 3 orëve, ndërsa Shqipëria i merr disa ditë. Ky hendek kohor ka ndezur një debat të ashpër dhe ka nxjerrë në pah ngadalësinë e procesit të numërimit të votave në vendin tonë.

Në një intervistë, Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, theksoi se ky ndryshim ka shkaqe të qarta: metodologjia e numërimit të votave. Ai shpjegoi se në Kosovë, rezultati politik shpallet menjëherë në qendrat e votimit, ndërsa në Shqipëri, kutitë mblidhen dhe numërohen në një qendër të vetme, duke shkaktuar vonesa të panevojshme.

Ky sistem i centralizuar, i miratuar pas vitit 2003 për të luftuar korrupsionin dhe manipulative, tani është i vjetruar dhe më pak efikas. Kume argumentoi se teknologjia moderne, si identifikimi biometrik dhe kamerat në qendrat e votimit, ka krijuar mundësinë për rikthimin e numërimit direkt në vendvotim, duke e bërë procesin më të shpejtë, më të kontrolluar dhe shumë më transparent.

Pjesë nga deklarata:

Nëse partitë politike në Shqipëri do të bien dakord dhe ndryshojnë mënyrën se si administrohet vota pas përfundimit të procesit të votimit, duke përfshirë vlerësimin dhe numërimin e votave, atëherë kjo do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm nga sistemi që përdoret aktualisht. Tani, kutitë e votimit mblidhen dhe numërohen në mënyrë të përqendruar, në një vend të caktuar. Por, po të shikojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, mund të shohim se ky proces mund të bëhej në mënyra të tjera. Për shembull, para vitit 2003, rezultati i zgjedhjeve shpallej direkt në qendrat e votimit, pra nuk kishte një centralizim të tillë të numërimit të votave. Kjo ishte një mënyrë shumë më e thjeshtë dhe më të drejtpërdrejtë për të dalë me një rezultat politik të zgjedhjeve, por gjithashtu kishte disa pasiguri dhe mangësi, që kërkonin një ndryshim të thellë.

Nëse do të realizohej një ndryshim në mënyrën e numërimit të votave, për të shpallur vetëm rezultatin politik në qendrat e votimit dhe jo të centralizohej gjithçka siç bëhet tani, atëherë mund të thuhet se do të ishte një ndryshim i vogël në krahasim me atë që ndodh në Kosovë, ku rezultati politik shpallet menjëherë në qendrat e votimit. Megjithatë, një ndryshim i tillë nuk do të sillte ndonjë ndryshim të madh mes mënyrës se si bëhen zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri, pasi kjo ka të bëjë kryesisht me metodologjinë e ndryshme që përdoret. Kosova shpall rezultatin politik të zgjedhjeve në qendrat e votimit, por pas kësaj, votat e tjera, si ato për kandidatët e listës dhe votat e diasporës numërohen më vonë në vendet e numërimit të votave.

Kjo është arsyeja pse propozimi që është bërë tani për të ndryshuar mënyrën e numërimit të votave është një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund praktikave të përqendruara që kemi sot dhe për të pasur një sistem më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm për të gjithë. Kjo do të ishte një ndryshim që mund të bëhej për të miratuar dhe standardizuar procesin zgjedhor në Shqipëri dhe për të sjellë më shumë transparencë dhe efikasitet. Një aspekt kyç i këtij propozimi është mundësia për të shpallur rezultatet më shpejt, duke e bërë sistemin më të ngjashëm me atë që ndodh në shumë shtete të tjera, ku rezultati shpallet brenda disa orësh, dhe jo pas dy-tre ditësh si ndodh aktualisht.

Megjithatë, është e rëndësishme të kuptojmë se ky propozim është vetëm një pjesë e një reforme më të gjerë zgjedhore, e cila kërkon edhe ndryshime të tjera, si depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe një administratë zgjedhore më të pavarur. Ky është një aspekt i rëndësishëm, sepse një pjesë e madhe e problematikave, që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara lidhen me ndikimin e partive politike mbi procesin zgjedhor, duke krijuar mundësi për abuzime dhe manipulime.

Për t’u ndalur në historinë e administrimit të votave, mund të themi se ndryshimi, që ka ndodhur që nga viti 2003 ishte i nevojshëm për të adresuar disa fenomene negative që kishin ndodhur para kësaj periudhe. Disa nga këto fenomene ishin ndërhyrjet në kutitë e votimit, mungesa e transparencës në administrimin e votave në qendrat e votimit, dhe problemet e shumta që shfaqeshin në zonat rurale, ku mund të kishte abuzime nga komisionerët dhe ndihmësit e tyre. Kjo situatë e pasigurt kërkoi një rishikim të thellë të procesit zgjedhor dhe një ndryshim të sistemit për të rritur transparencën dhe kontrollin mbi çdo hap të procesit.

Për të adresuar këto probleme, u vendos që të përdorej një sistem më të centralizuar për numërimin e votave, duke siguruar që ky proces të ishte më transparent dhe i monitorueshëm nga subjektet zgjedhore, si dhe nga vëzhguesit e jashtëm. Ky model është frymëzuar nga praktikat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ka sjellë një përmirësim të dukshëm në menaxhimin e procesit zgjedhor.

Një element tjetër që ka përmirësuar procesin zgjedhor në Shqipëri është përdorimi i teknologjisë. Qendrat e votimit tani janë të pajisura me kamera që monitorojnë çdo hap të procesit dhe çdo veprim të komisioneve të votimit. Po ashtu, identifikimi biometrik i zgjedhësve është një hap tjetër që ka kontribuar në rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë në zgjedhje. Këto zhvillime teknologjike kanë ndryshuar plotësisht situatën, duke krijuar një nivel maksimal transparence dhe kontrolli, që nuk mund të krahasohet me sistemin që kishim para dy dekadash.

Në këtë kuadër, propozimi për të numëruar votat në qendrat e votimit është një hap i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një proces zgjedhor të pastër dhe të besueshëm. Ky ndryshim duhet të shoqërohet me rregullime të tjera në administratën zgjedhore, si dhe me një angazhim të fortë nga të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë për të respektuar rregullat demokratike dhe për të shmangur manipulimet dhe abuzimet. Kjo është e rëndësishme për të ruajtur cilësinë e procesit zgjedhor dhe për të siguruar që çdo zgjedhës të mund të shprehë vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe të paanshme.