Tradhëtia me Marrëveshjen e Detit, Gjykata e Hagës, pasuritë nëntokësore, Çamëria, presidenti i ri dhe si u zëvendësua diktatura me autokracinë.
Qeveria përçan faktorin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri për t’i hapur rrugë përpjekjeve serbe e greke për të zgjeruar tokë e det
Ja inskenimet e mazhorancës për të zgjedhur e vetme presidentin e ri dhe lidhja në mënyrë simbiotike me marrëveshjen e detit me Greqinë
Migena NELI
Marrëveshja e detit me Greqinë dhe inskenimet e mazhorancës për të zgjedhur e vetme Presidentin e ri duket se janë të lidhura në mënyrë simbiotike me njëra- tjetrën. Për të analizuar deklartatat e bëra së fundmi nga Kreu i Shtetit dhe sjelljen e mazhorancës në lidhje me emrin e Presidentit të ri, kemi zhvilluar një intervistë me Prof. Dr. Enver Bytyçin.

1- Çfarë po ndodh me marrëveshjen për detin me Greqinë? Është ndër temat më të nxehta të aktualitetit, por loja politike që po bëhet është e madhe. Çfarë është kjo marrëveshje për Shqipërinë dhe përse vendimarrja për fatet e tërësisë teritoriale i ka marrë në dorë një individ i vetëm ?
Marrëveshja e Detit me Greqinë, si dhe shumë vendime të tjera të Edi Ramës me partnerët dhe fqinjët tanë kanë një tipar themelor: Vendimmarrja është vetëm e Kryeministrit. E askujt tjetër! Nuk pyetet në këtë vend për asgjë parlamenti, presidenti apo agjencitë e sigurisë kombëtare! Nuk pyetet opozita e as qytetarët! Vendos vetëm Edi Rama! As diktatori Hoxha nuk e kishte këtë privilegj, sepse në fund të fundit ia kishte ndaluar edhe vetes me kushtetutë disa vendime. P.sh kapitullimin para armikut? E kuptoj se ky lloj grotesku i diktaturës ishte paradoksal. Por akoma më paradoksale është sjellja e kryeministrit të Shqipërisë me territorin shqiptar dhe asetet kombëtare tonat, me pasuritë e shqitarëve dhe taksat që ata paguajnë! Marrëveshja e Detit me Greqinë nuk bën përjashtim. Eshtë sjellje tipike e një auto (klepto) krati, që në llogarinë e tij ka vetëm një kapital – pushtetin! Nuk ka asgjë përtej pushtetit! Nuk ka humanizëm, nuk ka interesa kombëtare, nuk ka vëllazëri, nuk ka as traditë të përbashkët! Gjithçka është nul për Edi Ramën, përjashtuar pushtetit të tij personal. Një njeri që mesa duket është dhunuar dhe është rritur me ndjenjën e hakmarrjes përmes pushtetit! Një njeri që është ndjerë gjithë jetën inferior dhe i papërmbushur dhe mezi ka pritur që të vijë në majë të pushtetit për t’u vetëplotësuar përmes arrogancës së tejskajshme, të krahasuar me atë të Vladimir Putin!
“Nuk pyetet në këtë vend për asgjë parlamenti, presidenti apo agjencitë e sigurisë kombëtare! Nuk pyetet opozita e as qytetarët! Vendos vetëm Edi Rama! As diktatori Hoxha nuk e kishte këtë privilegj.”
2-Presidenti i vendit Ilir Meta përgënjeshtroi ministrin e Jashtëm grek , kur ky i fundit deklaroi se Presidenti Meta nuk jep autorizimin për bisedime. A mendoni se Kryeministri Rama për çështjen e autorizimit të grupit negociator po bën një lojë të pansiqertë si me fatet e Kombit, por edhe me Kreun e Shtetit, pasi edhe formalisht Presidenti Meta e hodhi poshtë këtë insinuatë kur deklaroi publikisht se kërkesa për autorizim nuk është bërë asnjëherë nga Rama.
