Presidenti Meta: Nuk ikim nga sheshet pa vendosur demokracinë direkte

465
Sigal

Kreu i shtetit, Ilir Meta doli në një komunikim në mbrëmje me mediat, ku paralajmëroi se do të nisë një epokë e re e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Meta citoi nenin e Kushtetutës për referendumet, ndërsa tha se për 21 vite nuk është mbajtur asnjë referendum pasi politika e ka bllokuar qëllimisht ligjin për këtë çështje.

“Ndaj dhe unë, si president i Republikës kam vendosur pas gjithë përpjekjeve të mia në këtë zyrë për të gjetur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit me qeverinë, Kuvendin, opozitën; pas gjithë kësaj loje kukafshehti, kam vendosur të zbres në shesh dhe nuk do të iki nga sheshi derisa të detyrojmë parlamentin që të zbatojë këtë detyrim kushtetues,” tha Meta.

“Me këtë klasë politike, jeni të pashpresë. E vetmja rrugë është që të filloni të ushtroni demokracinë direkte. Përndryshe pas disa vitesh nuk do të ketë më shqiptarë, do ketë vetëm emigrantë. Kjo është e vetmja rrugë, demokratike dhe transparente që shpëton Shqipërinë.  Nga sot, presidenti është palë me popullin dhe referendumin,” tha Meta.

Ai ftoi qytetarët më 8 dhjetor në tubim, ndërsa shtoi se do të vazhdojnë takimet në sheshe derisa të vendoset demokracia direkte. “Shqipëria të qeveriset nga shqiptarët, siç e parashikon Kushtetuta e Shqipërisë,” tha Meta.