Presidenti Meta pret ambasadorin e Zvicrës në Tiranë: E ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve tona është premtuese

54

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Zvicrës në Tiranë Adrian Maitre.

Meta shprehet se ambasadori Maitre i ka dorëzuar letrën e Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Simonetta Sommaruga, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Më tej, Meta deklaron se e ardhmja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Zvicrës është premtuese.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Pata kënaqësinë të prisja Ambasadorin e Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre, i cili më dorëzoi letrën e Presidentes së Konfederatës Zvicerane, Simonetta Sommaruga, me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve tona.

Presidentja Sommaruga uron ngrohtësisht popullin shqiptar për këtë përvjetor, vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha, si dhe shpreh besimin se lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës do vijojnë të zhvillohen në të gjitha fushat me interes për dy kombet tanë.

Pasi falenderova për mbështetjen dhe asistencën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë e popullit shqiptar ndër vite, e sigurova për vullnetin tim të palëkundur për të punuar së bashku për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona.

I shpreha mirënjohjen për mbështetjen dhe mundësitë që Zvicra i ka krijuar komunitetit shqiptar për t’u integruar dhe dhënë kontributin e tij, si në zhvillimet e gjithanshme në Zvicër, ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit midis dy popujve.

Diskutuam edhe për aktivitetet që do të organizohen për të shënuar 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane.

E ardhmja e marrëdhënieve me Zvicrën është shumë premtuese. 🇦🇱🤝🇨🇭