Prof. Dr. Fatos Klosi: Pa ndryshuar sistemin elektoral, nuk ka dekriminalizim dhe luftë ndaj korrupsionit

431
Prof. Dr. Fatos Klosi në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se problemi i politikës tonë është mungesa e një konsensusi për problemet e mëdha dhe reformat që i duhen vendin. Prof, Klosi thotë se të inkriminuarit afron në politikë, për t’i vënë kapak të kaluarës së tyre, ndaj përgjegjësi kanë ata që i lejojnë. Ndaj duhen kritere të forta ligjore, por duhet të ndryshohet edhe sistemi elektoral, në të kundërt pohon Prof. Klosi për “Telegraf” nuk ka dekriminalizim, dhe as luftë ndaj korrupsionit. Prof. Klosi argumenton se PD e akuzon Metën politikisht. Për PD, Meta është më “vulnerabël” për arsyen që, akuzat bëhen për kohën që LSI ka qënë në koalicion me PD në qeverisje, dhe sipas PD, kjo i bën ata më të besuar për ç’ka thonë. Zoti Klosi pohon për “Telegraf” se minsitri Tahiri është më i suksesshmi si ministri që luftoi trafikimin e lëndëve narkotike, kjo i djeg PD, ndaj edhe e kanë në shinjestër.

– Zoti Klosi, rastësi e castit, që mund t’i ndodhë kujdo është ngjarja ku deputeti socialist qëllon me armë bashkëqytetarët për cështje personale? A duhet parë edhe në prizmin politik?

– Nuk e quaj dot “një rastësi të çastit”; e para, ngjarje të tilla mund t’i ndodhin vetë njerëzve që krijojnë dhe “zgjidhin” konflikte dhe e dyta, një deputet duhet të mendohet 3 herë para se të futet në konflikte të tilla, ai nuk është qytetar i zakonshëm, ai është zgjedhur për të bërë ligje, jo për t’i shkeluar ato. Në këtë kuptim, kjo ngjarje ka dhe komentin e saj politik. A e përfaqëson drejtë elektoratin socialist një deputet me sjellje të tilla, si shumica e socialistëve?- mund të pyesë cilido. Unë mendosj se jo.

– Duke parë edhe dorëheqjen e deputetit tjetër socialist Ndoka, këto a duhen vështruar në prizmin e dekriminalizimit?

– Unë mendoj se jo. Të dy këta deputet, me veprat e tyre pas zgjedhjes, e bënë të qartë se nuk meritonin të ishin anëtarë të Parlamentit. Dekriminalizimi është tjetër gjë, ai mund të realizohet, duke vendosur kritere më të forta se deri më tani, për zgjedhjen apo emërimin e të gjithë figurave të rëndësishme të shtetit. Shqipëria nuk është mangut për djem e vajza të zotë, që të detyrohemi të bëjmë lëshime në të shkuarën e kandidatëve për poste të larta në shtet.

– Mendoni se përgjegjësia politike këtu është personale, vetëm te deputetët në fjalë, apo është edhe te PS, që i zgjodhi këta deputetë?

– Më duket, se e thashë më lart. Asnjëherë nuk duhet besuar se ata që nuk meritojnë të zgjidhen, apo të emërohen do ta pranojnë një gjë të tillë, përndryshe ata nuk do t’i afroheshin politikës. Zakonisht, afrimi i të inkriminuarve me politikën iniciohet prej tyre, për t’i vënë një “kapak” të shkuarës së tyre. Kriteret e forta dhe të drejta nuk duhet të lejojnë qasje të tilla. Këta kritere duhen institucionalizuar, nuk i duhet lënë ky filtër dëshirave, apo interesave të çastit të politikës.

– Duke qënë se vetëm PD ka ngritur larr flamurin e dekriminalizimit, ju Prof. mendoni se kriminalizimi është problem vetëm te maxhoranca?

– Jo në asnjë mënyrë. PD dhe udhëheqësi i saj kanë kontributin dhe përgjegjësinë kryesore, formale dhe morale, për situatën e krijuar në politikën shqiptare. Ata janë pushtetarët më jetë gjatë në këtë periudhë tranzicioni dhe që kanë përdorur dhe shfrytëzuar ” të fortët” e krahinave. Politika e tyre vazhdimisht ka qënë në përputhje me anekdotën e vjetër, ku hajduti thërret: “kapeni hajdutin”. Natyrisht, sot, mazhoranca ka përgjegjësinë kryesore në përpjekjet që duhen bërë për dekriminalizimin e shtetit, pasi ajo e udhëhet pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv.

– Cili është problemi që shqetëson sot politikën tonë?

– Problemi kryesor i politikës shqipare është mungesa e konsensusit për problemet e mëdha të vendit, për reformat e mëdha që duhen bërë.

– Dekriminalizimi, a duhet trajtuar vecmas e shkëputur nga lufta kundër korrupsionit?

– Nuk mendoj se ka rëndësi të madhe se luftohen veçmas, apo bashkë këta dy fenomene. Janë dy fenomene që dobsojnë besimin e popullit tek shtetarët dhe vetë shteti, dukuri që lëkundin rëndë vetë themelet e shtetit demokratik, që duhet të mbështetet mbi këtë besim.

– Pse edhe kjo qeveri po dështon në luftën kundër korrupsionit?

– Nuk mendoj se qeveria po dështon në luftën kundër korrupsionit. Ndoshta hapja e shumë fronteve njëherësh në këtë luftë e bën më të vështirë luftën, pasi shpërnan vëmendjen dhe forcat. Megjithate rradhët e gjata në pagesat e energjisë, në regjistrimin e bizneseve, në pagesat e gjobave policore tregojnë se lufta nuk është e dështuar.

