Prof. Klodi Stralla: Dëmin e gjobave, ta paguajnë ata që e shkaktuan

235
Sigal

Ky është një parim i lashtë, mijëvjeçar, që na vjen nga e Drejta romake. Por tek ne, ndërsa zbatohet në marrëdhëniet mes shtetasve ose subjekteve juridike (bizneseve), nuk zbatohet në rastet kur dëmtuesi është nëpunesi publik i shtetit. Në këto raste si shpërblyes i dëmit del shteti, pra, me pak fjalë ata që e shpërblejnë dëmin jemi ne, si shoqëri, me taksat tona. Kështu ndodh që, kur një punonjës fiton gjyqin ndaj shtetit për largim të paligjshëm nga puna dhe për këtë dëmshpërblehet nga gjykata, ata që e paguajnë këtë dëm jemi ne dhe jo titullari i institucionit apo vartësit e tij, që janë faktikisht ata që e kanë shkaktuar dëmin. Apo rastet për burgim të padrejtë, gjobat arbitrare, etj. Janë më mijra të tilla rastet kur buxheti i shtetit, për të njëjtin vend pune, paguan dy paga, një për atë që punon realisht dhe tjetrën për atë që ka fituar gjyqin për largim të paligjshëm nga puna. Janë miliona lekë dëmet e kësaj natyre, që shteti shpërblen, ndërkohë që dëmin (veprimin e paligjshëm) e ka barrë titullari apo nëpunësit e tij, qoftë nga padija, qoftë nga hakmarrja ose edhe nga korrupsioni. Ka arrdhur koha, bile jemi shumë të vonuar, të miratohet një Ligj “Shpërblimi i dëmeve nga nëpunësit publike për veprimtarinë e paligjshme të tyre në dëm të shtetasve ose subjekteve private”, sipas të cilit dëmi do të shpërblehet personalisht prej tyre, me pasurinë e tyre dhe jo nga buxheti i shtetit. Përgjegjësia penale “shpërdorim detyre”, që shoqërohet me burg dhe përgjegjësia administrative, që shoqërohet me largim nga puna të titullarit që ka kryer një veprim të paligjshëm, si rezultat i të cilës është shkaktuar dëm, janë tjetër gjë. Nëse do ta kemi një ligj të tillë, dëmi i fundit prej 110 milon euro që iu shkaktua televizionit “Agon” të Francesco Bekettit do të shpërblehej jo nga buxheti i shtetit, por nga personat përgjegjës, duke filluar nga Kryeministri, Kryetari I Bashkise dhe I gjithe zinxhiri pergjegjes, shperblim qe do te realizohej me pasurinë e tyre përmes Zyrave të Përmbarimit. Vetëm kështu drejtesia vihet në vend dhe formohet edhe kultura e përgjegjësisë personale e nëpunësit publik për detyrën që kryen! Edhe Opozita, para se të lëshojë lotë krokodili, bën mirë të premtojëe miratimin e një ligji të tillë, nëse vjen në pushtet. Kjo do ta bëjë më të besueshëm vullnetin e saj për ta luftuar korrupsionin dhe arbitraritetin partiak.