Çdo kush që e njeh zotin Meta e njëkohësisht zotin Rama e kupton se ky i fundit, kryeministri i vendit tim e vendit tënd, punon si urithi. Nëse ai do të kërkonte autorizimin e Presidentit për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, atëherë do t’i kërkohej transparencë. Por a mund ta përfytyrojmë Edi Ramën si një lider transparent?! Kurrë jo! Sepse prapa çdo akti e veprimi të tij fshihet djalli! Në këto kushte as që mendohej që këtë marrëveshje ta dërgonte për autorizim te Presidenti i vendit. Megjithatë ministri i Jashtëm i Greqisë deklaroi të kundërtën, se Presidenti Meta paska refuzuar të japë autorizimin për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo na zbulon edhe një intrigë përtej imagjinatës të kryeministrit. Del se ai i paska thënë Dendiasit se “Unë dua ta nënshkruajë marrëveshjen me ju e t’u jap 12 milje det, pra dyfishin më shumë se ju dha Berisha, por nuk më le Presidenti”! Lojëra të fëlliqta këto që edhe një kryeministër pervers nuk mund t’i luajë! Ky qëndrim nuk turpëron vetëm Edi Ramën, as vetëm kryeministrin e Shqipërisë. Me këtë akt turpërohet kombi, shqiptarët! Prandaj ne duhet të na revoltojë kjo sjellje kaq e papërgjegjjshme e kryeministrit tonë!

“Me marrëveshjen e Detit mund të ishte imponuar zgjidhja juridike e pronave për çamët si dhe heqja e ligjit të luftës. Por këtë kushtëzim nuk e përdori qeveria shqiptare.”
3-Pse u anashkalua miratimi nga Parlamenti të çështjes së dërgimit në Hagë të marrëveshjes?
Mbaj mend, kur Jeremiq, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë, dërgoi në Hagë çështjen e pavarësisë së Kosovës, ai pyeti parlamentin e Serbisë dhe mori miratimin e tij. Pastaj u formulua pyetja dhe u depozitua në OKB. Por Rama ka vendosur ta dërgojë çështjen e demarkacionit të vijës detare me Greqinë në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë pa pyetur as parlamentin dhe askënd tjetër. Mediat pranë tij kanë shkruar madje se kanë përzgjedhur edhe avokatin për këtë gjykatë që do të përfaqësojë Shqipërinë. Bëhet fjalë për gruan e Tony Blair. Anashkalimi bëhet për shkak se Rama e ka vendosur me kryeministrin e Greqisë se si do të jetë e formuluar pyetja kërkesë e përbashkët që do t’i drejtohet Hagës. Kjo do të thotë se ai ka rënë dakord që kjo pyetje të jetë në pajtim me interesin e Greqisë. Kjo do të thotë se zoti Rama ka vendosur që mandatin e katërt të qeverisjes së tij ta garantojë duke shitur territoret shqiptare. U përpoq të shesë në fillim territoret e Kosovës, por dikush e pengoi. E pengoi edhe presidenti Meta, i cili ishte kundër. Në fakt zoti Meta e ka penguar edhe për shitjen e detit. Por për këtë Rama priti ikjen e presidentit nga detyra, me qëllim që me kukullën e tij që vjen pas të bëjë çfarë të dojë me detin shqiptar!
4-Pse hesht Qeveria shqiptare për deklaratat arrogante dhe prepotente të ministrit të Jashtëm të Greqisë, për akuzat ndaj Presidentit dhe për mosnjohjen e çështjes së Çamërisë?
Qeveria dhe kryeministri i Shqipërisë nuk heshtin kur bëjnë luftë politike me opozitën e vendit. Nuk ia kursejnë akuzat, shpifjet dhe trillimet kundërshtarit politik! Nuk rrijnë duarkryq, por e përçajnë faktorin shqiptar në Shqipëri, në Kosovë e në rajon, kur homogjenizimi i këtij faktori bëhet barrikadë kundër përpjekjeve serbe e greke për të zgjeruar tokë e det! Kryeministri dhe qeveria e tij janë kampionë të lëvizjeve dhe aksioneve politike populiste, me qëllim që ta zgjasin pushtetin e tyre pa limit. Por nuk bëjnë asgjë, heshtin kur u rrezikohet pushteti. Me qëllim që të mos u rrezikohet ky pushtet ata heshtin për çdo deklaratë denigruese dhe poshtëruese jo vetëm të ministrit të Jashtëm të Greqisë. Heshtin përpara çdo kujt. Më së shumti kur janë me Aleksandër Vuçiç. Këtij i përulet me nderim të madh Edi Rama. Ai do ta urojë presidentin e Serbisë me rastin e rizgjedhjes në detyrë dhe betimit që bëri në parlament. Edhe pse Vuçiç u betua në kushtetutë e para flamurit serb se do të ruajë të pacënuar territorin e Serbisë, përfshirë Kosovën e Metohinë. Ramës nuk i bëhet vonë as për qytetarët shqiptarë, as për territorin shqiptar, jo më për dinjitetin dhe integritetin njerëzor të shqiptarëve. Ai i është kërcënuar ministres së Jashtme Xhaçka, e cila përmendi Çamërinë në konferencën për shtyp me Dendias. Ai, në funksion të pushtetit, nuk e njeh dhe as dëshiron t’ia dëgjojë emrin Çamërisë.
