Presidenti Meta pret Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu

540
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti në një takim të veçantë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, zotin Mevlüt Çavuşoğlu.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në tre dekadat e fundit.

Duke u ndalur tek mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Meta shprehu vlerësimin për vëmendjen që Presidenti Erdogan dhe Qeveria turke i kushtojnë këtij bashkëpunimi me Shqipërinë dhe nënvizoi se Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu kontributin e dhënë nga Turqia përmes Agjencisë turke të Bashkëpunimit për Zhvillim TIKA, e cila tashmë është e pranishme në të gjithë Shqipërinë.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve më të fundit në rajonin e Ballkanit dhe nevojës për të vijuar kontributin e përbashkët në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë rajon.

Në këtë kuadër, Presidenti Meta vlerësoi mbështetjen që Turqia ka dhënë për njohjen e pavarësisë dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e jashtëzakonshëm që luan Turqia në përballimin e krizës humanitare të refugjatëve sirianë dhe vendeve të tjera të Lindjes së Mesme në konflikt.