Prof. Dr. Bamir Topi: Kur çështja e Kosovës dëmtohet nga vetë shqiptarët

414
Sigal

Sipas këndvështrimit  tim personal, koha e zgjedhur më krijon dyshimin se ka interferenca të drejtpërdrejta politike nga individë apo qarqe në Evropë, pikërisht për të dështuar takimin e planifikuar në Washington, më 27 qershor

Prof. Dr. Bamir  Topi, Ish Presidenti i Shqipërisë

Ftesa e prokurorit special për z.Thaçi e z.Veseli nuk mund të gjykohet për faktin pse u  është drejtuar, pasi kjo përflitej prej kohësh. I takon një proçesi  ndaj grupit drejtues të UÇK-së,  që duhet të kishte përfunduar prej kohësh, tek e cila  personalisht kam parë me bindje një kauzë legjitime për t’iu përgjigjur genocidit të makinerisë shtetërore të Serbisë. Sipas këndvështrimit tim personal, koha e zgjedhur më krijon dyshimin se ka interferenca të drejtpërdrejta politike nga individë apo qarqe në Evropë, pikërisht për të dështuar takimin e planifikuar në Ëashington më 27 qershor.  Pra Thaçi është thjesht sebepi,  nga i cili kuptojmë se Kosova sot qëndron në mes të pozicioneve të ndryshme dhe dukshëm shumë problematike për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Analiza politike për çka po ndodh është shumë e thjeshtë, ndonëse situata është e ndërlikuar. Po të kthehemi në situatën e vitit 1999-të, vendimarrja për të neutralizuar qëllimin kriminal të Millosheviçit, ka qenë e kthjellët, në emër të interesave së pari njerëzore, por dhe politike. Kjo i dedikohet veprimit të harmonizuar të vendeve të NATO-s  dhe kryesisht  SHBA-së dhe Britanisë. Nga kjo pikëpamje, luftën nuk e kanë bërë të gjithë njësoj, madje koha ka treguar se disa vende europiane nuk e njohin ende Kosovën si shtet. Me kalimin e kohës,  lidershipi  i ri i disa vendeve evropiane,  ka dëshmuar një afinitet të dobët ndaj Kosovës dhe një simpati të qartë ndaj Serbisë, ndonëse kjo e fundit, ende ruan të njëjtin sentiment politik dhe posesiv ndaj një territori që e ka humbur ligjërisht më 17 shkurt 2008, dhe se para antarësimit në BE, besoj se çështje parësore, ka Kosovën. Natyrisht, kjo është një ëndërr e shprishur, por kohë pas kohe trazon  rëndë  ujërat  Euro -Atlantike. Nuk është e rastit pse qytetarët e Kosovës kanë mbetur të izoluar në geto, pa të drejtë lëvizje, kur kanë patur mundësinë të ishin të lirë me pasaportat e Titos qysh nga viti 1974. Atëherë kjo Europë që ëndërrojmë,  a ka bërë me predispozicion lëvizjet e duhura drejt qytetarëve të Kosovës? Unë them jo. A ka përgjegjësi politika shqiptare në përgjithësi dhe ajo kosovare në veçanti? Unë them, padyshim po.

Si një dëshmitar okular i ngjarjeve që paraprinë Shkurtin e vitit 2008, dhe në vazhdim, politikanët e Kosovës kush më shumë e kush më pak, harruan nga kishin ardhur dhe se cili ishte misioni më i rëndësishëm për Kosovën. Nga një epërsi e fortë reale e psikologjike për të rivendosur historinë moderne të Kosovës mbi baza të një demokracie e një vizioni perëndimor, ranë në batakun e luftës e grindjeve ballkanike për  pushtet, duke dobësuar qëllimin e kauzës dhe të institucioneve, duke prezantuar  ndërkombëtarisht  atë që preferonin  miqtë e Serbisë në Europë. Kjo padyshim jo rrallë herë ka vendosuar në vështirësi përfaqësuesit e SHBA-ve si miq të vërtetë të shqiptarëve. 

Largimi i shpejtë nga Presidenca i Z.Sejdiu, periudha 45- ditore e Presidentit në vazhdim z.Pacolli, ndarja e dukshme dhe interesat politike të udhëheqjes së UÇK- së, sollën pështjellime dhe ndaj një shoqërie të traumatizuar kosovare.  Për këtë gjë, faji nuk ishte i Serbisë apo i miqve të saj në Europë, por i atyre që morën fatet e drejtimit në paqe.

