Prof.Dr.Arben Malaj: Rilindja u kthye nga shërbëtore e popullit në skllave e trafikantëve

343
Sigal

Ekskluzive për “Telegraf” me Prof.Dr.Arben Malaj, ish-ministër i PS: Edi Rama ka poshtëruar figurat më të mira të ish-Partisë Socialiste, duke promovuar në nivele politike njerëzit me rekorde kriminale. Atij nuk i doli i vetëm “tepsia” e 2017-ës, por kërkon i vetëm “kazanin” nëpërmjet arrogancës, grabitjes së pasurisë kombëtare dhe vjedhjes së votave për t’i shpëtuar mbijetesës personale. “Rilindja” po izolon Shqipërinë duke lënë shqiptarët jashtë BE-së.

Sjellja arrogante, abuzive deri dhe  denigruese ndaj të varfërve dhe të papunëve e shoqëruar kjo me prova reale, se qeveria Rama është qeveria më e pa ditur, më e pa përgjegjshme, më e babëzitura dhe më arrogantia, e bëri Shqipërinë një vend të pashpresë

Ramës nuk i doli i vetëm tepsia e 2017.  Për 2021 kërkon i vetëm kazanin

 Çfarë bëri “Rilindja” për shqiptarët në 8 vjet qeverisje? A meriton Edi Rama një mandat të tretë qeverisës? Gazeta “Telegraf” intervistoi një nga ikonat e socialistëve, Prof. Dr. Arben Malaj, ish -ministrin e Financave të qeverisë socialiste. Prof. Malaj, duke bërë skanerin e qeverisjes, midis të tjerave thotë se qeveria e Ramës është qeveria më e paditur, më arrogantja, më e babëzitura, e bëri Shqipërinë të pashpresë, ndërkohë, Rama ka aleat të vetëm për 25 prillin e 2021, shkatërrimin e zgjedhjeve të lira. Prof. Malaj pohon se Rama është pengesa më e madhe në qëndrimet bllokuese të BE-së ndaj Shqipërisë, sepse promovoi individë me rekorde kriminale në mandate përfaqësuese politike, ka poshtëruar njerëzit, intelektualët, personalitetet, akademikët, e  kjo është lufta e Ramës për pushtet absolut.  

 

Biznesi abuzues, nëpërmjet korrupsionit dhe kapjes së shtetit, i ka shndëruar “Rilindasit” nga shërbëtorët e përbetuar për t’i shërbyer popullit në skllav të përulur  për të mbrojtur interesat e oligarkëve

 

-Prof. Malaj, qeveria ka paguar 100 milionë euro vetëm gjatë vitit 2019- 2020 për koncesionet në Shëndetësinë Publike, ndërkohë që buxheti i Shtetit nuk kishte fonde për të blerë respiratorë për të sëmurët nga Covid-19. Ju, si e shpjegoni këtë handikap?

– Pandemia e covid – 19,  vlerësohet si një prej krizave më të rënda  sepse ajo është  krizë shumë dimensionale duke përfshirë kostot e rënda të vdekjeve dhe të infektuarëve; kostot sociale që janë  mijëra të papunë dhe të varfër shtesë; rënie e madhe e ekonomisë  në minus 5-9% të GDP-së, dhe rritjen e pa shëndetëshme të borxheve individuale, të biznesit dhe borxhin publik. Paniku është armiku ynë më i vështirë për të mundur pandeminë. Pasiguritë dhe paqartësitë që krijoi kjo pandemi janë faktorët kryesorë që e bëjnë këtë pandemi kaq vrastare. Të gjitha së bashku këto  kosto ushqejnë  instabilitetin politik. Financimi parësorë i kostove mjekësore si për shtretër, pajisje dhe medikamente, por edhe për ambiente dhe staf mjekësor tjetër, doli mbi çdo financim tjetër. Sigurimi i menjëhershëm i financimim të shëndetësisë u lehtësua financimet e ofruara nga BE, FMN dhe Banka Botërore. Në kohë krize  rishikimi dhe shtrirja më gjatë në kohë e detyrimeve tjetra,  siç ishin ato për PPP-të është moral, ligjore dhe pa asnjë penalitet për qeverinë.

