Prof. Dr. Kristaq Kume, Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve

506
Sigal

 

Vlerësoj se zgjidhja e problemit që lidhet me Kolegjin zgjedhor është e domosdoshme të realizohet si një zgjidhje konsensuale, si zgjidhje që nuk duhet të lejojë shteg për implikim me të tjera refoma. Mundësitë për të gjetur një zgjidhje të tillë egzistojnë. Vullneti i përbashkët është faktor kryesor për gjetjen e saj.

Është koha  për një  administratë zgjedhore jo partiake

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Kristaq Kume, Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve në intervistën për gazetën “Telegraf”, si pjesëmarrës në konsultimet për reformën zgjedhore, shprehet se për çdo here, partitë poilitike nuk duan që të ketë një adminsitratë zgjedhore jopartiake, të pavarur dhe profesionalisht të përgatitur, ndërkohë që shprehet se të dy variantet e PS-së dhe PD-së të paraqitura në Këshillin Politik kanë kufizime. Prof. Dr. Kume, si ish kryetar i KQZ-së pohon se kryekomisioneri i adminsitratës Zgjedhore duhet të jetë i pranueshëm nga të gjithë palët dhe të ketë një mandat shumëvjeçar. Prof. Kume shprehet pro identifikimit biometrik të votuesve në të gjithë Shqipërinë, për të minimizuar votuesit që votojnë disa herë.

-Prof. Kume, PS-ja  kërkon depolitizimin e KQZ-së, duke emëruar komisionerët e numëruesit e votave me nëpunës të shtetit. PD kërkon që krahas tyre të ketë edhe vëzhguesit politikë. Përse nuk ka një dakordësi mazhorancë -opozitë për këtë? Në kushtet aktuale, cila është mënyra më e mirë e funksionimit të KQZ-së, që do t’i jepte besueshmëri procesit të votimeve?

