Moikom Zeqo: “Transparenca e zgjedhjeve është më e rëndësishme edhe se fituesi”

320

Qytetarët shqiptarë kanë përgjegjësi, për atë që lidhet me të ardhmen kombëtare më shumë, se sa  me të ardhmen e partive

Moikom Zeqo, një politolog me një vizion të qartë, në intervistën për “Telegraf”, thekson se në 23 Qershor, nuk ka rëndësi se cili është fituesi, por duhet që të fitojmë të gjithë, duke bërë zgjedhje demokratike dhe transparente.

– Zoti Moikom, mund të shpresojmë se zgjedhjet në 23 Qershor, do të sjellin një erë të re demokratike?

– Zgjedhjet elektorale të 23 Qershorit 2013 mund të jenë një datë historike, ku mund të ndalet e kaluara me të ardhmen në çështjen më hamletiane dhe groteske të politikës shqiptare: A do ta kapërcejmë Rubikonin e politikës drejt një demokracie të vërtetë dhe funksionale si dhe procedurale, apo do ta mitizojmë marrëzisht një demokraci apokrife dhe të gënjeshtër, që vetëm na dëmton dhe na sfilit barbarisht dhe ritualisht? Përgjegjës për këtë prapambetje janë shumë faktorë, por përgjegjësi ka në këtë pikë Berisha. Prandaj 23 Qershori 2013 do të jetë përgjegjësia më e madhe e Berishës si kryeministër, që përgjigjet konkretisht për standardet e vonuara, por kaq jetike për demokracinë provincial shqiptare. Këtë herë monitorimi i subjekteve ndërkombëtare është shumë herë më imponues, më kriticist, më autoritar dhe pa ekuivokë dhe “mbyllje sysh”. Pra, është sa një provë kombëtare, aq  edhe e rrafshit ndërkombëtar, sepse lidhet me shtratin konceptual të integrimit të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj. Shpresoj -pa qenë utopik dhe ëndërrimtar – se këtë herë zgjedhjet do të zhvillohen më të lira në raport me të kaluarën e vrazhdë dhe shqetësuese dhe se kjo do të jetë fitorja më e madhe – ose duhet të jetë fitorja supreme, e po të ndodhë kjo, nuk ka shumë rëndësi se kush është fituesi i zgjedhjeve elektorale.

– A do të ndahen shqiptarët nga e kaluara e zgjedhjeve të manipuluara?

– Ky është shqetësimi i vërtetë dhe substancial. Në këtë pikë jemi më të prapambeturit në rajon edhe në Europë, ndaj vonesa jonë ngjall trishtim dhe lodhje, mosbesim, kontestim të vrazhdët, kaos, marrëzi ciklike, dhunë verbale, delire të pushtetit dhe të politikës primitivisht konfliktuale dhe aspak komplementare. Them se në 23 Qershor do të ndryshojë diçka, në të kundërtën politika shqiptare do të përjetojë një krizë shumë të rëndë. Po e përsëris: zgjedhjet elektorale te 23 Qershorit 2013 janë një pikë, ku mund të ndahet e kaluara nga e ardhmja, në shumë kuptime të koncentruara në dilemën ekzistenciale  të klasës politike shqiptare, në raport me elektoratet dhe qytetarët.

– Fushata elektorale po finalizohet. Partitë a kanë parashtruar para elektoratit alternativa, zgjidhje të problemeve të kohës, apo qëllimi dhe prioriteti është marrja e pushtetit?