– Mendoni se me miratimin e reformës së shumëpërfolur në drejtësi, do të mund të luftohet korrupsioni?

– Reforma në drejtësi është ndoshta reforma më e rëndësishme që ka nevojë ky shtet. Drejtësia është një nga tre shtyllat që e mbajnë më këmbë një shtet demokratik dhe duhet patur parasysh që është shtylla që ka impaktin më të madh direkt me popullin, është korrupsioni në të që ka impaktin më direkt dhe lë njollën më të rëndë mbi shtetin, në sytë e qytetarëve. Natyrisht, shëndoshja (jo thjeshtë reforma) e sistemit të drejtësisë do të japë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, por sigurisht nuk mjafton. Në këtë luftë duhen mobilizuar të gjitha hallkat e shtetit dhe gjithë shoqëria shqiptare.

– Për të bërë dekriminalizimin, është e mjaftueshme që mazhorancë+opozitë të miratojnë draft dekriminalizimi, apo duhet ndryshuar edhe sistemi elektoral?

– Dekriminalizimi nuk është problem aq i madh sa korrupsioni, bile mund të konsiderohet dhe si pjesë e luftës kundër korrupsionit, duke patur parasysh në termin e fundit, së bashku korrupsionin ekonomik dhe politik. Siç thashë, këto reforma të mëdha kërkojnë konsensusin e të gjitha forcave politike të vendit. Ndryshimi i sistemit elektoral, do të ishte pjesë e luftës kundër korrupsionit politik, pra dhe e dekriminalizimit të politikës. Besoj se sot, shumica e popullit është aq e përgjegjëshme politikisht, sa që ta meritojë një sistem me lista të hapura, gjë që me siguri do të ndihmonte në filtrimin e kriminalitetit dhe korrupsionit politik në rradhët e të zgjedhurve.

– Prof. a ka përgjegjësi ministria e Mbrojtjes dhe SHISH për avionët e drogës që hyjnë e dalin nga Shqipëria pa u kapur nga radarët e pa u kuptuar?

– Nëse janë aq shumë aeroplanë sa propogandon opozita, atëherë kanë përgjegjësi. Aeroplanët nuk janë miza, edhe nëse fluturojnë aq ulët sa të mos kapen nga radarët, kaq ulët ata bëjnë shumë zhurma dhe nuk besoj se nuk dëgjohen nga njerëzit. Në Shqipëri zhurma të tilla do ishin përgojuar me kohë, më duket çudi që informacionet për këto “ballona”, na vijnë vetëm nga Italia. Sidoqoftë, vëmendja e organeve kompetente duhet të shtohet shumë pas këtyre informatave “kompetente”.

– Sipas jush, me përvojën tuaj, sa kemi dëgjuar, sa besueshmëri ka në intervistën e ishshefit të antidrogës për akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Tahirit?

– Asnjë, një njeriu të inkriminuar nuk do ti besoja asnjë fjalë. Ai do t’i bëjë të gjithë si vetja, për ta “zbukuruar” sado pak pozicionin e tij.

– PD e mpleks Tahirin me trafikantët e drogës, kur ministri ka dhënë rezultat në luftën kundër drogës e PD në pushtet nuk bëri asgjë. Ku është halli i PD që akuzon ministrinTahiri: Te meraku i saj kundër trafiqeve?

– Sigurisht problemi është politik. Po ta kishte mendjen PD tek droga, Lazarati nuk do të lulëzonte në kohën e saj. Tahiri është ministri i parë i brëndshëm, që po lufton me shumë këmbëngulje, duke marrë parasysh dhe vështirësistë e mëdha që ka kjo luftë në terren dhe në mbështetësit e drogës në politikë. Sukseset e tij po tregojnë se kjo luftë ka qënë e mundur dhe më parë por nuk ka qënë e dëshiruar, kjo i djeg PD-së dhe prandaj e ka vënë Tahirin në shënjestën e saj.

– E dyta herë që PD kërkon dorëheqjen e Metës, kur akuzat bien lehtë. Ju si mendoni: Pse PD kërkon dorëheqjen e Metës, kur cuditërisht PD nuk ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit?

– Problemi i akuzave ndaj Metës është politik. Për PD, Meta është më “vulnerabël” për arsyen që, akuzat bëhen për kohën që LSI ka qënë në koalicion me PD në qeverisje, dhe sipas PD, kjo i bën ata më të besuar për ç’ka thonë. Por në thelb akuzat ndaj Metës janë akuza ndaj koalicionit qeverisës, ata problemin e kanë tek qeverisja. Mesa duket, Basha e sheh në ëndërr veten, kryeministër.

– Ku qëndron vështirësia që kjo maxhorancë e madhe e ka tq vështirë të miratojë e të kryejë reformat e premtuara?

– S’më duket kështu. Reforma e madhe në drejtësi është më e madhja që ka mbetur, ajo kërkon një konsesus të gjithë forcave politike, sepse do të jetë një reforme themelore e shtetit të së drejtës; ajo duhet të mos lërë asnjë mosbesim prapa.

– A është në drejtimin e duhur qeverisja e vendit?

– Mendoj se në vija të përgjithëshme, për çështjet themelore qeveria është në drejtimin e duhur. Për detaje të dorës së dytë, ato janë aq shumë, sa qeveri dhe kryeministra të ndryshëm mund të kenë qëndrime të ndryshme, që varen nga orientimi politik, nga mundësitë, nga prioritet konkrete që vendosen etj. Le ta nxisim qeverinë të shtojë shpejtësinë në drejtimet kryesore, detajet janë fushë e diskutimeve të teknikëve, jo e jona.
Sigal