– Në raportet përfundimtare për zgjedhjet, në veçanti pas zgjedhjeve të vitit 2013, misionet e Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR, kanë rekomanduar, në mënyrë të përsëritur, nevojën për ndërtimin e një administrate zgjedhore jopartiake, të pavarur dhe profesionalisht të përgatitur. Deri sot, ky rekomandim nuk është marrë në konsideratë nga partitë politike, në veçanti prej PS-së e PD-së që kanë patur edhe fuqinë legjislative për ta realizuar. E shumta që ato kanë bërë, kanë qënë vetëm deklaratat politike për gatishmërinë për ta trajtuar këtë rekomandim. Në tavolinën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, për trajtimin dhe gjetjen e zgjidhjes për rregullat dhe mënyrën se si duhet të ndërtohet administrata zgjedhore, janë dy propozime. Mazhoranca mbështet variantin e hartuar nga grupi i teknikëve dhe që ka qenë pjesë e punëve të bëra prej Komisionit parlamentar ad hoc për reformën zgjedhore përpara se të institucionalizohej Këshilli Politik. Opozita e bashkuar jashtë parlamentare e ka paraqitur opsionin e saj për zgjidhjen e këtij problemi, në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore. Në opsionin që mbështetet nga mazhoranca trajtohet e gjithë administrata zgjedhore, nga KQZ-ja dhe deri tek Grupet e numërimit të votave, ndërkohë që, në propozimin e opozitës jashtë parlamentit, KQZ-ja nuk është përfshirë. Sipas variantit që ka mbështetjen e mazhorancës, Njësia e Administrimit të Zgjedhjeve, (NJAZ, KZAZ e sotme), duhet të përbëhet nga 4 anëtarë dhe 2 sekretarë. Këta duhet të jenë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, që emërohen nga KQZ-ja, me barazi gjinore, me short, midis personave të trainuar si administratorë zgjedhorë në sistemin e trajnimit të KQZ-së. NjAV-i (Komisioni në qendrën e votimit)  propozohet të ketë tre zyrtarë zgjedhorë, me përfaqësim të garantuar gjinor: zyrtari mbikëqyrës, zyrtari i qartësimit të votuesve dhe  zyrtari i procedurave të votimit. Ata emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si administratorë zgjedhorë në sistemin e trajnimit të KQZ-së.  Njësia e Administrimit të Numërimit propozohet të formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga dy zyrtarë zgjedhorë që emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trainuar si administratorë zgjedhorë në sistemin e trainimit të KQZ-së. Ky variant përcakton që zyrtarët zgjedhorë, të cilet KQZ do t`i zgjedh, me short, të cilët do te ngarkohen me detyrë për administrimin e procesit zgjedhor, mund të jenë shtetasit që gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe çdo shtetas tjetër me të drejtë vote, që aplikon për të qenë zyrtar zgjedhor dhe që plotëson kushtet që përcaktohen në Kodin zgjedhor. Ky variant nuk ka gjetur mbështetjen e opozitës me argumentin se, duke përfshirë në administratën zgjedhore nëpunësit civil, paraktikisht mazhoranca merr në dorë të gjithë këtë administratë. Në varianin e paraqitur nga opozita jashtë parlamentit propozohet që administrimi i procesit zgjedhor të jetë detyrë e nëpunësit që emërohet nga KQZ-ja, si administrator i procesit zgjedhor në zonën zgjedhore dhe në qendrën e votimit. KQZ-ja e zgjedh, me short, administratorin nga personat e trainuar dhe të certifikuar prej saj, si zyrtar zgjedhor. Administratori vetëm administron procesin. Puna e administratorit propozohet të monitorohet nga gjashtë persona, tre përfaqësues të mazhorancës dhe tre të opozitës, të cilët kanë dhe të drejten të marrin vendime, që janë të detyruara për t`u zbatuar nga administratori. Opozita propozon që grupi i numërimit të përbëhet nga dy zyrtarë zgjedhorë, që zgjidhen me short nga KQZ-ja, puna  e të cilëve monitorohet nga dy të tjerë, njëri përfaqësues i mazhorancën dhe tjetri i opozitës. Këta përfaqësuesë politikë kanë të drejtë të ndërhyjnë në procesin e vlerësimit dhe numërimin të votave. Nga një analizë, jo domosdoshmërisht e thelluar, e të dy varianteve, mund të konstatohet pa vështirësi se, mundësitë për të arritur në pritshmëritë që parashikon rekomandimi i përsëritur i OSBE/ODIHR-it, për ndërtimin e një administrate zgjedhore jo partiake dhe larg ndikimit të partive politike, janë dukshëm të kufizuara. Varianti i mazhorances synon të formojë një administratë zgjedhore që vetëm formalisht duket se është larg ndikimit politik, por që, në fakt do të jetë shumë e vështirë që të jetë e imunizuar nga ky ndikim. Varianti i opozitës propozon një zgjidhje që vazhdon t`i jap të drejtën vendimmarrëse në administrimin e procesit zgjedhor, përfaqësuesve politikë.

– Cila do të ishte zgjidhja që do ta bëjë procesin zgjedhor të mirëbesueshëm?

– Në vlerësimin tim, ndër rrugët që mund të ndiqen janë: Në opsionin që mbështet mazhoranca të hiqet preferenca e deklaruar dhe zotëruese për dhënien e detyrës së administratorit zgjedhor, nënpunësve civilë, për të cilët kjo konsiderohet deri si kërkesë detyruese për ta. Të drejtën për të ushtruar detyrën e administratorit zgjedhor ta kenë të gjithë shtetasit, me të drejtë vote dhe që aplikojnë, të cilët, pasi ju pranohet kërkesa, trajnohen dhe certifikohen si zyrtarë zgjedhorë prej KQZ-së. Kodi zgjedhor të parashikojë, si kushte përjashtuese për kërkesën, qenien e shtetasit anëtar i një partie politike, të paktën 5 vjetët e fundit dhe  komisioner  dhe/ose numërues, i propozuar nga partitë politike, në të paktën dy proceset e fundit zgjedhore. Opsioni i paraqitur nga opozita mund të jetë një përgjigje efektive për kërkesën e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, nëse përfaqësuesit partiakë që do të monitorojnë administratorët zgjedhorë, të mos kenë fuqi vendimmarrëse.

