Presidenti Meta flet në konferencën ”Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”

314
Sigal

Presidenti Ilir Meta ditën e sotme foli nga Vlora, pasi mori pjesë në konferencën historike kushtuar Luftës së Vlorës së 1920-ës. Ai iu përgjigj interesit të gazetarëve se si e kishte lexuar, mesazhin e Ambasadores amerikane Yuri Kim për partitë dhe figurat e pastra në politikë.

Prononcimi i Presidentit Meta për mediat në Vlorë

PYETJE: Keni ftuar partitë politike për mendime për datën e zgjedhjeve, por është një ngërç, me KQZ-në që sipas Kodit të ri Zgjedhor tashmë e ka mbyllur misionin. Mendoni se do të krijojë një problematikë?

PRESIDENTI META: Dua të shpreh kënaqësinë që jam këtu në Vlorë në këtë ditë tepër të rëndësishme, për të nderuar Luftën Kombëtare të Vlorës të vitit 1920.

Falenderoj të gjithë historianët e angazhuar dhe të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për organizimin e kësaj Konference Shkencore, që hedh dritë mbi shumë ngjarje dhe të vërteta që e bëjnë edhe më të madhërishme epopenë fitimtare të Luftës së Vlorës, për të gjithë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka patur.

Lufta e Vlorës është mesazhi më i rëndësishëm për të gjithë se përmes bashkimit rreth interesit të përbashkët kombëtar, mund të krijohet një fuqi e cila sjell vetëm suksese dhe arritje për kombin, por edhe për shtetin.

Të kalojmë nga Lufta e Vlorës te KQZ, më duken gjëra shumë më të vogla.

Nëse ka vullnet të gjitha çështjet janë të zgjidhura dhe të zgjidhshme shumë thjesht.

Nëse ka vullnet për zgjedhje të lira dhe për zgjedhje demokratike, nuk shikoj asnjë arsye përse të mos zgjidhen.

Nëse ka vullnet për të respektuar Marrëveshjen e 5 Qershorit, nuk shikoj asnjë problem.

Por nëse nuk ka vullnet për këtë çështje, flasim ditë tjetër dhe jo sot, se sot është dita e Vlorës.

PYETJE: E keni një opsion për datën e zgjedhjeve?

PRESIDENTI META: Nuk mund të them asgjë sepse do të më duhet të dëgjoj përfaqësuesit e forcave kryesore politike dhe më pas do të flasim me siguri.

PYETJE: A keni marrë një përgjigje mbi takimin që keni kërkuar për të zhvilluar me krerët e dy partive të mëdha?

PRESIDENTI META: Unë kam kërkuar takime me përfaqësuesit e të gjitha forcave parlamentare, përfshirë edhe me Kryetaren e Komisionit të Integrimit Europian.

Të gjithë janë të mirëpritur, më pas do të kemi një vlerësim përfundimtar.

PYETJE: Si e lexon Presidenti i Republikës mesazhin e Ambasadores amerikane Yuri Kim për partitë për figurat e pastra?

PRESIDENTI META: Ka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione plotësisht demokratike dhe legjitime.

Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme e pastrojnë politikën nga elementët kriminalë apo të korruptuar, apo nga ata të cilët për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e plotë dhe në mënyrë europiane të shtetit ligjor.

PYETJE: Në një kohë që sot po diskutojmë Luftën e Vlorës, çështje patriotike, historike si kjo dhe paralelisht duke disktuar çështjen e detit. Në fakt këto Konferencat Shkencore që duket sikur të shtojnë atë ndjenjën e patriotizmit, kujt do  ja sugjeroni ju t’i shihni?

PRESIDENTI META: Sjellja ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë vetëm shtetërore, vetëm Kushtetuese dhe tërësisht e përgjegjshme. I ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm në sjelljen e tyre, aq më tepër në publik, në mënyrë që qoftë edhe pa dashje të mos bëjnë deklarata të cilat mund të përdoren nesër në dëm të Shqipërisë nga kushdo.