Sigal

Kuvendi i Shqipërisë do të hapë të hënën sesionin e dytë të punimeve, ku parashikohet shqyrtimi i 33 projektligjeve.

Në draftet e parashikuara për t’u diskutuar nga Komisionet Parlamentare janë dhe dy dekretet e presidentit Ilir Meta; rishikimi i ligjit për dhënien me koncension të ndërtimit të Teatrit Kombëtar dhe projektligji për tatimin mbi të ardhurat.

Kreu i Shtetit i kërkoi Kuvendit në fund të muajit korrik që të ndryshojë ligjin për Teatrin, duke argumentuar se është në shkelje të Kushtetutës, pasi prek barazinë dhe autonominë e pushteteve. Në dekretin e Metës parashikohet dhënia e së drejtës Bashkisë së Tiranës për të ngritur grupin e negociatorëve për miratimin e projektit të Teatrit të ri Kombëtar.

Programi tre javor do të shqyrtohet fillimisht në Konferencën e Kryetarëve, për të vazhduar më pas me diskutimin në Komisione. Shqyrtimi i dekreteve u shty për shkak të përfundimit të sesionit të punimeve në Kuvend.