Cili është mendimi juaj për propozimin që në krye të KQZ-së të jetë një kryekomisioner? Cili duhet të jetë kriteri i përzgjedhjes së tij?

– Edhe kjo është një zgjidhje, e cila në vendet ku zbatohet ka krijuar një institucion të qëndrueshëm. Përshembull, në Kanada ku autoriteti për zgjedhjet është Kryekomisioneri, si institucion plotësisht monokratik, për një periudhë rreth një shekull, këtë detyrë e kanë kryer vetëm 6 persona. Në propozimin e bërë parashikohet se detyrën e kryekomisionerit mund ta marrin qytetarë që vetofrohen, qytetarë që propozohen nga grupet parlamentare, ose nga deputetët e veçantë. Kandidatët i nënshtrohen një konkurrimi me dosje në Kuvendin e Shqipërisë dhe në detyrë emërohet kandidati që merr votat e 3/5 të gjithë deputetëve. Parashikohet se në rastin kur kjo shumicë nuk arrihet, përzgjedhja bëhet me short. Drafti parashikon kushtet që duhet të plotësohen nga kandidatët. Sipas këtij propozimi, në konkurim për detyrën e komisionerit shtetëror për zgjedhjet, mund të marrin pjesë shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë, apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut. Nëse në momentin e kandidimit kandidati ka qenë në ushtrim të detyrës si funksionar, nëpunës i nivelit të lartë drejtues, apo drejtues i organizatës jofitimprurëse, ose nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, kandidatura e tij nuk pranohet.

– A është e drejtë dhe e duhur propozimi i PD-së që çështjet zgjedhore t’i shqyrtojë Gjykata Kushtetuese? A duhet të shkrihet Kolegji Zgjedhor, dhe gjykimet t’i bëjë gjykata?

– Mënyra se si duhet të formohet Kolegji zgjedhor, duke bërë kujdesin maksimal për të pamundësuar fenomene si ato të vëzhguara dhe të shtjelluara edhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, është një ndër çështjet sensitive që po diskuton Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore. Opozita jashtë parlamentit, pas kundërshtimit nga mazhoranca të propozimit të saj për mënyrën e ndërtimit të këtij institucioni, propozim sipas të cilit anëtarë të Kolegjit zgjedhor mund të zgjidhen edhe gjyqtarë që nuk e kanë kaluar procesin e vetting-ut dhe nëse zgjidhen, ata duhet të kalojnë të fundit në rradhën për t`u vetting-uar, ka paraqitur në Këshill, propozimin që detyrën e Kolegjit zgjedhor ta kryejë Gjykata Kushtetuese. Ky propozim, si ide nuk është kundërshtuar, por është kërkuar që përpara se të vendoset për të, në mënyrë konsensuale, të analizohen implikimet kushtetuese që mund ta shoqërojnë, sa dhe si e mundëson legjislacioni aktual këtë detyrë, që mund t`i jepet Gjykatës Kushtetuese.  Ndërkohë, vlerësoj se zgjidhja e problemit që lidhet me Kolegjin zgjedhor është e domosdoshme të realizohet si një zgjidhje konsensuale, si zgjidhje që, si thekson edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë, nuk duhet të lejojë shteg për implikim me të tjera refoma. Mundësitë për të gjetur një zgjidhje të tillë egzistojnë. Vullneti i përbashkët është faktor kryesor për gjetjen e saj.

– A mendoni se indentifikimi biometrik i votuesve do të kufizojë manipulimin e votës fiktive? A është i mundur të zbatohet kudo indentifikimi biometrik i votuesve?

