Presidenti Prof.Dr. Bajram Begaj në Kosovë / Akademia e Shkencave, ka qenë dhe vazhdon të jetë busull e mendimit shkencor, vlerave kombëtare dhe promotor i zhvillimit kulturor dhe intelektual”

Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në kremtimin e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Sot kremtojmë rrugëtimin gjysmëshekullor të dijes, sakrificës dhe përkushtimit intelektual, qytetar dhe kombëtar. Festojmë jetën e një institucioni që lindi në kushte të vështira, por që u ngrit në lartësinë e institucioneve të tjera simotra të kombeve të zhvilluara”, deklaroi Begaj në këtë përvjetor jubile të Akademisë së Kosovës.

NOA

Presidenti Begaj nderoi studiuesit dhe akademikët shqiptarë, ata që ruanin idealin dhe qëndresën për t’i hapur rrugë dijes.

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj,
në 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Jam i nderuar të ndodhem sot së bashku me ju në Kosovë, në këtë jubile të rëndësishëm të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një institucion i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë busull e mendimit shkencor, ruajtjes së vlerave kombëtare dhe promotor i zhvillimit kulturor e intelektual.
Sot kremtojmë rrugëtimin gjysmëshekullor të dijes, sakrificës dhe përkushtimit intelektual, qytetar dhe kombëtar. Festojmë jetën e një institucioni që lindi në kushte të vështira, por që u ngrit në lartësinë e institucioneve të tjera simotra të kombeve të zhvilluara.

Kosova kishte një histori dhe trashëgimi të çmuar dijesh të hershme përpara se kjo godinë dhe ky institucion të merrnin formën që ka sot.
Këtë trashëgimi sot, në këtë jubile, ne e kujtojmë dhe nderojmë me mirënjohje të thellë.
Udhëheqësit e shkollës shqipe, profesorët e Normales, studiuesit dhe albanologët e parë shqiptarë, dhjetëra e qindra shkencëtarë,me përkushtim dhe sakrificë, punuan për të mbajtur gjallë arsimin, gjuhën dhe kulturën shqipe.
Ata mbase nuk kishin luksin e traditave të gjata akademike, por patën idealin dhe qëndresën për lirinë dhe për t’i hapur rrugë dijes.
Punuan në kushte të vështira, shpesh të mbuluar nga censura, shpesh të privuar nga mjetet më elementare të punës shkencore, por me një atdhedashuri sublime. Falë tyre, kultura, gjuha, historia dhe identiteti kombëtar shqiptar në Kosovë arritën të mbijetonin dhe të lulëzonin.

Prandaj këtë 50-vjetor e festojmë duke nderuar, gjithashtu, dhjetëra e qindra personalitete të dijes e të artit që, me punën, talentin dhe integritetin e tyre krijuan themelet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Profesorë të shquar të gjuhës dhe letërsisë, historianë të spikatur, studiues të shkencave natyrore, teknike e mjekësore, artistë e krijues me famë kombëtare e ndërkombëtare, të gjithë janë pjesë e panteonit të dijes shqiptare.
Ata sollën studime cilësore shkencore, vepra artistike me nivel të lartë dhe e lartësuan dinjitetin e popullit tonë. Kontributi i tyre nuk ishte vetëm profesional, por ishte edhe qytetar e patriotik. Ata ishin zëri i Kosovës në kohë të vështira.

Këtë institucion e kanë ndërtuar breza të tërë akademikësh. Të gjithë meritojnë të përmenden me nderim dhe respekt të veçantë. Një detyrim i veçantë moral është ai për akademikët që nuk janë më mes nesh, por që me veprën e tyre do të mbeten gjallë në kujtesën tonë: Esat Mikuli, Kryetar i parë i Akademisë, IdrizAjeti, Besim Bokshi, Mark Krasniqi, Ali Hadri, Musa Haxhiu, Enver Gjerqeku, Edi Shukriu, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri dhe Ali Podrimja.

Në kohët më të vështira, akademia dhe intelektualët e Kosovës patën edhe një rol atdhetar e patriotik. Ata mbrojtën gjuhën, historinë dhe identitetin shqiptar kur ato ishin të kërcënuara. Patriotizmi i tyre u shpreh jo vetëm me fjalë të mëdha, por me punë të palodhur shkencore, krijimtari të guximshme dhe këmbëngulje për të thënë të vërtetën.