Gjatë 10 vjetëve taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 400 milionë euro për 4 PPP të Shëndetësisë Publike, ndërkohë që spitalet publike nuk kanë as fasho për pacientët në sallë operimi. Ky është keqmenaxhim i fondeve publike për shëndetësinë, apo qëllim politik për interesat e caktuara klienteliste?

– Pyetjes tuaj i ka dhënë përgjigje një studim i fundit i Fondit Monetar Financiar se për partneritetet publike (3P)  preferenciale (4P) në infrastrukturë në vendet e ndryshme paralajmëron se në vendet me institucione të dobëta, ku klasifikohet edhe vendi ynë, risku për keq përdorimin e fondeve është shumë  i madh. Ky risk shkon nga 30-50% çka për 2.5 miliardë euro shpërdorimet mund të jenë 750 milion deri në 1.2 miliardë euro.

– Sa është  kjo shumë  në rastet konkrete në PPP-të në Shqipëri ?

– Kjo është  detyrë prioritare e KLSH-së dhe organeve të specializuara kundër krimit nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, që në rastin konkrete është Byroja Kombëtare e hetimeve/FBI shqiptare dhe  SPAK.

– Prof. Malaj, borxhi i Shqipërisë gjatë 7 vjetëve të qeverisjes së kryeministrit Rama u rrit mbi 80 %, u morën mbi 5 miliardë euro borxh, ndërkohë që varfëria e shqiptarëve u thellua kaq shumë sa mbi 500 mijë emigruan në këto vite, mijra biznese falimentuan. Ku shkuan paratë, që u rrit kaq shumë borxhi? 

– Rënia e rritjes ekonomike, rritja e borxhit publik, dëmtimi i kredibilitetit të statistikave fiskale, ku askush nuk e di sa është borxhi real i Shqipërisë, sa janë detyrimet e pa paguara, sa do të jenë detyrimet e rritura të PPP-ve, përkeqësuan mundësitë për rritjen e punësimit, reduktimin e papunësisë dhe varfërisë. Ndërsa sjellja arrogante, abuzive deri dhe  denigruese ndaj të varfërve dhe të papunëve e shoqëruar kjo me prova reale, se qeveria Rama është qeveria më e pa ditur, më e pa përgjegjshme, më e babizitura dhe më arrogantia, e bëri Shqipërinë një vend pa shpresë për qindra mijëra jo vetem të rrinj që zgjodhën  ta braktisin jo pa dhimbje në zemër për familjet e tyre dhe për vendin e tyre.

– Shumë akuza, denoncime janë bërë për tarifat  shumë të shtrenjta të tenderave dhe PPP, sa janë shumë më të larta edhe nga treguesit e referencës në vendet e tjera, mirëpo as institucionet e specializuara shtetërore nuk hetojnë kurrë. Kaq lehtë mund të amnistohet ky lloj korrupsioni? 

– Besoj se jo. Populli shqiptar me mençurinë e tij i këshillon të gjithë, përfshi edhe “Rilindasit” e babëzitur,  se “Tafmaja e madhe të lë pa gjë”.  Shumë shqiptarë e kanë humbur shpresën apo janë skeptikë edhe ndaj SPAK-ut, jo pak vazhdojnë të shpresojnë, se ka një ditë në jetë, ku gjithkush duhet të paguajë çmimin e pa përgjegjshmërisë dhe babëzisë së tij. Kjo ditë  për disa qeveritarë të korruptuar dhe të kapur nga oligarkët, po afrohet gjithnjë e më shumë.

Dëgjojmë shpesh nga Opozita, se kur të vijë në qeveri, do anullojë koncesionet korruptive, siç e kishte slogan elektoral edhe PS në 2013. Mirëpo, vendimi më i fundit i Gjykatës së Arbitrazhit, që e dënoi Shqipërinë t’i paguajë 44 milionë euro “Aktor”-it, për ndërprerje të njëanshme kontrate, çfarë na tregoi?