– Kjo fushatë  ka qenë e pashembullt, me spektakle të mëdha dhe shpenzime të mëdha. Dhe ku ? Në një vend si Shqipëria, ku ka kaq shumë të varfër dhe një papunësi të frikshme, ku humaniteti dhe problemet ekzistenciale janë  tejet të mprehta dhe shqetësuese? Por imazhi i partive të mëdha reflekton një përparësi të kulturës së spektakleve, kaq shumë të kushtueshme – si asnjëherë tjetër në këto 22 vjet. Groteske, por edhe e vërtetë. Fushata në dukje ka qenë “paqësore”,  por me një tension të jashtëzakonshëm, me batuta të skajshme dhe demonizuese – dihet se batutizimi dhe thelbi i politikës janë dy gjëra të ndryshme. Janë bërë shumë premtime – shumica të parealizueshme dot – por gjithmonë në drejtim të të varfërve. Besoj se këtë herë fiton pikërisht koalicioni i majtë, ndonëse fitorja nuk ka për të qenë më diferencë shumë të madhe. Rotacioni në shumë pikëpamje është jetik, por nuk arrihet vetëkuptohet me shkopin magjik. Pra do të kemi ende përsëri një fazë tranzitore dhe qeverisja do të jetë një provë shumë më e rëndë dhe më e komplikuar se sa fitorja elektorale që ka edhe atë që quhet shansi historik, pas kronologjisë  8 vjet në opozitë- ndonëse kjo nuk duhet të formalizohet në mënyrë  të thjeshtëzuar.

– Ju si mund ta gjykoni apelin e  ditëve të fundit të ndërkombëtarëve, që kërkojnë nga forcat politike, të njohin rezultatin zgjedhor, duke “harruar” tashmë, kërkesën për zgjedhje me standarde?

– Në fakt të dy çështjet janë e njëjta substancë. Pa standarde ta zgjedhjeve nuk do të ketë pranim normal të rezultatit, por do të stimulohet kaosi, kontestimi, rikthimi në ciklin e vjetër të politikës provinciale, tipologjikisht konfliktuale – kjo do të përbënte një atentat ndaj demokracisë funksionale dhe procedurale, do të zbehte shpresën, vetëdijen dhe besimin në vetë idenë substanciale të demokracisë. Atëherë, rruga e integrimit do të jetë akoma më e vështirë, për shkak të vetë përjashtimit delirant nga vetë klasa politike shqiptare ende e paemancipuar dhe primitive.

– Çfarë duhet bërë?

– Ka vetëm një zgjidhje vizionare: reforma të guximshme kushtetuese për kufizimin e mandateve të kryeministrit, kryetarëve të partive, të kryetarëve të bashkive, komunave, prokurorëve, gjyqtarëve, guvernatorit të bankës kombëtare, të rektorëve të universiteteve etj etj. Kufizimi i mandatit të presidentit të Amerikës, është një shëmbëlltyrë e fuqisë dhe e zhvillimit të përshpejtuar, për shkak të  konceptimit juridik vizionar. Klasa politike shqiptare as nuk e mendon fare këtë alternative, edhe për arsye të mungesës së vizionit, kulturës dhe sindromës delirante të pushtetit.

– Cili duhet të jetë reagimi i elektoratit ndaj kësaj klase politike?

– Padyshim do të jetë zhgënjimi- elementë të këtij zhgënjimi janë kudo. Maks Veberi ka thënë se, “kriza më e madhe e politikës nuk është konflikti pa princip midis partive, por kriza midis partive tradicionale me vetë elektoratet e tyre tradicionale”. Diçka e tillë po ndihet dhe po ravizohet edhe në Shqipëri.

– Rotacioni që kërkon e Majta, a mund të përmbushë rotacionin që kërkon progresi i zhvillimit dhe i perspektivës të Shqipërisë dhe i shqiptarëve?

– Ky rotacion do të hapë premisa, do të thyejë monopole, do ta hapë rrugë të reja, do të jetë një ftillesë për një shpresë për një shoqëri më demokratike, për një lloj emancipimi në tërësi, por edhe për vetë të majtën.

– A gjykoni se nga e Majta ka premtime në përmasa të këtilla, që dihen që janë të parealizueshme, por bëhen për marketing elektoral?

– Të gjitha partitë, papërjashtim, bëjnë premtime më të mëdha, se sa kanë mundësi t’i realizojnë. Rëndësi ka që e Majta të bëjë ndryshime, qoftë dhe jo shumë të shpejta, por të sigurta të karakterit konceptual. Por kjo nuk është aspak e lehtë.

– Faleminderit!