Sjellja politike e diplomatike filloi të shfaqej me probleme e defekte të mëdha, kjo e ushqyer nga hienat e politikës në Tiranë, që asnjëherë nuk e lanë Kosovën në të drejtën e saj për të luajtur dhe vendosur vetë, kjo edhe në kushtet kur  politikanët  kosovarë as nuk kanë pritur këshilla, dhe as kanë kërkuar të tilla nga politikanët e Shqipërisë. Këta të fundit e kanë shfrytëzuar  për të bërë patriotin, kur situatën në Shqipëri e kanë patur me  probleme. Nuk është e rastit pse qytetarët e Kosovës kanë mbetur  të  izoluar në geto pa të drejtë lëvizje, kur kanë patur mundësinë  të ishin të lirë me pasaportat e Titos, qysh nga viti 1974. Atëherë kjo Europë që ëndërrojmë,  a ka bërë me predispozicion  lëvizjet e duhura drejt qytetarëve të Kosovës?  Unë them jo. A ka përgjegjësi politika shqiptare në përgjithësi, dhe ajo kosovare në veçanti? Unë them, padyshim po

Me fjalë të tjera a vazhdon të ketë politika shqiptare në tërësi dhe ajo kosovare në veçanti, mbështetjen e vitit të parë të Pavarësisë? Jo dhe jo. Dhe kjo është shumë e rëndë,  kur dështimi i takimit në Washington vjen në ditën kur Presidenti i Serbisë, Vuçiç,  rikonfirmohet me mbi 60% të votave në vendin e tij, çka tregon jo vetëm pushtetin autoritar, por dhe një vlerësim të bashkombasve të tij në raport me betejën politike për Kosovën.

Kjo dëshmon gjithashtu, një dështim të sjelljes politike të Tiranës zyrtare, që para se të ekspozonte me pompozitet  vizitën e takimet e Kryeministrit, duhet të demonstronte konsulta dhe kohezion me drejtuesit e Kosovës. Fjalimet emotive patriotike sot tingëllojnë falso e pa vlerë. Bota rreth nesh nuk vepron  me deklarata, por me veprime konkrete dhe partneritet, që ndonëse nuk na vjen mirë, e kanë arritur më mirë se ne.

Në këto kushte, kam frikë se politika në Kosovë nuk do të nxjerrë mësime dhe do të vazhdojë të merret me vetveten.

Natyrisht Kosova ka miq të rëndësishëm në Europë, por kontinenti plak ka dhe rryma kundër dhe ndonjëherë edhe pas shpine, që bëjnë pjesë në kontekstin historik të aleancave të vjetra Euro-ballkanike, ku shqiptarët, kanë dalë të copëtuar.  Është koha të rikonfirmojmë mirënjohje, respekt dhe zbatim të këshillave të urta në rradhë të parë nga aleati ynë historik e strategjik SHBA-ja dhe vendet mike të Shqiptarëve në Evropë, që të mos i zhgënjejmë më me lojën tonë për pushtet personal, kur çështja shqiptare është lënë në dorë të dytë.  Çështja pse politikanët kosovarë dhe  institucionet  kanë ardhur në këtë ditë nga më të vështirat pas 17 shkurtit 2008, kjo është pamëdyshje rezultat i vetë shqiptarëve. Në këto kushte kam frikë se politika në Kosovë nuk do të nxjerrë mësime dhe do të vazhdojë të merret me vetveten

Nëse për 21 -vjet nga përfundimi i luftës, ende ka njerëz që nuk e kanë zgjidhur problemin se kush e ka kryer genocidin në Kosovë, sigurisht është punë e tyre dhe institucioneve ku paguhen. Çështja pse politikanët  kosovarë dhe  institucionet  kanë ardhur në këtë ditë nga më të vështirat, pas 17 shkurtit 2008,  kjo është pamëdyshje  rezultat i vetë shqiptarëve. Pse zihemi në shtëpinë tonë, fajin nuk ka pse ta hedhim nga komshiu, për më tepër një komshi që na ka rrembyer territore dhe shumë jetë njerëzore.