– Kredibiliteti publik është parakusht për çdo qeveri që të qeverisë në mënyrë të sukseshme.  Rama bëri premtime shumë më të mëdha se do shpërbënte dhe çonte pëprpara ligjit çdo rast të 3P-ve, apo koncensioneve të korruptuara të  qeverive të PD-së. Qindra orë debat parlamentar dhe disa qindra  faqe të zbardhura të këtyre debateve  është lufta e opozitës së PS-së 2005-2013 ndaj keq  qeverisjes së PD-së në vitet 2005-2013. Çuditërisht, sapo PS erdhi në pushtet  dhe pas rreth 8 viteve qeverisje 2013-2021, “Rilindja” nuk plotësoi asnjë detyrim moral dhe ligjore për të luftuar korrupsionin e PD-së. Dy arsye të thjeshta e qartësojnë këtë qëndrim të “Rilindjes”. E para, biznesi abuzues, nëpërmjet korrupsionit dhe kapjes së shtetit, i ka shndëruar “Rilindasit” nga shërbëtorët e përbetuar për t’i shërbyer popullit në skllav të përulur  për të mbrojtur interesat e oligarkëve. E dyta, rilindja nuk luftoi asnjë rast korrupsioni dhe kjo nuk ka ndodhur pa bërë rishpërndarje të parave korruptive nga vetëm përfituesit në kohën e PD-së  me përfituesit e rinj të qeveritarëve të korruptuar të PS-së. Çdo gjë është  lehtësisht e dokumentueshme, kërkohet vetëm angazhimi i përkushtuar kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. E vetmja mënyrë që këto koncesione të anullohen është  të zbulohen  lidhjet korruptive.

A ka procedurë ligjore që një tender apo PPP, të gjykohet si e dëmshme për interesat kombëtare? Nëse po, kush e mban përgjegjësinë penale?

– Vetëm hetimi dhe vërtetimi i shkeljeve dhe përfitimeve jo ligjore duhet të dënojë përfituesit e vërtetë dhe jo vetëm ata sipërfaqësore të korrupsionit  dhe kapjes së shtetit.

Pritshmëritë e shqiptarëve ndaj institucioneve të reja të Drejtësisë, sikurse SPAK, KLP, KLGJ, ishin tepër të mëdha. Mirëpo kaq muaj, ende SPAK-u nuk ka mundur të çojë para drejtësisë asnjë zyrtar të lartë të korruptuar. A ishte një flluckë sapuni Reforma në Drejtësi? 

– BKH dhe SPAK ndodhen përballë një vështirësie jo për faj të tyre. Eshtë vështirësia e krijuar nga  pritshmëritë shumë të larta që sidomos diplomatët e huaj në Shqipëri ngritën për suksesin  e shpejtë të BKH dhe SPAK. Diplomatët  kanë përgjegjësinë ndaj taksapaguesve të vendeve të tyre për disa dhjetëra apo qindra milionë dollarë që po financohen për reformën në drejtësi.  Koha do të jetë gjykatësi më i mirë për pritshmëritë me BKH&SPAK. Aktualisht  nuk duhet të rritet presioni i pritshmërive mbi punën e tyre të vështirë që duhet të jetë thellësisht profesionale.

 

Rama po tregon se ai ka si aleat  të vetëm  për 2021,  shkatërimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Rama do të bëjë gjithçka për të minimizuar humbjen dhe për t’i keqpërdorur mandatet e fituara për pazare për mbijetesë personale

– Prof. Malaj cili është ngërçi i Reformës Zgjedhore: Koalicionet parazgjedhore, Listat e Hapura?  A mendoni se do të kemi në 25 prill 2021 zgjedhje të lira?

– Rama po tregon se ai ka si aleat  të  vetëm  për 2021, shkatërimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edhe ristrukturimet e të deleguarëve partiake  për zgjedhjet e 2021, me zvëndësime nga një qark në tjetrin, spostimet, emërimet në nivele të larta politike apo me presion tek kryetarët e bashkive për të mbledhur/vjedhur 74 apo 80 mandate, janë prova konkrete se Rama do të bëjë gjithçka për të minimizuar humbjen dhe për t’i keqpërdorur mandatet e fituara për pazare për mbijetesë personale. Rama ndodhet në situatën, si ajo në proverbën shqiptare, kur djali mori në krahë babain e tij për ta hedhur në përrua, babai ju lut ta hidhte disa hapa më tutje. Kur djali kurreshtar u habit pse nuk po i kërkonte të mos e hidhte,  por ta hidhte  disa hapa më tutje, përgjigjia e babait për djalin ishte, se pikërisht aty, ai disa kohë më parë, kishte hedhur babain e tij. Rama ka jo pak kohë që lutet ta hedhin “disa hapa me tutje”.

