Presidenti Meta i jep titullin e lartë Armand Hysit: Intelektual i rrallë që mbështet kauzat sociale

161
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’ Dr.Armand Hysi një emër i njohur në Sarandë si mbështetës i kauzave sociale. Meta thotë se të gjithë duhet ta mbrojmë Sarandën sepse ky qytet nuk u përket vetëm sarandiotëve por edhe të gjithë shqiptarëve.

Meta shton se kemi nevojë për figura që i shërbejnë komunitetit dhe mbeten model frymëzues i përhershëm solidariteti, humanizmi, por edhe progresi shoqëror

“Të gjithë duhet ta duam më shumë Sarandën, ta mbrojmë dhe ta promovojmë, sepse ky qytet i mrekullueshëm, nuk u përket vetëm sarandiotëve, por të gjithë shqiptarëve.

Sot ky apel është edhe më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër për të rinjtë e qytetarët e Sarandës, që aq shumë është dëmtuar nga “virusi i babëzisë” dhe është prekur nga shpopullimi.

Një kontribut të paharruar për zhvillimin e këtij qyteti, duke lënë pas një trashëgimi të pasur, me studime e publikime në fushën ekonomike, ka dhënë edhe Dr.Armand Hysi, një emër i nderuar dhe i vlerësuar nga qytetarët e Sarandës, si një intelektual i rrallë e human, i cili ndihmonte qytetarët në nevojë dhe nuk kursehej të mbështeste kauzat sociale të rëndësishme.

Në nderim të punës shumëvjeçare si pedagog e kërkues shkencor, duke dhënë një ndihmesë të madhe për zhvillimin cilësor ekonomik e social të Sarandës, pata kënaqësinë ta vlerësoj me Titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’.

Kemi nevojë të vlerësojmë sa më shumë figura të tilla, që i shërbejnë komunitetit dhe mbeten një model frymëzues i përhershëm solidariteti, humanizmi, por edhe progresi shoqëror”, shkruan Meta.