Presidenti Meta viziton Mitropolinë e Shenjtë të Korçës: Të bëhet çdo përpjekje për të zgjidhur përfundimisht çështja e pronave të komuniteteve fetare

132
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në kuadër të një vizite pune në qytetin e Korçës, u ndal në Mitropolinë e Shenjtë të Korçës, ku u prit përzemërsisht nga Mitropoliti Imzot Joan Pelushi, si dhe klerikë të tjerë drejtues të bashkësisë ortodokse.

Presidenti Meta e falënderoi Imzot Joanin, për të gjithë kontributin dhe ndihmën e vyer që Kisha Ortodokse Shqiptare ka dhënë për njerëzit në nevojë në Qarkun e Korçës, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, duke u ardhur në ndihmë të njerëzve më në nevojë edhe nëpërmjet mencës “Shërbesa e Dashurisë”.

Në përfundim të takimit, Presidenti Meta dha një prononcim për mediat, duke u shprehur ndër të tjera se:

“Në mënyrë të përsëritur, kam apeluar për një angazhim më të përgjegjshëm nga të gjithë institucionet shtetërore, në veçanti nga Qeveria, për të zgjidhur sa më shpejt dhe njëherë e përgjithmonë çështjen e kthimit dhe kompensimit të plotë të pronave për të gjitha institucionet e besimit në vendin tonë. Mbështetja e shtetit është shumë e rëndësishme, në mënyrë që të gjitha komunitetet fetare të kryejnë funksionet e tyre në shërbim të besimtarëve, qytetarëve dhe shtresave në nevojë. Shpresoj të ketë një reflektim sa më të shpejtë sepse për fat të keq,  kemi qenë i vetmi vend në Europë, që për shkak të një marrëzie, që vuri dorën mbi institucionet e besimit fetar dhe ku persekutimi i klerikëve ka qenë më i egër se kudo tjetër. Pengesë kryesore e moskthimit të pronave për komunitetet fetare është korrupsioni dhe asgjë tjetër. Është një mëkat i dyfishtë, që për këto arsye zvarriten çështje të tilla, që duhet të ishin zgjidhur prej kohësh. Dua të theksoj gjithashtu se, jemi me fat, që në krye të besimeve fetare, kemi udhëheqës të mençur, që kontribuojnë aq shumë për forcimin e harmonisë sonë të mrekullueshme ndërfetare dhe punojnë pa u lodhur për të edukuar të rinjtë me vlerat më të mira  hyjnore, njerëzore, shoqëror dhe kombëtare, duke u përpjekur t’i mbajnë larg veseve”, – u shpreh Presidenti Meta.