Presidenti Meta: 25 prilli, referendum historik. Kush prek votën dhe provokon sovranin do të marrë përgjigjen e merituar

168
Sigal

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot me kërkesë të tyre, një takim pune me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”. Në këtë bashkëbisedim, Kreu i Shtetit u njoh me përpjekjet e kësaj shoqate për të ndalur masakrën urbane dhe shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë historike, arkeologjike dhe kulturore të qytetit bregdetar. Përfaqësuesit e Shoqatës “Durrësi Autokton” kërkuan nga Presidenti Meta t’i mbështesë në aktivitetin e tyre dhe morën prej Tij mbështetje të plotë për të gjitha nismat për mbrojtjen e Durrësit nga vendimmarrjet arbitrare e të pakonsultura me komunitetin lokal.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta pasi vlerësoi rolin e kësaj shoqate në promovimin e Durrësit u ndal në gjobën që policia i vendosi kreut të kësaj shoqate.  “Zëri i qytetarisë dhe i intelektualëve të Durrësit është tentuar të zbehet dhe rasti më i fundit ishte sjellja tepër banditeske ndaj kryetarit të Shoqatës tuaj. Ishte një përpjekje për të intimiduar jo një individ, as për të indimiduar thjesht një shoqatë, por për të intimiduar çdo lëvizje, çdo gjallërim të qytetarisë, të respektimit e të nderimit të traditave të mbrojtjes së vlerave historike e kulturore, si dhe të shprehjes së mirënjohjes ndaj emrave më të mëdhenj e të shquar, që kanë dhënë aq shumë për Durrësin dhe për Shqipërinë, sa i përket ruajtjes së identitetit kombëtar e kulturor dhe traditave urbanistike e qytetare. Durrësi mbart potenciale të mëdha për zhvillimin e tij, për luftën kundër varfërisë dhe për zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë. Por për fat të keq Durrësi, e ka humbur të gjithë fizionominë e ruajtur në shekuj me shumë kujdes e me shumë vëmendje”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Meta u ndal dhe në zgjedhjet e 25 prillit duke shprehur bindjen se qytetarët do të marrin pjesë në këtë proces, si në një referendum historik. “Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve historike të 25 prillit, çdo gjë fillon nga çkapja e votës, nga vota e lirë dhe shenjtërimi i saj. Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë! Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre! Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitet që do vijnë. Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lirë.” Ndaj kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij”,- tha kreu i shtetit.