Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thënë se ndryshimet në Kodin Penal, miratuar sot në Kuvend janë përmirësuar në krahasim me variantin e parë.
Në një intervistë për emisionin “Open”, Presidenti Meta u shpreh se është momenti që të mbështesim qeverinë për përballimin e situatës së COVID-19.
I pyetur nëse ka një periudhë pranvere mes Presidentit dhe qeverisë, Meta u shpreh se pranvera e tij është me Kushtetuën e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti Meta: Ndryshimi i Kodit Penal një akt shumë i rëndësishëm që duhet bërë në një mënyrë të përgjegjshme. Iniciativa ka qenë e mazhorancës dhe ka ndryshime të qarta e thelbësore, mes draftit të parë dhe draftit të miratuar. Në këtë proces mazhoranca ka kërkuar të bashkëpunojë paraprakisht me institucionin e Presidentit dhe ne kemi dhënë mendimet tona, që i bëmë sot publike para seancës, në mënyrë që këto ndryshime të ishin në përputhje me Kushtetutën.
A jeni në një stinë pranvere me qeverinë?
Presidenti Meta: Pranvera ime është vetëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Është momenti për ta mbështetur qeverinë. Jam shumë i kënaqur që përballimi i pandemisë është një detyrë e të gjithëve. Drafti përfundimtar ka një përmirësim cilësor, në raport me variantin e parë.