Kur shohim pas, e kuptojmë se historia e shqiptarëve të Kosovës nuk është historia e një populli me institucione të lira, është historia e pengesave të qëllimshme, e kufizimeve politike dhe sociale nga një sistem i egër represiv e kriminal, që synonte të ndalte çdo afirmim kulturor, shkencor dhe dinjitar kombëtar shqiptar.
Sa më i fortë presioni, aq më e madhe ishte përgjigjja e elitës intelektuale të Kosovës.
Rrjeti i institucioneve shkencore që lindi në vitet ’60, si: Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Muzeu i Kosovës, Arkivi, Universiteti i Prishtinës dhe shumë revista prestigjioze do t’i hapnin rrugën themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Krijimi i saj ishte një hap historik për emancipimin intelektual, politik dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Kapaciteti i saj shkencor, konferencat, botimet e shumta në albanologji, histori, filologji, shkencat natyrore e teknike dhe artet e ngritën akademinë në nivelin e institucioneve të respektuara të rajonit. Pavarësisht se akademinë e mbyllën, ajo nuk u mbyll kurrë në zemrat dhe mendjet e intelektualëve të saj, por mbeti një zë i palëkundur në mbrojtje të identitetit tonë, në mbrojtje tëidentitetit kombëtar.

Në këtë histori qëndrese, Shqipëria ka qenë gjithmonë pranë jush. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Tiranës dhe institucionet tona akademike bashkëpunuan ngushtë me kolegët në Kosovë. Në vitet ’70, shkëmbimet e profesorëve midis Tiranës dhe Prishtinës krijuan një klimë të veçantë afirmimi kombëtar. Në vitet e izolimit të Kosovës, studiuesit e Shqipërisë ishin dritare për botën dhe mbështetje profesionale e morale për kolegët e tyre këtu.

Një rol të çmuar ka luajtur edhe Diaspora shqiptare. Studiues, profesorë, artistë e profesionistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa Perëndimore dhe vende të tjera u bënë ura bashkëpunimi, kontribuuan në projekte madhore dhe e shoqëruan akademinë drejt ndërkombëtarizimit. Diaspora jonë intelektuale ka qenë gjithmonë pasuri kombëtare dhe Akademia e Kosovës ka ditur ta vlerësojë dhe ta përfshijë këtë pasuri me mençuri.

Akademia e Kosovës sot ka ndërtuar lidhje me shumë akademi dhe qendra kërkimore në rajon dhe në botë. Ajo ka krijuar partneritete në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, duke përfaqësuar denjësisht Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe duke e bërë atë pjesë të komunitetit botëror të dijes.

Të nderuar akademikë,
Pas shumë dekadave përpjekjesh, sakrificash të popullit tonë,dhe falë ndihmës së çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e partnerëve evropianë, shqiptarët sot jetojnë një moment të paprecedent: kemi dy shtete shqiptare, dy akademi shkencore, që i shërbejnë një kombi. Është hera e parë në historinë tonë që dija shqiptare mund të zhvillohet pa pengesa, në liri dhe në bashkëpunim të plotë. Kjo na jep jo vetëm siguri, por edhe fuqi për të ecur përpara, për t’u ngritur si komb përmes dijes, përmes krijimtarisë dhe përmes shpirtit.
E kaluara na ka mësuar vlerën e dijes. E ardhmja na kërkon ta shndërrojmë këtë dije në forcë zhvillimi për shoqërinë tonë.
Ky jubile na bën krenarë, na bën krenarë për rrugën e përshkuar, një rrugë që ka kaluar përmes sfidave të mëdha, por që ka prodhuar arritje të jashtëzakonshme. Kjo është, njëkohësisht,ftesë për reflektim dhe përgjegjësi për të ardhmen. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka detyrën dhe misionin të vazhdojë të jetë mbrojtëse e dijes, e së vërtetës dhe e dinjitetit, e identitetit kombëtar shqiptar.

Akademia duhet të ndërtojë ura midis dijes tradicionale dhe shkencave të reja, të udhëheqë zhvillimin digjital, të forcojë rrugën evropiane të Kosovës dhe të edukojë brezat që do të bartin përgjegjësitë e së ardhmes me dashurinë për kombin.
Kosova dhe Shqipëria ndërtohen më së miri atëherë kur dija nuk trajtohet vetëm si trashëgimi nga e kaluara, por edhe si udhërrëfyesi ynë i përbashkët drejt rrugëtimit Euroatlantik.
Brezi i ri ka sot një detyrë mjaft të rëndësishme: të bëhet gjenerata që e çon përpara idealin e dijes. Ata duhet të kërkojnë më shumë, të studiojnë më thellë, të mos kënaqen me të lehtën, por të gjejnë forcën për t’iu përkushtuar dijes me seriozitet, me kureshtje dhe me shpirt. E ardhmja e kombit tonë ndërtohet nga ata që besojnë se dija është mjeti më i fuqishëm i zhvillimit.

Urime 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!
Urime të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të lavdishëm!
Lavdi brezave që e ndërtuan, nder brezave që e mbrojtën dhe shumë suksese brezave që do ta çojnë përpara!