5-A mendoni se pas kësaj çështjeje fshihen interesa të mëdha ekonomike dhe financiare , pasi burimet e gazit dhe naftës janë pasuri kombëtare dhe me këtë marrëveshje të fshehtë, që Rama po bën duke e kamufluar pas Gjykatës së Hagës, fshihen interesat e kompanive globaliste duke na risjellë të njëtën mënyrë grabitjeje si ajo me Bankers Petrolium, ku aksioneri kryesor te Bankers është Xhorxh Soros?
Bytyçi: Sa i përket pyetjes që bëni, nuk kam se si ta provoj me dokumente se pas çështjes së Detit me Greqinë fshihen interesa të kompanive, që lidhen me interesat e Sorosit e për pasojë edhe të Edi Ramës. Rasti i Bankers Petrolium është i trishtë. Rezervat e naftës sonë shiten “për skrap” jashtë vendit, kur shumë mirë mund të ishte ndërtuar ose modernizuar rafinaeria e naftës në Ballsh dhe Shqipëria të prodhonte naftë e produkte të tjera të karburantit për të plotësuar nevojat e veta. Por jo! Duhen plotësuar interesat e miqve të pushtetarëve, nuk kanë asnjë rëndësi interesat e shqiptarëve. Ky rast na bën me dije se prapa aferës së delimitimit të kufirit detar fshihen interesa të mëdha. Dhe Edi Rama nuk bën asgjë pa marrë shpërblimin e majmë. Madje unë besoj se janë kalkuluar interesat që do arrihen në përfundim të kësaj loje politike dhe mbi këtë bazë do të finalizohet marrëveshja për Detin me Greqinë. Është interesant se të dy palët janë entuziastë për faktin se janë pajtuar që çështjen ta zgjidhin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë është i kënaqur me shpërblimin që merr nga Greqia, ndërsa Greqia është e kënaqur me përfitimet që do të ketë nga kjo marrëveshje. Në fund të fundit në Hagë pritet që Athina të fitojë më tepër territor detar sesa i jepte marrëveshja e vitit 2009, për të cilën Edi Rama vuri alarmin për “tradhti kombëtare”!
Rama thjesht dëshiron të justifikojë e kamuflojë tradhtinë e tij, Greqia e ka të garantuar privilegjin në terrenin ujor! Pas kësaj do të caktohen ujërat territoriale, të cilat do të shfrytëzohen për pasuritë nëntokësore, naftë dhe gaz
6-Nëse Greqia zgjerohet ne ujërat tona teritoriale dhe pranohet nga Rama, ( gjoja vendosi Gjykata e Hagës), a mendoni se përveç grabitjes së pasurisë kombëtare, legjitimohet edhe vija kufitare dhe mbyllet njëherë e përgjithmonë edhe çështja çame?
Ju keni të drejtë kur e lidhni adresimin e çështjes te Gjykata e Hagës me qëllim legjitimimin para opinionit shqiptar të tradhtisë që i bën vendit Edi Rama! Në fakt ky është qëllimi kryesor i këtij rekordimi midis palëve. Rama thjesht dëshiron të justifikojë e kamuflojë tradhtinë e tij, Greqia e ka të garantuar privilegjin në terrenin ujor! Pas kësaj do të caktohen ujërat territoriale, të cilat do të shfrytëzohen për pasuritë nëntokësore, naftë dhe gaz. Greqia pikërisht në këtë hapësirë kërkon të kompensojë edhe ndonjë humbje, që mund t’i shkaktohet në lindje, në Detin Egje, në kufi me Turqinë. Ndërsa sa i përket Çamërisë, nëse ky problem zgjidhet, rol të madh do të luajë lidhja tokësore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ndaj ajo nuk mund të izolohet. Por problem çam nuk zgjidhet a kohë që mungon vullneti i qeverisë shqiptare për t’u angazhuar. Me Marrëveshjen e Detit mund të ishte imponuar zgjidhja juridike e pronave për çamët si dhe heqja e ligjit të luftës. Por këtë kushtëzim nuk e përdori qeveria shqiptare. Nëse qeveria e vitit 2009 donte të fitonte votën greke për pranim në NATO, qeveria e sotme nuk kishte pengesë të kërkonte zgjidhje juridike për çamët në këmbim të marrëveshjes për Detin, por mungon vullneti. Nuk është në llogarinë e projekteve dhe planeve të kësaj qeveria as çështja çame, as çështja kombëtare! Kjo qeveri është qeveri sejmenësh e tipit të qeverisë komuniste në kohën e Titos e të Stalinit! Atëherë ishte përgjigja Da. Sot është përgjigja Yes!






