 

  • Rama gjithmonë ka krijuar një alibi për ta penguar integrimin e Shqipërisë në  BE. Udhëheqësit me mentalitet komunist, arrogant dhe pushtetplotë nuk  i mbështesin proceset integruese, sepse integrimi në thelb është dorëzim sovraniteti, është dorëzim i një pjese të pushtetit të gjithëpushtetshëm

Bashkimi Europian për të tretën herë rradhazi i mbylli Shqipërisë dyert e hapjes së negociatave për anëtarësim. A është ky qëndrim politik i BE-së për diferencimin e saj nga kryeministri Rama?

– Rama gjithmonë ka krijuar një alibi për ta penguar integrimin e Shqipërisë në  BE. Mund të jenë të shumta arsye,  por ndoshte njera është më bindëse, udhëheqësit me mentalitet komunist, arrogant dhe pushtetplotë nuk  i mbështesin proceset integruese, sepse integrimi në thelb është dorëzim sovraniteti, është dorëzim i një pjese të pushtetit të gjithëpushtetshëm. Rama është aktualisht pengesa më e madhe në qëndrimet bllokuese të BE-së ndaj Shqipërisë, sepse vetë e ka pranuar publikisht me mburrje se modelet e tij inspiruese janë Erdogan dhe Orban, të cilët BE-ja i klasifikon si anti-europian. Qëndrimi i Ramës si anti-europian, duket qartësisht gjatë 8 viteve të “rilindjes” ku Shqipëria nga një vend që kishte avantazhe  për të ecur më mirë dhe më shpejtë në proceset integruese se Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, rrezikon aktualisht të mos fillojë  çeljen e negociatave, proces i zvarritur në mënyrë të përsëritur nga vetë Rama.

 

Promovimi i individëve me rekorde kriminale në mandate përfaqëuese politike, lidhja e “Rilindjes” me kriminelë, vjedhja e zgjedhjeve dhe vënia e Rama-qeverisë  nën shërbimin e oligarkëve janë katër rastet më flagrante  të luftës  se tij për pushtet absolut

– Si ish drejtues i lartë i PS-së, Prof. Malaj, si e shpjegoni që kryeministri Rama u besoi fushatën elektorale në qarqe ministrave dhe  ish ministrave, të hequr nga postet ministrore për denoncime të forta për korrupsion, madje që janë të akuzuarit edhe të dosjeve 184  të Prokurorisë për krime elektorale?

–  Promovimi i individëve me rekorde kriminale në mandate përfaqëuese politike, lidhja e “Rilindjes” me kriminelë, vjedhja e zgjedhjeve dhe vënia e Rama-qeverisë  nën shërbimin e oligarkëve janë katër rastet më flagrante  të luftës  se tij për pushtet absolut. Këto jane 4 fakte të turpshme të keq përdorimit të socialisteve nga  një pjese e kalbëzuar e rilindasëve për të cilët pushteti  absolut politik dhe financiar është gjithcka. Për lider me prirje  neo-diktatorial pavarësisht nga paraqitja sipërfaqësore “moderne” vepron mentaliteti se “qëllimi është gjithçka, ndërsa mjeti për ta arritur atë është asgjë”.  Ky është angazhimi i Ramës  për fitoren  2021, ku cënohet ndjeshëm elementi i kredibilitetit publik dhe ai e bazon fitoren tek pushtetet abuzive të fituara në mënyrë abuzive.

– Prof. Malaj, a ka zhgënjim, pakënaqësi tek vetë elektorati socialist për keqqeverisjen e “Rilindjes” Socialiste?