– Përdorimi i teknologjisë së informacionit në zgjedhje është një ndër rrugët që përdoren për të rritur cilësinë në proceset e administrimit të zgjedhjeve. Theksoj se ky përdorim në asnjë rast nuk mund të shërbejë për të rritur besimin në proces dhe në rezultatin që merret prej tij. Për më shumë, duhet të theksohet se përdorimi i kësaj teknologjie duhet të bëhen vetëm mbi bazën e besimit që duhet të kenë palët për këtë teknologji dhe për përparësitë që sjell përdorimi i saj në administrimin e zgjedhjeve. Kërkesat e përsëritura dhe këmbëngulëse për perdorimin e kësaj teknologjie nga opozita dje, që është sot mazhorancë dhe kërkesat e opozitës së sotme që ishte atëhere mazhorancë, në çdo rast janë nxitur, jo nga meraku dhe synimi për realizimin e procedurave në procesin zgjedhor, sa me efektive dhe sa më rezultative. Në bazë të këtyre kërkesave kanë qenë dhe janë përdorimi i mundësive që ofron teknologjia e informacionit për të ngushtuar, sa më shumë të jetë e mundur, ndërhyrjen negative në administrimin e votës, për të zvogëluar sa më shumë efektin negativ në rezultatin e zgjedhjeve si pasojë e ndërhyrjeve jo të ligjshme në proces. Kjo qasje që kanë patur dhe vazhdojnë të kenë partitë politike ndaj teknologjisë së informacionit, e bën të vështirë diskutimin dhe vendimmarrjen për përdorimin e saj në zgjedhje. Opozita jashtë parlamentare e kërkon përdorimin e kësaj teknologjie, në mënyrë më specifike përdorimin e mundësisë që ka kjo teknologji për identifikimin biometrik të zgjedhësve, si mundësia e vetme, sipas vlerësimit të saj, për të pamundësuar shfaqjen e fenomeneve që lidhen me votimin e shumëfishtë, votimin familjar, votimin për të tjerë, në veçanti në vend të votuesve emigrantë, mbushjen e kutive të votimit.  Identifikimin biometrik të zgjedhësve, opozita e kërkon të zbatohet në të gjithë territorin e vendit. Kjo është një kërkesë e natyrshme, për sa kohë që nëpërmjet këtij identifikimi, opozita synon të arrijë objektivin e mësipërm.  Opozita e ka ngritur kërkesën e saj në një kusht të panegociueshëm sepse, vlerëson që, të gjithë garancitë e tjera, që mund të jepen në legjislacion, për integritetin e procesit zgjedhor dhe administrimin e votës, nuk mund të realizojnë pritshmëritë që parashikojnë, nëse nuk arrihet të administrohet, në mënyrë transparente dhe objektivisht të kontrollueshme, procesi i votimit në qendrën e votimit.  E artikuluar në mënyrën e mësipërme, kërkesa për identifikimin biometrik të votuesve merr peshën e një kërkese, nga plotësimi i të cilës varet, sipas opozitës, integriteti i të gjithë procesit zgjedhor dhe besimi në rezultatin që do të merret prej tij. Në se i referohemi progresit të realizuar në teknologjinë e informacioni që nga koha kur mazhoranca e kohës mori vendimin për përdorimin e teknologjisë së informacionit për identifikimin e zgjedhjësve, (projekti pilot për qarkun e Tiranës, që nuk arriti të zbatohet), nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, cilësive të kartës së identitetit, ose pasaportës së sotme, bazës kombëtare të të dhënave identifikuese të shtetasve, si dhe mundësive që ka teknologjia për të identifikuar personin nëpërmjet shenjave daktiloskopike, gishtit, kontrolli biometrik i zgjedhësve është një procedurë plotësisht e mundëshme për t`u përdorur. Nga përdorimi i tij administrimi votës do të ketë përmirësim cilesor dhe bashkë me të edhe mundesitë për të angazhuar në procesin zgjedhor një administratë të depolitizuar e të departizuar rriten në mënyrë të ndjeshme.

-Faleminderit!