Presidenti Meta: Të ndërtojmë Atdheun për të jetuar të gjithë qytetarët, duke u rikthyer shpresën, sidomos brezit të ri

231
Sigal

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot në Drashovicë, 38 patriotë të Luftës së Vlorës. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit u shpreh se aktet sublime të heronjve të Luftës së Vlorës duhen vlerësuar edhe sot me ndërtimin e një vendi më të mirë për qytetarët.
“Nga Monumenti i Lirisë, në zemër të Drashovicës kryelartë, nderova sot 38 patriotët më të shquar të kësaj toke që i dolën zot Atdheut në ditët më të vështira duke paguar me jetën e tyre çmimin e dhimbshëm për mbrojtjen e Pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë, në Luftën e lavdishme të Vlorës, një shekull më parë. Por nderimi më i madh që mund t’i bëjmë kujtimit të tyre është që të gjithë bashkë të lartësojmë vendin tonë përpara kërkesave të kohës dhe zhvillimit. Ta shndërrojmë gjithë trashëgiminë dhe potencialin njerëzor si komb në një energji pozitive për europianizimin e plotë të Shqipërisë. T’i ngremë përpjekjet dhe punën tonë në lartësinë e plotësimit të ëndrrave të bijve e bijave të Drashovicës, të Vlorës dhe gjithë shqiptarëve patriotë. Ta ndërtojmë Atdheun tonë të dashur për të jetuar të gjithë qytetarët tanë, duke u rikthyer shpresën, sidomos brezit të ri”,– shkruan kreu i shtetit në një mesazh në Facebook.