– Ka pak ose shumë pak socialistë që përbetohen për mandatin e tretë të Ramës.  Këto përbetime  tregojnë se tek “Rilindja” është ringjallur mentaliteti leninist në formën e tij më absurd, të shprehur me aq forcë e zëmërim nga poeti i madh  rus Majakovski se: “Kur themi partia/ nënkuptojmë Lenin/ dhe kur themi Lenini/ nënkuptojmë partia/”. Që në rastin e “Rilindasve”  kjo rimon  në vargun poetik se: “Kur themi Rama/ nënkuptojmë Rilindjen /dhe kur themi Rilindja/ nënkuptojmë Ramën” Ngjashmëria në vargje shpreh në thelb ngjashmërinë në mentalitet, ku Rama lufton çdo ditë për të krijuar pikërisht  modelin leninist të drejtimit të “Rilindjes” dhe  të vendit.

– E keqja politike e “Rilindjes” Socialiste është vetëm kryeministri Rama?

– Duhet të prisni edhe pak, sapo Rama të dështojë në zgjedhjet 2021,  të gjithë servilët e përbetuar dhe përfituesit abuzues që Rama u dhuroi atyre për t’i shërbyer pushtetit të tij absolut, do t’i sulen publikisht se Rama dhe vetëm Rama ishte përgjegjësi i  dështimit të “Rilindjes”. Ramën e kanë zenë ethet e Makbethit. Natën tmerrohet  nga  fantazmat e viktimave të tij. Jo rastësisht të vetmen punë që aktualisht bën me pasion janë nekrologjitë. Në politikë vrasja e babit politik vepron si një rregull i pa shkruar.  Nuk është vetëm Rama, janë të gjithë ata që  nën ethet e avujve drogues të pushteteve të pa kufizuar krijuan sistemin më të keq politik dhe ekonomik, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit është bërë aq sunduese, sa punonjësit e ndershëm në administratën publike ngjajnë sot me njerëzit e thjeshtë gjatë çmendurisë kolektive të skemave piramidale 1997, që nuk pranonin t’i fusnin  kursimet në skemat piramidale, ndërsa njerëzit për rreth tyre i tregonin me gisht si budallenj. Kështu tregohen sot ata pak njerëz të ndershëm në administratë. Ky është  krimi më i madh që Rama i bëri vendit të tij me modelin abuzues politik dhe qeverisës që krijoi dhe inspiroi në Shqipëri.

Shpesh dëgjojmë nga analistë të thonë se edhe Opozita nuk ka ide, nuk ka program, apo të gjithë edhe nga opozita njësoj janë, sikurse edhe zyrtarët e lartë të “Rilindjes”, prandaj votimi sërish i “Rilindjes” është e keqja më e vogël. Cila është përgjigjja juaj për këto opinione?

-Përgjigjen duhet ta jap përditë dhe ballë për ballë shoqëria civile dhe  opozita. Ato e dinë këtë perceptim dhe duhet të ndërtojnë strategji të bazuara tek përgjegjshmëria dhe suksesi për të luftuar dhe reduktuar efektet jo pozitive që ky perceptim – të gjithë  njësoj janë – i trumbetuar fort edhe nga “paraushtarakët digitalë” të “Rilindjes”, pompohet përditë dhe me shumë forcë në rrjetet sociale,  ku shpejtësia e përhapjes së lajmeve negative është disa herë më e madhe se shpejtësia e përhapjes së dritës. Askush nuk duhet t’i bëjë shqiptarët të përzgjedhin midis të keqes më të vogël. Kjo sepse e mira dhe e keqja për shqiptarët nuk ndahet mbi baza numerike, por  me faktin nëqoftëse je sipër, apo poshtë vijës së kuqe të qeverisjes me integritet dhe përgjegjshmëri maksimale  ligjore e profesionale.

 

  • Shqiptarët meritojnë një alternativë  sa më të  mirë, e cila nuk duhet t’i besohet kurrë asnjë individi  të vetëm  dhe asnjë partie të vetme, por një sistemi të demokracisë funksionale ku pushtetet ndahen, balancohen dhe kontrollohen 

  •  Rama ka poshtëruar njerëzit e mirë, duke promovuar në nivele politike njerëzit me rekorde kriminale dhe vese të këqia morale

– Prof. Malaj, meqë kryeministri Rama u kërkon shqiptarëve një mandat të tretë, në 2017 u kërkoi “timonin”, çfarë do të thotë për shqiptarët e Shqipërinë një mandat e tretë për Ramën?

