Presidenti Meta: Koherenca ime në mbështetje të Kushtetutës e përhershme, qëndrimet e tjera janë spekulime

426
Sigal

Në një intervistë për “Nova Media”, Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se qëndrimet e tij në mbrojtje të Kushtetutës kanë qenë koherente dhe nuk kanë ndryshuar asnjëherë.

Meta u shpreh se keqkuptimet që janë krijuar në opinion lidhur me dekretimin e ndryshimeve në Kodin Penal janë spekulative.

“Çdo keqkuptim që bëhet midis qëndrimeve të Presidentit me manifestimin e 2 marsit dhe me ndryshimet e miratuara në Kodin Penal është spekulative, për të treguar sikur këtu ka një inkoherencë, ndërkohë që është krejt e kundërta. Duhet të kuptojmë që janë dy situata të ndryshme. Koherenca ime në mbrojtjen e Kushtetutën ka qenë dhe do të jetë e përhershme”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti ka sqaruar se ndryshimet në Kodin Penal për përhapjen e sëmundjeve infektive ishin të nevojshme, pasi Shqipëria nuk ka pasur ligje të tilla. Ai deklaroi se me amendimet që parlamenti u bëri propozimeve të Presidentit, Kodi Penal ka standarde europiane në trajtimin e çështjeve që lidhen me përhapjen e sëmundjeve.

“Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, dua t’ju sqaroj se ka patur një boshllëk dhe për këtë arsye një grup i deputetëve të mazhorancës ndërmori një nismë të papritur që krijoi shqetësim. Ndërkohë pas këtyre shqetësimeve mazhoranca kërkoi bashkëpunim në këtë rast. Duhet të kuptojmë që Presidenti kishte dy zgjidhje: që të mos bashkëpunonte paraprakisht dhe kur Kuvendi t’i bënte fakt të kryer këto ndryshime, Presidenti t’i kthente dhe mazhoranca t’i kalonte sërish. Por nuk mendoj se në rrethanat aktuale ky do ishte një vendim i drejtë nga ana ime në raport me interesin e përgjithshëm publik”,- deklaroi kreu i shtetit.