– Rama në 2017 kërkoj “tepsinë” i vetëm, në 2021 Rama po kërkon i vetëm, kazanin e pushtetit të “Rilindjes”. Në perceptimin publik, kazani përdoret ose për të larë të palarat, ose për të grumbulluar plehërat. Përshembull, përdoret shprehja “kazani i rrobave”, ku hidhen rrobat që duhen larë, ose shprehja “kazani i plehërave”, ku qytetarët duhet të hedhin mbeturinat, jo vetëm ushqimore. Shqiptarët duhet të hedhin në kazanin e madh, që kërkon Rama për 2021, mbeturinat politike që jo vetëm “Rilindja”, por “Rilindja” më shumë se të tjerët krijoi me pushtetin e saj të pa ditur, të pa përgjegjshëm, të babëzitur dhe arrogante. Shqiptarët meritojnë një alternativë  sa më të  mire, e cila nuk duhet t’i besohet kurrë asnjë individi të vetëm  dhe asnjë partie të vetme, por një sistemi të demokracisë funksionale ku pushtetet ndahen, balancohen dhe kontrollohen. Jo rastësisht në SHBA  një pjesë e kongresit dhe senatit rizgjidhen në mes të mandatit/pas dy viteve për të vendosur ekuilibre të reja politike që kufizojnë pushtetin e përqëndruar tek një individ. Alternativat e reja  mund ta zbusin ambientin acid në politikën shqiptare. Shqiptarët meritojnë një jetë më të mirë në vendin e tyre dhe si pjesë integrale e aleancave të paqes dhe të prosperitetit. Ndërsa disa politikanë janë fajtorë moralë dhe ligjorë për keqshpërdorimin e pushtetit, askush veç votuesve  shqiptare nuk mund të bëhet përgjegjës për modelin qeverisë në Shqipëri. Heshtja përballë arrogancës, korrupsionit dhe babëzisë dhe nënshtrimi përballë keq shpërdoruesve të votës është mjerim moral, shpirtëror, ekonomik dhe financiar.

Në 25 prill 2021  kë alternativë politike duhet të votojë elektorati socialist, derisa “Rilindja” e zhgënjeu?

– Nuk është mirë që fushata të filloj 6 muaj përpara. Shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Shqiptarët meritojnë të integrohen me mirë në NATO dhe BE. Shqiptarët meritojnë më shumë liri demokratike, më shume prosperitet ekonomik, më shumë punë, më pak papunësi dhe varfëri. Shqiptarët nuk meritojnë të përballen me mbijetesen por me barazione e mundësive dhe politika aktive që rritin dinjitetin ekonomik. Shqiptarët  duhet ta kuptojnë për ditë dhe më qartë se të ardhmen e tyre duhet ta përcaktojnë ata me pjesëmarrje aktive në sfidat e vendit, me rritjen e pjesmarrjes në votime, me mbrojtjen e votës së lirë deri në perballjet  protestuese paqësore kundër Rama qeveri e babezitur dhe arrogante.  Siç shkruante para pak ditë më parë  në gazetën “Neë York Times” kolumnisti   Thomas L. Friedman betejën politike duhet ta fitojnë  individë dhe forca progresiste që mbështesit të poshtëruarit. “Rilindja”  ka poshtëruar qindra mijëra shqiptare me dështimet e saj në cënimin dhe reduktimin e lirive politike e ekonomike, me dështimet në  shëndetësi, arsim, punësim, me sjelljen arrogante të policive bashkiake,  me  sjelljen abuzuese të një pjese të administratës publike. Mbi të gjitha Rama ka poshtëruar njerëzit e mirë, duke promovuar në nievle politike njerëzit me rekorde kriminale dhe vese të këqia morale.

– Ju falenderoj, Prof. Malaj!

Biora Vojka